Kampet rinore, arroganca partiake në një nga plazhet më të shtrenjta të Shqipërisë
Jugu i Shqipërisë është një vend tërheqës jo vetëm për pushuesit vendas dhe të huaj. Prej disa vitesh plazhi nën fshatin e Vunoit, Jala, është kthyer në një hapësirë që pret dhe përcjell jo vetëm turistë shqiptarë e të huaj, por edhe qindra të rinj veprimtarë partish, asaj Socialiste dhe LSI-së.
Qindra anëtarë të Lëvizjes Rinore për Integrim kanë frekuentuar Jalën për të shtatin vit radhazi. Burime nga LSI bëjnë të ditur se kanë qenë plot 500 të rinj dhe të reja, që nën logon e LRI janë mbledhur për të pushuar këtë vit, por edhe për të hartuar ato që kjo parti i quan ‘strategji’ që lidhen me rininë dhe më gjerë. Për pjesëmarrësit kostot janë të mbuluara nga partia që i mbledh, duke filluar nga udhëtimi e deri te ushqimi apo kujdesi shëndetësor në rast nevoje. Kronikat televizive dhe mediat, e kanë parë këtë fushim të rinjsh si një tendencë deri diku edhe mondane, duke raportuar në detaje për kushtet e jetesës, veprimtaritë, logjistikën gjithnjë e më të shtrenjtë dhe axhendën ditore të të rinjve.
Grupe-grupe, anëtarët e forumit rinor në fjalë qëndrojnë nga dy javë në Jalë, ndërsa ata shprehen për ‘JavaNews’ se kushtet janë komode në kampin e ngritur dhe po ashtu ushqimi është i bollshëm.
Po në Jalë, kulturën e kampingut e ndjek edhe Forumi Rinor Eurosocialist. Organizatorë të takimeve verore shprehen se vetëm kostot e udhëtimit kanë shkuar rreth 13 milionë lekë të vjetra, ndërsa pjesëmarrësit kanë arritur në 750 vetë.
Të ndodhur mbledhur krah për krah, por në kampe të ndryshme, dy partitë që qeverisin sot vendin kanë harxhuar shifra të konsiderueshme për këto “parakalime” deri diku arrogante të fuqisë së tyre tërheqëse për një pjesë të rinisë shqiptare. Burime nga Jala thonë se kostot e kampit për person, përllogaritet rreth 1500 lekë të reja në ditë. Që do të thotë se në fund të verës, në faturën financiare të dy forcave politike, shuma për t’u paguar për kampingjet rinore do të jetë goxha e madhe.
Të dy partitë e koaliconit që shpenzojnë shumë të konsiderueshme në Jalë, detyrimisht duhet të vendosin standardin e transparencës rreth kostove të këtyre aktiviteteve, që në fakt ngjajnë me pushime të maskuara keq buzë njërit prej brigjeve të shtrenjtë të Rivierës së Jonit.
Por ajo që shqetëson nuk është vetëm harxhimi financiar. Jo i bukur është fakti që partitë politike japin mesazhin se vetëm grumbullimi rreth tyre, vetëm rreshtimi partiak, është ajo çka mund të të ofrojë shumëçka, madje edhe një palë pushime falas buzë Jonit. Pa paragjykuar aspak anën pozitive të një kampingu partiak rinor, nuk ka sesi të mos vemë re sesi moda e kampingjeve ka marrë përmasa që i kanë tejkaluar dukshëm mundësitë, moshën dhe shkallën e pretendimeve që duhen të kenë të rinjtë e një vendi të varfër si Shqipëria, ku një familjeje të zakonshme i dridhet zemra dhe xhepi që të shkelë një herë në Jalë, kurse partitë politike shkojnë e ngulen çdo vit me javë të tëra në atë breg që tremb edhe të huajt me çmimet e kripura që ka.










