Flamur Noka është paraqitur për kallëzimet që ka bërë për procesin zgjedhor.
Pas dhënies së deklarimeve të tij para prokurorëve të SPAK, Noka është shprehur se dy kanë qenë çështjet për të cilat ai është pyetur në SPAK, për kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufin dhe për platformën “Aktivisti”.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Noka akuzon Majlinda Bufin si kërcënuese dhe shantazhuese e qytetarëve për të marrë me dhunë votën e po ashtu platformën e “Aktivistit” që sipas tij, shantazhonte administratën.
Flamur Noka: Ne kemi monitoruar dhe paraqitur në SPAK një mori padish për këtë batërdi. Sot isha për të diskutuar në lidhje me Majlinda Bufin si kërcënuese dhe shantazhuese e qytetarëve për të marrë me dhunë votën dhe po ashtu për “Aktivistin” që shantazhonte administratën dhe këto janë krimet zgjedhore dhe ne do t’i shkojmë deri në fund.
Të gjitha provat janë dorëzuar. Fakti që jam unë këtu do të thotë se ka hetim penal për “Aktivistin” dhe Bufin, vota me dhunë dhe presion duhet të marrë fund. Shqipëria ka nevojë që të zhvillohen zgjedhje të lira me standarde, ku qytetari të jetë objektiv në qëndrimin e tij dhe jo i dhunuar apo i blerë.
“BF” në këto zgjedhje nuk kishte përballë vetëm Rilindjen, por edhe pushtetin, shtetin me të gjithë mekanizmat, krimin, paratë e krimit,e kjo nuk përbën ndonjë risi. Policia dhe Prokuroria kanë qenë në shërbim të regjimit për të shantazhuar opozitën. Kauza jonë për votë të lirë dhe për një shtet ku ndahet partia me shtetin, dhe ne do t’i qëndrojmë.