Gazetari Aulon Kalaja, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “politikanët shqiptarë spiunonin njëri-tjetrin në Ambasadën e SHBA-së”.
“Kur amerikanët kanë dashur të bëjnë diçka në Shqipëri dhe i kanë thënë një lideri të caktuar që të hapë krahun, kanë ikur me marrëveshje. Nuk është Shqipëria si Venezuela. Në vitin 2005 u përhap një thashethem që amerikanët i kanë kërkuar Nanos që të dorëzojë çelësat e pushtetit. Do hapen dosjet dhe do shohim çudira, që politikanët shqiptarë kanë shkuar të spiunojnë në Ambasadën Amerikane, duke shitur interesat e vendit të vet. Në 2016 u thërritën të gjithë deputetët dhe iu tha që do votojnë të 140 Reformën në Drejtësi. Kështu që, nëse ka mesazh nga Amerika drejtuar një politikani shqiptar, këtu nuk ka rezistencë”, tha Kalaja.
“Maduro është politikan që e ka kthyer vendin e tij në narkoshtet. Modelin e këtij politikani e gjejmë edhe në Shqipëri. Amerika nuk i ka për zemër këta njerëz. Personazhe të tilla, që kërcejnë, më kujtonte Ramën që i binte dajres në fushatë, nuk japin asnjë mesazh, qeverisja e tyre do mbahet mend si periudhë vakuumi, dhe po goditen rëndë. Këto këmbana alarmi bien edhe për Shqipërinë, jo për rrëmbimin e Ramës, por për mënyrën se si pastrohen paratë në Shqipëri, për betonizimin e Tiranës, do të futet në skaner ekonomia shqiptare”, shtoi Kalaja.











