Nga Paskal Milo
Një bashkëpunim i veçantë, jashtë vëmendjes e syve të opinionit publik ka qenë ai i shërbimeve sekrete të të dyja vendeve. Ato njiheshin me të njëjtin emër si në Shqipëri dhe në RDGJ: “Sigurimi i Shtetit”. Nga pikëpamja organizative në Shqipëri, ai mbeti deri në fundin e regjimit komunist brenda strukturës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa në RDGJ u shkëput pas mesit të viteve ’50-të dhe u krijua si Ministri e Sigurimit të Shtetit (Ministerium für Staatssicherheit, e njohur si Stasi). Të dyja këto institucione ishin instrumente besnike të regjimeve respektive që garantonin përmes dhunës, frikës, terrorit psikologjik, burgosjeve, torturave, vrasjeve, kontrollin dhe pushtetin e partive komuniste që i kishin ngritur. Nuk dihet se cili ka qenë më i egër e më famëkeq se tjetri: Stasi gjerman apo Sigurimi shqiptar. Për këtë nevojitet një studim i veçantë krahasues e këtu nuk është rasti.
Natyra e njëjtë dhe objektivat e përbashkëta të regjimeve komuniste që i kishin ngritur i çoi të dy shërbimet sekrete në një bashkëpunim të ngushtë. Propozimi për bashkërendimin e veprimeve u bë nga pala gjermane në korrik të vitit 1955. Në përgatitje për nënshkrimin e marrëveshjes, Sigurimi i Shtetit shqiptar hartoi platformën e bisedimeve dhe kërkoi në tetor miratimin e saj prej udhëheqjes më të lartë të regjimit. Pikat kryesore të kësaj platforme ishin: luftë të përbashkët kundër qendrave të shërbimeve sekrete armike që punonin kundër Shqipërisë, shkëmbimi i përhershëm i informatave, ndihmë për krijimin e agjenturës shqiptare në RFGJ, koordinimi i radiozbulimit, funksionimi dhe legalizimi i grupit operativ të Sigurimit shqiptar në Berlin, etj. Drejtimi kryesor i veprimtarisë së përbashkët do të ishte Republika Federale e Gjermanisë, përpunimi i grupeve të emigracionit politik shqiptar që ndodheshin aty.
Marrëveshja për bashkëpunim dhe teksti i protokollit të bisedimeve rreth saj u nënshkruan në Berlin në 12 nëntor 1955 nga ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë shqiptare, Kadri Hazbiu dhe nga zëvendësministri i Ministrisë së Sigurimit të Shtetit i qeverisë gjermano-lindore, Erich Mielke.
Shërbimi sekret shqiptar edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kishte informacione për veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar në RFGJ, të grumbulluar në afërsi të Mynihut. Agjentë të tij me pseudonimet “Besniku” dhe “Agroni” kishin depërtuar në radhët e këtij emigracioni dhe njoftonin Sigurimin. Ata informonin se në vitet 1950-1952 në Mynih, kishte mbi 230 shqiptarë antikomunistë, të cilët i vizitonin rregullisht krerët e emigracionit politik si Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Abas Ermenji, Vasil Andoni, etj. Ata stërviteshin e përgatiteshin për t’u dërguar në Shqipëri nga instruktorë amerikanë e britanikë në një vilë në Berhtesgaden. Për t’u folur për misionin e tyre për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, aty kishin shkuar edhe disa emra të tjerë të njohur antikomunistë shqiptarë në emigracion si Abas Kupi, Zef Pali, Seit Kryeziu, Gaqo Gogo, etj. Në vitin 1956, Sigurimi i Shtetit kishte harta me plan vendosjet e emigrantëve shqiptarë në Mynih.
Në komunikimin e brendshëm ndëragjenturor të Sigurimit të Shtetit shqiptar, STAS-i e kishte pseudonimin “Morava”. Të dyja shërbimet ndiqnin dinamikën e ndryshimeve e të lëvizjeve të grupit të emigrantëve shqiptarë. Në arkivin e Shërbimit sekret shqiptar ndodhen listat e vitit 1957, me emrat e shqiptarëve antikomunistë që ishin grupuar në kompaninë 4000, në adresën L.S.C. Keiserlauten post fahr 5, rreth 400 km larg Mynihut, por edhe të atyre që ishin larguar nga ajo e që kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1960 raportohej se radhët e emigrantëve politikë shqiptarë në Gjermani ishin përgjysmuar. Megjithatë, kjo nuk e uli vëmendjen e Stasit ndaj tyre.
Në tetor 1960, në rrugë diplomatike, regjimi gjermano-lindor kërkoi në Tiranë informacione për dy kategori njerëzish: për emigrantët politikë shqiptarë që pas vitit 1945 ishin larguar nga Shqipëria e që luanin një rol politik ose nxitës dhe për emrat e funksionarëve e të komandantëve nazistë që kishin vepruar në kohën e pushtimit, për të hetuar nëse ata punonin në Gjermaninë Perëndimore në poste drejtuese. Lista të tilla ekzistonin të plota në arkivin e Sigurimit të Shtetit, por nuk dihet nëse ato iu dërguan Stasit në fund të vitit 1960, kur kishte shpërthyer hapur çarja shqiptaro-sovjetike e që menjëherë do të reflektohej edhe në marrëdhëniet shqiptaro-gjermanolindore. Objekt i bashkëpunimit midis Stasit dhe Shërbimit sekret shqiptar ishte dhe krijimi rrjetit të agjentëve shqiptarë në RFGj për zbulimin e veprimtarisë së organizatës “GEHLEN” kundër Shqipërisë. Ajo, sipas informacioneve që shkëmbenin të dy shërbimet sekrete, ishte një organ zbulimi që në vitin 1956 kishte kaluar me vendim të Bundestagut në varësi të qeverisë federale gjermano-perëndimore. Gjithnjë sipas burimeve arkivore të Sigurimit shqiptar, “GEHLEN” kishte një zyrë të veçantë në Frankfurt mbi Main që merrej me Shqipërinë dhe që drejtohej nga Pohl Frederik me origjinë polake. Puna e kësaj zyre ishte që të rekrutonin nga radhët e emigracionit antikomunist shqiptar në Gjermaninë Perëndimore dhe në vende të tjera perëndimore agjentë për t’i dërguar në Shqipëri. Sipas Shërbimit sekret shqiptar, kanali më i mirë për t’ia arritur këtij qëllimi ishte ai i riatdhesimit të shqiptarëve. Strukturat e posaçme të Sigurimit të Shtetit që kontrollonin procesin e riatdhesimit porositeshin që të ishin tepër të vëmendshëm në këtë çështje.
Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme që mbulonte Sigurimin e Shtetit, në vijim edhe të njoftimeve të mëparshme, në qershor 1957 informoi ministrin e Stasit, Vollveber se zyra e posaçme gjermano-perëndimore që merrej me çështjen shqiptare vepronte edhe në Itali përmes Vehbi Frashërit, që kishte hapur një firmë tregtare, Xhafer Devës, Mentor Çokut, Nexhmedin Vrionit, etj.
Për të organizuar e udhëhequr nga afër punën zbuluese në adresë të kësaj zyre, në bashkëpunim edhe me dijeninë e Stasit, në ambasadën shqiptare në Berlin me petkun e diplomatit ishte ngritur një njësi operative e Sigurimit shqiptar. Kjo njësi, që përbëhej nga tre “diplomatë” nuk ishte risi shqiptare, por ka qenë e është edhe sot, një praktikë e njohur. Për shkak të volumit të madh të punës, Stasit iu kërkua që njësisë operative shqiptare në Berlin t’i shtoheshin edhe dy anëtarë të tjerë, por kjo kërkesë u refuzua. Shërbimi sekret shqiptar arriti që të ketë në Gjermaninë Perëndimore rrjetin e vet agjenturor, prej të cilit disa agjentë kishin pseudonime si “Boga”, “Mario”, “Studenti”, “Furxhiu”, etj. Madje, Sigurimi shqiptar i kërkoi Stasit që t’i rekrutonte edhe tri femra që punonin si kameriere në ambientet që frekuentoheshin nga kontingjentet e “Lindjes” dmth., nga emigrantët politikë të vendeve komuniste të Evropës Lindore, përfshirë edhe shqiptarë.
Agjentët e Sigurimit shqiptar në RFGJ kishin për detyrë të grumbullonin e të dërgonin informacione për gjendjen politike, ekonomike dhe ushtarake në vend. Duke qenë materiale konfidenciale, ato ishin në mjaft raste realiste e që shkonin në kundërshtim edhe me propagandën zyrtare komuniste shqiptare e gjermano-lindore. Në një nga këto informacione, shkruhej: “Populli gjerman në përgjithësi është i kënaqur deri sot me qeverinë që ka si në politikë, edhe në ekonomi, sepse thonë se kurrë populli gjerman nuk ka ruajtur më mirë dhe në demokraci të tillë si sot”. Shkëmbimi i informacionit për gjendjen në RFGJ e për lëvizjet e njerëzve të pakët prej saj në drejtim të Shqipërisë ngjallnin vëmendje të veçantë në STAS. Kur në Tiranë, në fillim të vitit 1958 erdhën dy përfaqësues të firmave tregtare gjermano-perëndimore, nga Berlini u kërkua menjëherë informacioni. Në mars, Kadri Hazbiu i dërgoi Erich Mielke-s një letër plot informata për aktivitetin, takimet e bisedimet e tregtarëve gjermano-perëndimorë në Shqipëri. Njësia operative e Shërbimit sekret shqiptar në Berlin kishte për detyrë të mbulonte edhe Austrinë për shkak se me këtë vend, Shqipëria ende nuk kishte vendosur marrëdhënie diplomatike. Edhe aty funksiononte një rrjet i vogël agjenturor me njerëz, pseudonimet e të cilëve ishin “Shkupi”, “Thana”, “Dragobia”, etj.
Po për të njëjtën arsye, të mungesës së marrëdhënieve diplomatike, por edhe të marrëdhënieve të acaruara shqiptaro-greke, Sigurimi shqiptar ka qenë vazhdimisht i fokusuar në problematikën greke. Edhe grupi operativ i Sigurimit shqiptar në Berlin e kishte përparësi punën zbuluese në Greqi. Kjo edhe për një arsye të veçantë. Në RFGJ gjatë viteve ’50-të, për shkak të luftës civile në Greqi (1946-1949) dhe papunësisë së madhe kishin ardhur disa qindra mijëra emigrantë grekë. Mes tyre kishte një numër jo të vogël njerëzish me bindje të majta, madje edhe komuniste, por edhe të rinj që studionin jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por edhe në atë Perëndimore.
Ky kontingjent i madh njerëzish u bë objekt parësor i punës së njësisë operative të Sigurimit shqiptar në Berlin. Prej tyre u rekrutuan një numër jo i vogël agjentësh me pseudonime shqiptare si “Mekaniku”, “Tregtari”, “Butrinti”, “Ylli”, “Ambulanti”, “Shpati” por edhe me pseudonime me emra grekë. Në planin e punës të grupit operativ të Berlinit në vitin 1958, detyrë e këtyre agjentëve ishte të punonin mes emigrantëve, sidomos atyre demokratë e të rinjve, të shkonin në Greqi e të grumbullonin informacione për dislokimin e forcave amerikane e të NATO-s, si dhe për gjithçka tjetër që lidhej me Shqipërinë.
“Diplomatët” e Sigurimit në Berlin si edhe kudo në vendet e tjera, kishin për mision të vëzhgonin nga afër e të kontrollonin studentët shqiptarë që studionin në universitete të ndryshme gjermano-lindore. Në planin e punës të grupit operativ të Berlinit në nëntor 1959, theksohej se ai do të ndiqte “me kujdes çështjen e sigurimit të studentëve… duke ngritur rezidenca për t’i mbrojtur ata nga penetrimi i armikut në radhët e tyre”.
BW/d.i.