Nga Roland Gjoza
Sindroma Kadare vazhdon. Shumë romane të Kadaresë me temën osmane janë alegori lakuriqe që të rrëqethin dhe sot. Aty është dekori osman, po nënkuptohet koha e diktaturës. “Pallati i Ëndrrave”, “Pashallëqet e mëdha”, “Qorrfermani”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, “Komisioni i festës”. Gjithmonë do të ketë një lloj diktature. Unë e ndiej qysh tani nga bosi im në punë brutalitetin dhe poshtërimin e diktaturës. Ky është vetëm një shembull. O bjerrakohës më diplomë, që s’e keni lexuar Kadarenë e flisni me hamendje, lexoni të paktën vetëm një roman të mrekullueshëm dhe të tmerrshëm që Kadareja e botoi në vitet më të egra të diktaturës, kur u vranë poetët e Librazhdit, Genc Leka e Vilson Blloshmi. Ky është “Pallati i Ëndrrave”. Ju prapë do të thoni se ai ishte shkrimtari i oborrit, shkrimtar që glorifikoi komunizmin. Vetëm e vetëm se Enveri nuk e vrau. Ju sot e donit të vrarë Kadarenë. Mirë thotë Hygoja, “në letërsi, mënyra më e mirë për të pasur të drejtë është të jesh i vdekur”. A e dini, të dashurit e mi të çoroditur, që Gëte ishte shefi i ceremonive në Vajmar dhe i servilosej princit despot? Asnjë nuk e çan kokën për këtë gjë.
Po faktin tjetër e dini, që Heminguej jetonte në Kubë në një kohë që Amerika ishte armike e Kastros? As që i bënte përshtypje njeriu. Po kjo tjetra nuk ju çudit, që poeti më i madh i Amerikës, Ezra Paund, ishte nazist dhe amerikanët e izoluan në një kafaz hekuri? Po kjo nuk i prishi asnjë punë poetit, që akademikët dhe lexuesit ta respektonin dhe ta adhuronin si më parë. Më falni që po zgjatem, po nuk mund të lë pa përmendur rastin e Dario Fo, komediografit të madh italian.
Ai po kthehej nga një mbledhje me punëtorët, se është komunist dhe i pëlqen roli i agjitatorit, kur dikush në rrugë i thotë: “Dario, sapo dëgjova në radio se ke marrë çmimin ‘Nobel’”. Kështu, pra, miqtë e mi seriozë dhe kaq të përkorë, bota s’e çaka kokën për këto punë. Dhe sindroma Kadare vazhdon… Por lufta nuk na u nda. Nxjerrin tym gazetat e Tiranës. Kush e kush të shajë më shumë. U harrua ajo kohë, koha e Kadaresë, sepse ajo nuk ishte koha e Enver Hoxhës, siç dëgjojmë shpesh. Kadareja qesh. Bjerini legenit, thotë me keqardhje për pipizanët dhe liliputët, shkrimtarët e dështuar që kanë marrë krahë e që botojnë nga pesëmbëdhjetë libra në vit, krijojnë klube me emra të huazuar, krijojnë shoqata shkrimtarësh të nderuar me emrat e tyre mjeranë dhe presin çmime pa fund. Ushqehen qyqarët me lugë të zbrazur.
Ç’lidhje mund të ketë Kadareja botëror me konkurset e bujshme të Manzës, Rrogozhinës, Belshit, Bilishtit, Cërrikut, ku dalin emra gjenish të rinj përditë, të cilët krahasohen me Soreskun, Eseninin, Kavafisin, si e si që të mbytet letërsia e mirë, shkrimtarët e vërtetë. Është bërë një mishmash, një çorbë derri, që s’e merr vesh i pari të dytin. Kjo tollovi të kujton ditën e parë të pasluftës. Gjithçka qëndron pezull, pa frymë.
Njëherë më thirri Ibrahim Uruçi, kryeredaktori i “Dritës”, dramaturg me emër në atë kohë, dhe më tha të shkoja t’i merrja një artikull Razi Brahimit. Ai ishte kritiku më i famshëm, më i frikshëm dhe më dogmatik i kohës. Në zyrë ndodhej Kadareja. Dukej i shqetësuar. “Shpejt, se do ta botojmë këtë numër. Është me shumë rëndësi”, – tha Uruçi. Ishte një shtëpi përdhese te konviktet e studentëve. E shoqja lante rroba në një govatë, ndërsa Raziu shkruante brenda.
Unë e prisja ulur mbi një gur. Pas gati një ore Raziu thirri nga brenda ”Hi”. E shoqja la rrobat menjëherë, fshiu duart në përparëse dhe më tha: “Mbaroi”. Pas pak Raziu doli vetë dhe më dha një tufë me letra të mbushura më shkrim dore. “Pjesën e dytë eja merre pas tri ditësh”, – shtoi ai ftohtë. Në zyrën e Ibrahimit priste Kadareja. U mbyll dera dhe unë dola në korridor. Në zyrat e “Dritës” ishin Frida Zeqo, Thanas Dino, Moikom Zeqo, Viktor Qurku, Fatos Kongoli dhe Vasil Melo.
Ata nuk e dinin ç’i priste. Unë vërtitesha më tepër në korridor. Ata dolën. Kadareja i thoshte Uruçit: “Kjo është një paçavure, ai nxin poezinë më të mirë të të rinjve”. “Shëëët! Është shkrim i porositur nga lart. Diçka po vjen rrotull”. “Fik deti etj.”. Ai shkrim ndoshta ishte paralajmëruesi i Plenumit famëkeq për letërsinë dhe artet. Le të kritikohej me tone të ashpra poezia moderne me metafora të guximshme e abstragim të thukët të Th.Dinos, V.Qurkut, M.Zeqos, F.Halitit, Xh.Spahiut, F.Rreshpes, të cilët, sipas autorit, kishin ndikime nga Sartri e Frojdi. Të përmendshin këta emra në atë kohë ishte tepër e rrezikshme.
Pas dy ditësh i çova Kadaresë në shtëpi një tufë më libra dhe gazeta. Nuk kisha qenë ndonjëherë në shtëpinë e Kadaresë. Derën ma hapi Elena. Nga brodueisët poshtë kisha dëgjuar se dyert me rimeso Kadareja i kishte vënë me “Dimrin”, oxhakun me “Kronikën” dhe kështu me radhë. “Këta janë gomerë”, -shpërtheu Kadareja. “Shiko, kanë fshirë portretin e Frojdit, Sartrit dhe Kamysë i kanë vënë një kryq të kuq. Injorantët”.
Ato ishin libra dhe gazeta të porositura, që vinin nëpërmjet Ndërmarrjes së Përhapjes së Librit për një grup të zgjedhur njerëzish nga fusha të ndryshme. Veçse ishte një rregull, para se të shpërndaheshin kalonin te zyra e kontrollit. Atje, personaliteteve më të mëdhenj të botës, që kritikoheshin nga partia, u prisnin kokën, u grisnin artikujt, një pjesë të madhe të librave e hidhnin në kosh. “E more pjesën e dytë?” – më pyeti Kadareja.
“Sot në mbrëmje do të shkoj”. “Do të ketë koka”. Nuk e harroj kurrë as atë ditë kur e gjora grua (Elena) mbante radhë për një racion mishi. Kur asaj i erdhi radha, nuk po i dilte zëri dhe shitësja, me lëkurën që i shkëlqente dhe ton autoritar, i thotë se çfarë halli kishte që nuk po fliste. “Nuk më del një racion mish. Ka mundësi… Kadareja po shkruan një roman të vështirë. Ka nevojë, më kuptoni?”. Shitësja thirri: ”Merre dhe një racion për Kadarenë nga ana ime”. Asnjë nuk foli. Shitësit kishin rëndësinë e sekretarit të parë. Ajo nuk e bëri se ia dinte vërtet vlerën Kadaresë, po që të tregonte se ishte mbi Kadarenë.
Ç’hoqi Kadareja i shkretë nga racioni. Kinezëritë që përshkruante ai në romane u panë si kinezëritë shqiptare. Thanas Leci, drejtori i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” ia nxiu jetën. Relacion pa fund në Komitetin Qendror, akuza, kërkesa për ndëshkim e kërcënime. Anëtari i Komitetit Qendror, Anastas Kondo, që mbulonte letërsinë, e konsideronte romanin krejt të pabotueshëm, madje armiqësor. Dorëshkrimi i romanit u mbyll në sirtarin ë drejtorit, ku fjeti për pesë vjet. Ah, ky racioni! Po Kadareja kishte fat, dilte jashtë herë pas here, shtrohej në restorantet aristokratike të Parisit, ku pinte nga ajo vera e kohës së Mari Antuanetës, 1000 dollarë një shishe. “Ah, ta lumsha Kadare, ti je vërtet me fat”. Këto i thoshim ne brodueisët, të kënaqur që Kadareja shkullonte verë të kuqe Burgonje, nga ajo më e mira, me shkrimtarë dhe kineastë të shquar francezë.
Në atë kohë ne e ngrysnim me çaj dhe një thërrime djathë. Ushqimi ishte shndërruar në mit. Tufëzimi kishte bërë që kakarisja e një pule të dukej më e bukur se melodia e filmit “Love story” ose se këngët e Vaçe Zelës. Pastaj erdhi ikja e Kadaresë. Sikur humbëm shpirtin.
Një pjesë e artistëve u lehtësuan. Të gjorët, kujtonin se vendet në letërsi ishin si karriget në kinema, që edhe mund t’i zësh, se s’të thotë gjë njeri. “Iku për të marrë Nobelin, dezertori, e morët vesh?” -tha jashtëqitja e kombit për emigrantët. Të gjitha shpifje. Të gjitha të këqijat vinin nga Kadareja. Ai ishte armiku. Ta harrojmë Kadarenë.
Arsyet e ikjes Kadareja i shpjegon në librat e tij. Ne brodueisët e brezit të tretë mendonim se Kadareja i hapi ambasadat, shpejtoi pluralizmin, ia nxori mirë bojën komunizmit. Ikja e tij ishte sfida, “me ju s’jetohet”. Ç’fat i madh! E bëri para nesh, brodueistëve. Të lumtë Kadare. Një ditë, një mik më tha: “Vetëm dy gjëra mund të eksportojë Shqipëria: bashkëjetesën fetare dhe Kadarenë. (Botuar më 2008)