Ismail Kadare, feston sot 80 vjetorin e lindjes.
DITA ka botuar sot dy analiza mbi veprën e shkrimtarit tonë të përkthyer në 45 gjuhë.
Ndërkohë në një intervistë televizive Kadare ka folur për jetën e tij në Gjirokastër dhe marrëdhënien me diktatorin Enver Hoxha.
Ai thotë se familja Hoxha ishte e re në qytet dhe familjet e vjetra i shpërfillnin të ardhurit.
Ai thotë gjithashtu se e ka patur bezdi kur ia përmendnin një lidhje krushqie të largët me Enver Hoxhën.
Bezdi ndjente edhe kur i thoshin se ishte nga një qytet me Enverin sepse kjo presupozonte se ai duhej të përgjigjej me një lëvdatë për të.
Por Kadare thotë se e shmangte lëvdatën.
“Nuk dua të krenohem tani por e kam shmangur në mënyrën më të vendosur që mund të jetë. Thjesht kam pranuar: Po jam nga një qytet”, thotë shkrimtari në intervistë.
Më herët shkrimtari duke folur për Enver Hoxhën ka thënë që ai kishte frikë nga fama e Kadaresë në perëndim.
“Vepra ime u botua në Francë dhe kjo shkaktoi një farë shqetësimi te regjimi. Enver Hoxha si duket u tremb nga fama ime dhe nuk e përballonte dot një pëlqim të madh të Evropës borgjeze. Shteti bënte sikur s’kuptonte, askush në Shqipëri nuk fliste për sukseset jashtë megjithëse të gjithë e dinin”. Dita









