Nga Jakin Marena
Po ndodh një fenomen i habitshëm në Shqipëri, sa është tepër e vështirë të shpjegohet me pak fjalë nga një njeri normal. Jo më që të kapërdihet, sado ta shtysh me ‘ëmbëlsira’ të çfarëdo lloji qofshin.
Bëhet fjalë për raportet e politikanëve shqiptarë me drejtësinë e re, me SPAK dhe me Gjykatën e Posaçme, apo më saktë, me ata politikanë dhe zyrtarë që janë akuzuar për korrupsion.
Nga njëra anë kemi Sali Berishën, kreun aktual të “Foltores” me të cilin për 32 vite me radhë sa kishte pushtet si President, kryeministër dhe kryetar PD-je ranë në hall me të një popull i tërë.
Por me Berishën ka rënë në hall dhe drejtësia e re, e cila, paçka se më në fund e bëri ‘kabull’ dhe guxoi të hapte dosjet e rënda të korrupsionit në ngarkim të tij, duke i dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitje dy herë në muaj në Gjykatë, nën akuzën e korrupsionit pasiv në shërbim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, që është në arrest shtëpie për pastrim parash, nuk po e çon deri në fund procedurën sipas ligjit. Po heziton në mënyrë të habitshme.
Nuk është një dosje e vogël kjo, megjithëse në raport me bëmat e Berishës mund të quhet vetëm maja e “ajzbergut’ në top-listën e dosjeve të rënda nën hetim në ngarkim të tij. Bëhet fjalë për tjetërsimin dhe privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, për të cilin Berisha në atë kohë kryeministër ndryshoi ligje e vendime të Këshillit Ministrave derisa ia serviri në ‘pjatë’ të gatshme dhëndrit këtë pronë.
Ishin vetëm 113 metra katrorë truall bëhej fjalë, në mes të Tiranës, por që gjeneroi plot 19 kulla në një kompleks të strukturuar pallatesh, dhe me xhami e palastër brenda, si dhe 5.4 milionë euro fitim neto për Malltezin. Pa futur asnjë lek si investim. E tha ortaku i tij Bektashi, që dëshmoi se s’ka investuar Jamarbri, ndërsa kompaninë e ka menaxhuar po Jamarbri.
Dhe me gjithë këto akuza, shtuar dhe ato të vrasjeve të 21 janarit 2011 pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që e ktheu për rihetim dhe rigjykim çështjen, aferën CEZ-DIA dhe tragjedinë e Gërdecit, pra me gjithë këto akuza për të cilat duhej të ishte nën arrest, shtëpie apo qelie, Berisha ka ‘lëshuar brezin’ dhe lëviz i lirë në tërë territorin e Shqipërisë, pa asnjë pengesë, duke akuzuar.
Fillon që në mëngjes dhe e mbyll në mesnatë duke marrë nëpër gojë tërë dynjanë, në përpjekje për të mbrojtur dhëndrin, vajzën, djalin, veten si dhe pasuritë e pamata si ‘shtresë e mesme’ që janë, duke mos kursyer akuzat jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, bllokuar punimet në Kuvend dhe djegur karriget, por sulmon dhe drejtësinë e re. E quan SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme, një bandë dhe një organizatë kriminale.
Për më tepër që s’pyet për vendim gjykate, që e detyron për t’u paraqitur dy herë në muaj pranë saj, dhe pikërisht në kohën kur duhej të ishte para oficerit gjyqësor, Berisha i vë flakën Kuvendit, përmes kamikazëve të tij, duke akuzuar live nga Kuvendi, publikisht nga adresa e tij në facebook që përcillet pa korrekturë nga shumë ekrane shqiptare, pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët që kanë nën hetim dhe gjykim dosjet e tij të korrupsionit.
Ndërkohë që ka tejkaluar të gjitha afatet, konform ligjit dhe Kushtetutës, marrja e një vendimi nga Gjykata për një tjetër masë sigurie, si ta shohë vetë, brenda ligjit.
Pra nga njëra anë kemi Berishën që bën si ‘kaçak’ dhe sfidon drejtësinë e re, duke akuzuar madje se është e kapur dhe komandohet nga Edi Rama, nga ana tjetër kemi faktin se po kjo drejtësi që ‘komandohet nga Rama” ka bërë namin në radhët e përfaqësuesve të PS, duke burgosur dhe dënuar një ish ministër të Brendshëm, një ish mininistër Mjedisi, një ish deputet, disa ish kryetarë bashkish, me akuza shumë herë më të lehta se të Berishës. Ndërkohë që ish ministri i Shëndetësisë paraqitet sipas vendimit për masën e sigurisë dy herë në muaj në Gjykatë. Ndërsa është nën hetim dhe ish zv.kryeministri, i cili është larguar jashtë vendit.
Pra përfaqësuesit e mazhorancës socialiste të akuzuar dhe nën hetim, ndonëse kanë shprehur rezerva për këto akuza, kanë respektuar të gjitha detyrimet ligjore dhe kanë zgjedhur të mbrohen nga akuzat me argumentet dhe faktet që disponojnë, pikërisht në organet e drejtësisë. Pa i bërë asnjë shmangie detyrimit ligjor dhe respektimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Ndaj themi se kemi një raport të përmbysur të qëndrimeve ndaj drejtësisë së re. Kemi Berishën që ka një mal me akuza në kurriz, deri dhe për korrupsion të përgjakshëm dhe me humbje jete, që ka pasuruar familjen dhe ortakët e tij, i cili nuk njeh asnjë vendim gjykate dhe hetim nga SPAK, madje i akuzon emër për emër dhe në tërësi si organizatë kriminale, duke akuzuar madje Ramën se i ka kapur dhe i urdhëron prokuroreët dhe gjyqtarët për të futur liderin e Foltores në qeli.
Nga ana tjetër kemi përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët respektojnë të gjitha detyrimet ligjore të vendosura nga drejtësia e re. Kemi dhe Ramën, i cili sipas ‘kutit’ të Berishës urdhëron prokurorët dhe gjyqtarët specialë, por ama nuk po i ‘urdhëron’ që të mos merren me ish bashkëpunëtorët e tij. Ndaj themi se janë një nonsens akuzat e Berishës. Fundja si gjithçka që del nga goja e tij.
Por për hir të së vërtetës ajo që po na befason më shumë se Berisha është heshtja apo ngurrimi i SPAK dhe i Gjykatës së Posaçme për të kryer deri në një detyrën për të cilën janë ngarkuar dhe paguhen fort, respektimin e ligjit edhe në raport me Sali Berishën e akuzat ndaj tij.
Pavarësisht se Berisha i ka kaluar të gjitha limitet ligjore me refuzimin e tij, njëherë duke mos marrë në dorëzim njoftimin për masën e sigurisë detyrim paraqitje për korrupsion pasiv, dhe më pas për mosparaqitjen e tij asnjëherë para gjykatës sipas këtij vendimi, por njëherësh dhe akuzon prokurorët e gjyqtarët e posaçëm si pjesë e një organizate kriminale, drejtësia e re ende nuk ka dalë me një vendim se çfarë do të bëhet me liderin e “Foltores”. Si do operohet më tej.
Ka ardhur koha që SPAK dhe Gjykata e Posaçme të vendosin, ose ta çojnë në arrest shtëpiak, ose ta çojnë në qeli ose ta lirojnë nga të gjitha akuzat dhe të mos i lodhin më shqiptarët të cilët kanë mbetur me sytë nga drejtësia e re, se kur do të arrestohet Berisha. Vetëm atëherë ata e quajnë të bërë drejtësinë e re, vetëm atëherë do ia bëjnë hallall mbështetjen financiare nga arka e shtetit por dhe mbështetjen e gjithanshme nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Me Berishën përballë drejtësisë sipas rregullave, me një vendim në fund të herës të formës së prerë, sido që të jetë ai, do të marrë fund për shqiptarët pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë. Ndryshe askush nuk i jep kuptim kësaj drejtësie, pa Berishën të pandehur përballë drejtësisë. Për të marrë çfarëdo vendimi që i takon.
Shpresojmë që ngurrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm të marrë fund në raport me zbatimin e ligjit ndaj Berishës, familjarëve dhe ortakëve të tij. Eshtë zgjatur pak si tepër.
Sepse i plotësojnë dëshirën dhe vetë Berishës kështu, duke e nisur atë të ‘bekuar’ kërkesë në Kuvend për të lejuar drejtësinë të hetojë dhe madje ta arrestojë, se forcërisht nuk besojmë se do ta marrin për t’a paraqitur para gjykatës. Berisha këtë kërkesë do, SPAK t’ia plotësojë dëshirën.
I garantojmë prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm se Berisha nuk ka çfarë i akuzon më tepër, pasi çfarë përmban fjalori fyes dhe kërcënues, e ka artikuluar deri më tani. Çka ka sjellë dhe dyfishimin e truprojave për ruajtjen e prokurorëve e gjyqtarëve që merren me të. Ndërkohë që ndonjë problem destabiliteti në vend nuk sjell Berisha. Përpos disa deputetëve në hall për një mandat të ri deputeti apo dhe për halle të tjera që e ndjekin në ‘piromaninë’ e tij në Kuvend, duke hyrë nga kangjellat apo nga dritarja e kryesisë së Kuvendit, pavarësisht se këta deputetë janë përjashtuar nga seancat, Berishën nuk e ndjek askush.
Ka përmbi një muaj që ka filluar ‘aksionin’ e tij për hallin personal dhe të familjes dhe aspak në funksion të opozitës apo siç pretendon dhe mbrojtjes së Kushtetutës, dhe me gjithë thirrjet e tij në drejtim të demokratëve e qytetarëve për ta mbështetur, askush nuk ka ardhur në Tiranë për Berishën. Duke e shpallur dhe ata ‘non grata’ në politikë, sikurse e kanë shpallur SHBA dhe Britania, dhe e trajtojnë si të tillë vendet e BE dhe të rajonit. Nuk e lëviz njeri ‘këmbën’ për Berishën, ndaj vërtitet sa në krye të Kuvendit tek selia seancave parlamentare për të bërë sherre me kolegët deputetë të mazhorancës, thyer karriget dhe qëlluar gardistët.
Eshtë bërë si ata kalamajtë e vegjël, që në pamundësi për të luajtur, futen në mes të fushës dhe qëndrojnë për të bllokuar lojën, deri dhe për të shkulur portat siç bënim ne të vegjël dikur me më të mëdhenjte apo ata pas nesh me ne që ishim më të rritur. Pa shpresë ‘bllokimi loje’ por dhe me dëshirën që t’i kapë ndonjë top, për t’u ankuar më pas tek familjarët dhe justifikuar tamam atë që kanë bërë por dhe të qarët. Kështu bën dhe Berisha, pavarësisht se asnjë pengesë nuk i ka sjellë mazhorancës socialiste, e cila i ka miratuar çfarë ka pasur në kalendar. Dhe mes tymit e zhurmës.
Themi që SPAK duhet të mos heshtë dhe për faktin se, nuk i prish asnjë punë ‘Foltores’ sikurse është katandisur. Ndërkohë që dhe Berisha vetë është ‘përgatitur’ për këtë vendim të drejtësisë së re, që mund ta mbyllë ose në shtëpi ose në qeli. Ka zgjedhur pasardhësen në krye të Foltores, as më pak e as më shumë por vajzën e tij Argita Malltezi Berisha. Njeriu më i sigurtë për të për të mbajtur ‘pronësinë’ mbi demokratët e mbledhur në këtë grupim. E ka deleguar pra dhe drejtimin e Foltores te vajza e tij, dhe ajo ‘non grata’. Është gati. Siç përgatiten ata që e dinë dënimin, që vishen trashë, marrin ndonjë batanije me vete, ndonjë koli duhan kush e pi. Pa harruar ilaçet.
jakin more jakin shum muohesh gje uk i