Një kabllogram rezervë i Departamentit të Shtetit Amerikan ka nxjerrë zbuluar atë që po cilësohet si “gënjeshtra e madhe” e Izraelit ndaj popullit iranian, duke i vënë një njollë hipokrizie thirrjeve të përsëritura të kryeministrit Benjamin Netanyahu për kryengritje kundër regjimit të ajatollahëve.
Sipas një investigimi ekskluziv të publikuar nga Washington Post, zyrtarë të lartë izraelitë janë plotësisht të vetëdijshëm se çdo revoltë popullore në Teheran do të përfundonte në një masakër të përgjakshme, pavarësisht retorikës publike që inkurajon qytetarët të marrin fatin në duart e tyre.
Dokumenti i datës 13 mars, i cili përmbledh takimet e diplomatëve amerikanë me krerët e sigurisë dhe mbrojtjes në Izrael, dëshmon se vetë inteligjenca izraelite pranon se Garda Revolucionare do të “asgjësonte” protestuesit nëse ata do të zbritnin në sheshe, pasi regjimi nuk tregon asnjë shenjë shpërbërjeje dhe është i vendosur të luftojë deri në fund, edhe pas vrasjes së Liderit Suprem Ali Khamenei më 28 shkurt.
Kjo prapaskenë diplomatike i bën deklaratat e fundit të Netanyahut të duken jo vetëm boshe, por edhe tejet rrezikshme, ndërkohë që edhe vetë Presidenti Trump ka filluar të tërhiqet nga qëndrimet e tij fillestare, duke pranuar në një intervistë për Fox News se nuk ekzistojnë kushtet për një revolucion pa një gjakderdhje.
Koha e rrjedhjes së këtij kabllogrami duket se është një mesazh i qartë nga brenda administratës amerikane, e cila shfaqet gjithnjë e më e irrituar nga lëvizjet e njëanshme të Izraelit, siç ishte bombardimi i depove të naftës në Teheran apo eliminimi i figurave që shiheshin si ura lidhëse për negociata. Situata është tensionuar edhe më shumë pas dorëheqjes së Joe Kent, drejtorit të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, i cili akuzoi hapur administratën se po sulmon Iranin nën presionin e vazhdueshëm të lobit izraelit.
Për popullin iranian, i cili tashmë përballet me zhgënjimin e premtimeve të pambajtura të janarit, ky dokument përbën një goditje të rëndë morale. Ekspertët e Lindjes së Mesme theksojnë se megjithëse iranianët nuk i kanë besuar kurrë plotësisht sinqeritetit të mbështetjes nga SHBA-të dhe Izraeli, zbulimi i këtij kabllogrami e kthen mosbesimin në një ndjenjë të thellë tradhtie.
Ndërsa udhëheqësit perëndimorë vazhdojnë lojën e tyre gjeopolitike, realiteti në terren mbetet ai i një regjimi që, pavarësisht humbjeve në kupolë, ruan kontrollin e hekurt mbi popullsinë, duke e bërë çdo thirrje për revoltë të jashtme një ftesë drejt një tragjedie të paralajmëruar.
https://www.washingtonpost.com/national-security/2026/03/17/israel-iran-cable-revolt-slaughtered/











