Nga Visar Zhiti
Rikthimi i Pjetër Arbnorit në vendin ku punoi, në Parlament si Kryetar i tij, pas burgut të gjatë, tashmë në bronz, statujë, gjithsesi na e (ri)kujton atë se sa njeri ishte, e kundërta e bronzit, na vjen të flasim, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshtar i pa epur i së keqes.
E krahësojnë me Mandelën, e ka patur më të vështirë se ai. Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qendrimet, e lironin nga burgu. Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla. Haveli kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, të burgosurit shqiptarë e kishin të ndaluar, duhej të shkruanin fshehurazi në qeli apo kampeve në miniera të tmerrshme, etj, etj.
Pjetër Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shembëlltyrë. Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në postdiktaturë, në tranzicion, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për demokraci duke u bërë dhe lider i urtë. Ashtu mbeti, por shkaktonte dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita. I ngadaltë, po i sigurtë. I dijshëm, pa shumë fjalë. Dha më shumë se ç’mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Donin të harrohej, befas kur s’pritej, u kthye i statujtë. Që edhe ajo po përflitet. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë.
Na ka lënë disa libra për të cilat një studiues arbëresh në Itali, Giuseppe Gradilone, shkruan se Arbnorin e çoi tek letërsia robëria, burgu.
Qendresa e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë se sa Arbnorin, kuptojmë kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si. Mes shpresave dhe mashtrimeve.
Ai, besoj, është pjesë e historisë së tanishme, por më shumë se sa në histori, është ende mes atyre që e njohën dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, që i përballi urtësisht dhe bëri që të bashkohen simbolikisht përballë statujës së tij tani.
Si njëri nga ata që e njohën dhe punoi me të, edhe unë do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin dëshpërimi i tij fundmë dhe zhgënjimet.
Së pari emrin “Pjetër Arbnori” e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari Sherif Merdani… atje në Burrel është dhe ai… di shumë, i urtë… Emri i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe romaneve të tij u vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime. Me emër tjetër ai ishte regjistruar dhe në universitet, sepse nuk i lejoheshin studimet e larta për shkak të biografisë. ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj dhe atë e dënuam me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestine, demokratike. Pushkatimin ia kthyen në burgim të përjetshëm..
Tjetër emri, tjetër partia, tjetër shkrimet… Të tijat ishin qëndresa në një jetë pa jetë, guximi i të qenit sa më njeri dhe në ferr, dinjiteti i natyrshëm.
Bëri 29 vjet burg, më shumë se sa e gjithë mosha e shkrimtarit tronditës, bashkëqytetar i tij, Migjeni.
Po risjell këtu një rrëfim shumë domethënës për të në burg, e nxora nga burgologjia ime “Rrugët e ferrit”:
DUHANI I PJETRIT…
Burrë i ditur në Burrel (në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka vlera.
Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap atë 1 kg duhan që më ka ardhur nga shtëpia, u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet.
Vërtet ç’ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur gurgullonte nga ajo copë nate përtej.
U përzgjodh juria (me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure, shpirti… ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. Po ky e ka poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myzesë. Jo, jo, është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij kështu. Urime, Luan! E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg!
Asnjë gazetë nuk do të shkruajë, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni…
2.
Më pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na ndodhnin gjëra që as guxonim t’i ëndërronim.
Ja, Pjetër Arbnori do të vendosej si kryeparlamentar pikërisht në zyrën e diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH-së e shndrruar tashmë në Kryesi të Kuvendit.
Në burgologjinë time të dytë “Ferri i çarë”, e rrëfej këtë, përjetim imi:
PJETRI NË ZYRËN E ENVERIT
Kur hyra për herë të pa rë në zyrën e Diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror, pata ankth dhe një frikë të tjetërllojtë, të mistershme. Kujtova se do të kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshme.
Në poltronën e tij qe ulur Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit, Pjetër Arbnori, mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…
“Pse, nuk u pushkatua ki? – pyeti fantazma e Enver Hoxhës. – Apo u kthie këtu pas vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jetë, na paska dashur të themelojë parti tjetër, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunëtorë.”
– Dua të punojmë bashkë, – më tha Pjetër Arbnori, – merru me bibliotekën dhe shtypin këtu. Pranon?
– A nuk është e tmerrshme?… – e në vend të thosha “zoti”, desh mërmërita: – Shën Pjetër.
Pashë në tryezën e tij telefonat. M’u dukën si mjete torture.
– Nuk di t’i përdor, – më tha, – sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S’dihej a u telefononte dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë.
Ndërsa po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, “ngaqë ka mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, – mendova, – dhe vazhdimisht ka ecur me shapka burgu.”
– Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt, – dhe më shtrëngoi duart.
Kur u mbyllën dyert, m’u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të shpërthente gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij, o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.
3.
PARA SE TA BËNIN STATUJË DHE MË PAS
Nga të qenit simbol i vuajtjes dhe i qendresës në diktaturë dhe deri sa u bë statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit – njeri. Meqënëse ai i mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë “demokraturë”, me të gjitha kuptimet që i japin asaj në media.
Kam ndjesinë se, në fund të fundit, më shumë janë dashur simboli dhe statuja e tij se sa vetë Pjetri. Dukuri kjo dhe e kohëve të tjera, por dhe e vendeve të tjerë, besoj, por jo kaq e rëndomtësuar deri në mosmirënjohje sa tani në vendin tonë.
Besoj se njerëz si Pjetri pak a shumë e kapnin këtë, e kuptonin që edhe po përdoreshin dhe mundoheshin të bënin moralisht më të mirën e mundshme brenda këtij kushti.
E njoha dhe unë Pjetër Arbnorin, madje punova me të në parlament e më vonë takoheshim e bisedonim. Do të desha të kujtoj ndonjë gjë në nderim të tij, janë grimca, i bindur që të tjerë më afër tij kanë më shumë e rrëfime më të rëndësishme.
Arbnorin unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur qeshte.
Shef i shkëlqyer, thoshim. I palodhur. I drejtë. Si kryeparlamentari i parë në demokraci, në ngrehinën e Kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty ishte Komitetit Qendror i PPSH-së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacione apo grupe jashtë shtetit, kujdesej vetë që t’u vinte radha të gjithëve dhe atyre që kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë me Enverin.
Arbnori u përball me sulme si kryeparlamentar, jo vetëm të kundërshtarit politik, por dhe të të vetëve. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Unë dola në media në mbrojtje të Pjetrit, më shumë si bashkëvuajtës i tij. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi. Drejtpeshues dinjitoz i çështjeve. Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e diktatorit, Nexhmie Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në Bllok dhe jo të shpërdorimit të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutimit gjeneral.
Kushtet e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje luksoze, po të krahësosheshin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve shqiptarë të regjimit të asaj.
Pjetri takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza, kur vinte në Tiranë, po e kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur si Pitkini.
Ndihej përkujdesi në veshjen e tij. Parapëlqente ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët e bardha. Ishte bashkëshort i mirë, gjithë kujdes dhe baba i dy fëmijëve të bukur. Mbanin emrat e prindërve të tij. I pëlqente të fliste për ta. I shkoja shpesh në zyrë dhe i kërkoja takime, i kërkonin ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për fëmijët e ish të persekutuarve, donte të futej në punë një tjetër, ish i burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, thoshte Pjetri, mjafton të futesh në punë.
Kujtoj poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuajtës yni, që më tha t’i thosha Pjetrit se po i konfiskonin shtypshkronjën, nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendumin për Kushtetutën e re dhe kundër Presidentit Berisha.
Arbnori dha porosi me shkrim që të mos cënohej Frederik Rreshpja me zell politik dhe jo më shumë se ç’e përmbante ligji.
Në zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe botuesin Shefki Hysa.
Me Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë, te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopteri zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë…
Arbnori erdhi dhe vetë në Lushnjë për të parë në teatër një pjesë të tim eti, “Përqafime i dy kundërshtarëve”, rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli. Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor, tha.
Ne takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai, si Kryeparlamentar, ishte katolik, Kryeministri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplotë për ne, shtonte. I rëndonte koka si e.Çurçillit.
E kisha parë dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh parlamentarësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm me të. Dolën këshilltarë e bashkëpunëtorë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë në sy se ndodhesha mes grekërve. Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti bindshëm situatën e rënduar në Jug dhe premtoi zgjidhjen.
Kisha qenë me Arbnorin-kryetar Parlamendi në vizitat zyrtare në Maqedoni e Rumani. Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori ishte perfekt.
Gjeja rast dhe i thosha të mos harronte Ditarin e Burgut, duhej botuar patjetër, jo vetëm romanet dhe novelet dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa… Eh, më thosh, nuk kam kohë tani, kur të dal në pension. Po jepua të tjerëve, ta daktilografojnë të paktën. Eshtë me një alfabet që e kisha shpikur vetë, më shpjegonte, për të mos ma kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë.
Kur përgatiti për botim novelën lirike “Bukuroshja dhe hija”, i thashë se është e çuditëshme historia se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e bardhë anëve të gazetave. E kishin dënuar nga që kishte lënë shtrembër shapkat e veta në fund të shtratit.
Megjithëse i ngarkuar me shumë punë, e shkruajti natën hyrjen që ia kërkova. Ja, tha. Poeti Teodor Keko bëri një kritikë shumë të bukur për librin, goditur pikërisht prej saj.
Nen kujdesin e shkrimtarit Novruz Shehu, dolën të gjitha letrat e burgut të Arbnorit në vëllimin e madh “E dashtun Nanë”.
Më pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë. Kishte dhurata për të gjithë personelin e Ambasadës. Djalit tim të vogël i dha një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë. Mbajti një ligjëratë në Universitetin “La Sapienza” në Romë.
Dhe në New York, më kanë treguar kolegë, që i tillë ishte shfaqur, modest, po kështu dhe në Washington.
Mbas vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratike dhe Arbnori ranë në opozitë, pritej nga adhuruesit e tij që ai me konsensus të ishte Presidenti i Republikës. Por nuk e dimë se sa mbështetje pati nga të dy kahët. Simboli i tij po zbehej.
Pjetri dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të vështirë urie, i mësuar me to nga dikur.
Ndërkaq dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e tij mbeteshin të pandryshuar, po ata që kishte patur në burg e pasburgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe një ai trishtimi siperan.
Kur rierdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë Selisë së Shenjte në Vatikan. E priste me shumë dëshirë, por nuk më kanë thënë gjë, më tha urtësisht një pasdite.
Ndërkaq unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u përkujdes, shkoi te Ipshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistua në shkollën katolike “Ylber” në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zori miqësi me ta.
Takoheshim përzemërsisht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe harrosa po marrshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misoni i Arbnorit?
Iku vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s’pritej, befas vdes në spital.
E shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër.
Ndërkaq Piramidës së diktatorit Hoxha, të shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore, i vunë emrin “Pjetër Arbnori”, të atij që i kishte marrë zyrën së pari Enverit.
Por Piramida, nëse do të prishej siç diskutohej, do të humbte dhe emrin e ri. Por ai emër u spostua dhe pa u prishur Piramida.
Kur punoja në Ministrinë e Kulturës si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija kishte realizuar një portret të Arbnorit dhe se është në nderin e të gjithëve që ajo skulpturë të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër.
Më bëri përshtypje një si këmbëngulje e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur harrese. Dhe nisa interesimin tim më lart. E dija forcën tronditëse të atij skulptori, e kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit. Kërkova vendin ku mund të vendosej. Po nuk është realizuar mirë busti, mora përgjigje. Dhe ca më lart më thanë për ta lënë për më vonë.
Ç’kanë ata me anën artistike te veprës, u nxeh me të drejtë Çapaliku, detyra e tyre është të caktojn:e vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë?
Ndieja një si bosh brenda vetes. Një si braktisje dhe ankthin e ftohtë që vjen pas saj. Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi? Mbasi priti nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës ku ai punoi si Kryeparlamentar.
Dhe e sollën kundërshtarët e tij. U mbodhën në përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por Kryeparlamentari aktual Ruçi, Presidenti i Republikës Meta, nga pozita dhe nga opozita, Basha. Dhe Zonja Topalli, ish Kryeparlamentarja tjetër demokrate, e para grua. Dhe Berisha – themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeministër i saj, lideri historik. Me të cilin Arbnori bashkëpunoi me përkushtim e besnikëri.
Më dukej sikur nga çasti në çast Pjetri do të shpërndante cigare të dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.
Ai urtësisht gjithsesi sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme. Busti i tij mbart qortim për të gjithë në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku s’është më Pjetri, por simboli i tij.
Unë po flas se më thërret dhëmbja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi sublim të një të burgosurit të madh. Edhe nëse nuk e pikasëm te origjinali. Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pa shkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.
Po më e rëndësishme tani është rikthimi. Duke u sjellë prej kundërshtarëve, unë e shoh si një përpjekje për t’u pajtuar bashkarisht me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e paguxuar dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer. Ngjan si i një porosie biblike, që “armiqtë t’i bëjmë vëllezër” dhe Pjetër Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një statuje.