Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia duke denoncuar akuzat që i janë bërë lidhur me korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit.
Ai u shpreh se ndryshe nga të paraburgosurit e tjerë, për të nuk ka pasur asnjë miratim për takime, duke theksuar se nuk janë miratuar as kërkesat e drejtuesve fetarë të kulteve, që prej ditësh kanë kërkuar takime me kryebashkiakun.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se ndodhet në një situatë të padrejtë dhe se vazhdon të luftojë për të vërtetën, ndërsa akuzon se po përballet me një kurth politik që daton që nga viti 1991.
Ai thekson se ka provuar me fakte se akuzat lidhur me bizneset e tij janë të pabaza dhe të motivuara nga interesa të ulëta. Veliaj sqaron se ai dhe familja e tij banojnë në apartamentin e tij në Kodrën e Diellit para se të bëhej ministër e kryebashkiak dhe se është i lidhur me projektet e Tiranës që kanë përfshirë punën me disa kryetarë bashkie të mëparshëm.
Një nga akuzat e tij të fundit lidhet me udhëtimin në Roterdam në 2016, për të cilin thotë se ka qenë me ftesë nga OMA (Office of Metropolitan Architecture) dhe se udhëtimi ka qenë për punë, me shpenzime të mbuluara nga organizata të huaja. Ai thekson se gruaja e tij nuk ka qenë në këtë udhëtim dhe akuzat që lidhen me të janë të pabaza.
Postimi:
Erion Veliaj: Përshëndetje me mall të gjithëve,
Eshtë ora 06:30 e mëngjesit dhe nuk jam zgjuar, si gjithmonë, për të ndjekur herët punët e Tiranës, por për kontrollin e mëngjesit nga gardianët e sjellshëm, të cilët njoftojnë, në çdo birucë, të paraburgosurit për takimet e ditës. Por, si çdo ditë, mua më thonë se nuk ka ardhur asnjë miratim nga Ols Dado, madje nuk janë miratuar as kërkesat e drejtuesve fetarë të kulteve, që prej ditësh kërkojnë takime me mua.
Nuk kam fjalë! Zot, fali ata, se nuk dinë ç’bëjnë!
Por, me Zotin para, nuk do rresht asnjë ditë pa çmontuar çdo sajesë në këtë kurth banal, të paparë që nga viti 1991!
Me këto postime kam provuar me fakte se çdo akuzë në lidhje me bizneset, të cilat gjithashtu po shantazhohen e persekutohen nga ndërtuesi i pangopur, është e ulët, e pavërtetë dhe e ligë!
Sqarova se banoj tek apartamenti ynë te Kodra e Diellit PËRPARA se të bëhesha ministër e kryebashkiak; provova se Fusha ka punuar në Tiranë për pastrimin e Sheshin me të paktën 3 kryetarë bashkie dhe NUK E KRIJOVA unë; vërtetova se Palushin as e kam njohur, as nuk e kam takuar, meqë paska marrë online një leje shtëpie në katund; dhe tani po sqaroj edhe sajesën e fundit, se më paska çuar në Roterdam në 2016, bashkë me gruan, zhvilluesi Fatmir Bektashi.
1. Në Roterdam kam shkuar me ftesë dhe shpenzime të mbuluara (shih foton e dokumentit origjinal të kohës në foto-album) nga OMA – Office of Metropolitan Architecture – shtëpia më e madhe e Arkitekturës, e themeluar nga Rem Koolhaas dhe Reinier de Graaf. Nga kjo shtëpi kanë dalë edhe arkitektët Winy Maas i Piramidës, që e duam të gjithë, edhe Bjarke Ingels i Teatrit, që do e duan të gjithë. Kam shkuar në Roterdam, ashtu siç shkon Ols Dado jashtë vendit, me shpenzime të paguara nga ekspertë të huaj ligjorë. Vetëm një prokuror ndërtues që kërkon favore mund të mendojë se kryetari i Bashkisë më të madhe në vend “korruptohet” me një udhëtim jashtë vendit për të dhënë leje pallatesh!
2. Gruaja ime NUK ka qenë në atë udhëtim, jam shoqëruar nga drejtori i Urbanistikës në atë kohë; pra, ishte udhëtim pune, jo qejfi. Madje, ime shoqe NUK ka qenë kurrë në Roterdam, as për punë, as për pushime. Po kështu është kur akuzat bëhen me thashetheme rrugësh dhe ato i drejton Ols Dado me llogje telefonash të grabitura nga mbi 10 gra të botës, ku si pervers lidh kekun me byrekun dhe bëhet lolo, jo vetëm i SPAK-ut, por gajas gjithë Tiranën!
3. Dhe së treti, Po, me OMA dhe me dhjetëra studio të tjera kam vazhduar një traditë të konsoliduar që nga Edi Rama në Bashkinë e Tiranës, që edhe projektet private, të cilat marrin sipas ligjit lejen e metrat që u takojnë, të jenë estetike dhe me shije. Olsi, ky “budalla i dobishëm”, duhet ta dinte ose të pyeste, që edhe pse pallatet janë private, fasada është e qytetit, e bashkisë dhe e bashkëpronësisë. Se ndryshe, si i tarifon bashkia reklamat që vendosen nëpër ballkonet e pallateve të shëmtuara të viteve ’90? Në të kundërt do i tarifonte pronari, o Sherlock Holmes i mbetur në tentativë! I mbetur edhe në klasë, thonë, se mbërriti edhe në burg ajo dëftesa me 5-a i “ajkës” së prokurorisë me pallate dhe letra anonime.
Në fund, unë jo vetëm nuk kompleksohem të bisedoj me arkitektët e huaj, si këta që kur replikojnë duhet t’ua mbajë dorën ambasada, se janë ende inferiorë e s’dinë të bëjnë debat me argumenta, përkundrazi, e kam bërë me qindra herë me krenari “krimin” e të biseduarit si mund ta bëjmë më të bukur dhe estetikisht moderne Tiranën tonë.
Projekti i fundit për Bllokun Pedonal, është fryt i këtyre bisedave me arkitektët e Walk 21. Ndryshe nuk do kishim fituar Çmimim e Parë në Europë në 2018 për Sheshin Skënderbej, në 2019 për Pazarin e Ri, në 2020 për Parkun e Liqenit apo atë për shkollën “Servete Maçi”.
Ju dhashë provat e akuzës së fundit – kush ka sy t’i shohë, kush ka veshë le t’i dëgjojë. Në thertoren e Bani Dados s’kish as sy, as veshë, veç skërmitje.
Kush do të më shohë keq për sportin e pistë të politikës së ditës, thjesht tregon pafuqinë e atyre që i mundëm 7 herë rresht në Tiranë, me votë, jo me kurthe anonime, e që do ua bëjmë 8 me 2 (dyshin e them për batutë, se do dalë 8 me 0) në 11 Maj, së bashku me ata që e duan qytetin, vendin, Europën, dhe të bukurën në jetën tonë.
Mirësi dhe dashuri,
EV.