13:45 Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, tha se me Sekretarin John Kerry u diskutua për një numër të gjerë çështjesh.
Bushati tha se “tema kryesore për politikën e brendshme ishte Reforma në Drejtësi. Po citoj sekretarin Kerry, i cili tha se me Reformën në Drejtësi shqipëria ka mundësi të bëjë diferencën krahasuar me vendet e rajonit, duke i dhënë mundësi edhe kapitalit amerikan të vërshojë në Shqipëri”.
Po ashtu, Bushati tha se u diskutua edhe për Kosovën.
“U fokusuam te axhenda ndërkombëtare, lufta kundër terrorizmit, partneriteti strategjik dhe diskutuam edhe për situatën në rajon. Vizita ishte sinjal për shqiptarët në rajon, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri. Sigurisht që folëm për situatën në Kosovë. SHBA kanë qenë mbështetës të pavarësisë së Kosovës. Amerikanët kanë opinionin e tyre për situatën atje dhe pëkrahin dialogun me Serbinë”, tha Bushati.
13:25 John Kerry shtrëngon duart me qytetarët e mbledhur para Muzeut Kombëtar, një devijim nga programi i paracaktuar. Më pas, i hipën helikopterit për të shkuar në Rinas, prej nga do të largohet nga Shqipëria.
13:10 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në Top Channel për takimin me Sekretarin John Kerry, duke thënë se me të diskutoi për tri çështje.
“Bisedimet e mia u përqëndruan mbi sfidën që ka Shqipëria për të mposhtur krimin, dhe ku PD ka dhënë një kontribut të madh në këtë betejë, të cilën ne e nisëm dhe shkuam deri në masa ekstreme si bojkoti parlamentar, por që do të kishte mbetur në hije pa ndërhyrjen e SHBA-ve përmes ambasadorit Donald Lu. Kushti të gjitha kushteve për të gjitha reformat që duhet të bëjë Shqipëria është dekriminalizimi. Çështja e dytë është reforma në drejtësi dhe mbështetja pa kushte e një drejtësia të paanshme dhe të pakapur politikisht. Konfirmova mbështetjen tonë dhe gatishmërinë e PD për të punuar së bashku në frymën e konsensusit për këtë reformë, sipas parimeve të Komisionit të Venecias. Çështja e tretë është vota e lirë dhe demokratike, për të cilën unë kërkova dhe mora mbështetjen e SHBA-ve që zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri të jenë pikërisht të lira dhe demokratike”, deklaroi Basha.
Por dyshimit nëse mbështetja e SHBA-ve kundër qeverisë aktuale, të sulmuar nga opozita, do të thotë se vendi do të hyjë në zgjedhje të reja me një qeveri teknike, Basha iu përgjigj:
“Për të garantuar votën e shqiptarëve duhet të mundësojmë një rregull mbi pamundësinë e ndërhyrjes së krimit në vendimet e popullit, si dhe frenimin e parave të krimit për të blerë votat e shqiptarëve. Siç e theksoi edhe Kerry, reformat në Shqipëri nuk janë thjesht për t’u realizuar por edhe për t’u zbatuar. Këtu dua të shpreh mbështetjen për një reformë zgjedhore konsensuale dhe të pakushtëzuar”, shtoi më tej Basha.
Por për kërkesën e SHBA-ve për të miratuar me konsensus dhe sa më shpejt Byronë Kombëtare të Hetimit, kreu i PD-së tha se amerikanët na mbështesin por jo për struktura që nuk bazohen në rekomandimet e pranuara ndërkombëtarisht të Komisionit të Venecias.
“SHBA-të nuk kërkojnë mbështetjen e një strukture që nuk bazohet në parimet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Gjithsesi, dera ime mbetet e hapur për të biseduar mbi këtë reformë, për t’u ulur sa më parë në diskutime për t’i dhënë formë përfundimtare reformës në drejtësi, paketë, pjesë e së cilës është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit”, tha Basha
Kryeministri Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi do të miratohet në mars, por Basha nuk ishte në gjendje të parashikonte nëse do të ndodhte vërtet kështu.
“Nuk mund të shtij fall se çfarë do të ndodhë në kampin e kundërshtarëve politikë. Mund të them se nga ana jonë do të kemi të njëjtin përkushtim si gjithmonë. Jemi të përkushtuar për Reformën në Drejtësi, në kornizën e rekomandimeve nga Komisioni i Venecias”, tha Basha.
Për komentin se Shqipëria është në rrugën e duhur, kreu demokrat tha se “padyshim që Shqipëria ka ecur para, është bërë anëtare e NATO-s, synon anëtarësinë në BE, ndërkojhë që ka sfida për të kapërcyer, që i tha edhe Kerry, si largimi kriminelëve nga politika dhe reforma. Është një rrugë e nisur prej 25 vjetësh dhe nuk duhet të ndalemi. Le ta marrim optimizmin e tij si një shtysë për Shqipërinë”.
12:50 Fill pas përfundimit të deklaratës për shtyp me Sekretarin e Shtetit, John Kerry, në një prononcim për Top Channel, kryeministri Edi Rama tha se nuk është diskutuar me kryediplomatin amerikan çështja e muxhahedinëve, por reforma në drejtësi dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
“U diskutuan në konferencën e shtypit të gjitha ato që thashë edhe në deklaratën për shtyp. Arsyeja (muxhahedinët) që diskutohej në media për ardhjen e tij këtu, nuk është diskutuar në asnjë sekondë. Arsyeja e vizitës dhe përmbajtja e saj ishte e lidhur me vazhdimin dhe thellimin e një bashkëpunimi dhe një partneriteti strategjik të firmosur në deklaratëne viti të shkuar dhe brenda kësaj përmbajtjeje ishte edhe reforma në drejtësi”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se vizita ka qenë pjesë e turit ballkanit të Kerryt vitin e shkuar, por që nuk ndaloi në Shqipëri për shkak të axhendës së tij në bisedimet me Iranin në atë kohë.
“Në atë kohë u tha se Sekretari refuzoi të vinte në Shqipërinë e oligarkëve, një tjetër fantazi nga ato të zakonshmet këtu”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se marsi, i përmendur prej tij si afat për kalimin e reformës në drejtësi, nuk ka lidhje me dakortësinë me amerikanët, por me axhendët e procesit të integrimit, ndërsa sa u takon muxhahedinëve…
“Është një çështje që nuk ka qenë asnjëherë çështje debati mes nesh. Është një çështje që ka një vijimësi nga e shkuara dhe ne vazhdojmë t’i qëndrojmë atij angazhimi”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të cilën tha se ka mbështetjen e Uashingtonit si pjesë e reformave të përgjithshme të vendit.
“Draftin e dinë të gjithë dhe sot është një ditë e shënuar sa i përket politikës në Shqipëri dhe nuk dua të flas për gënjeshtra dhe gënjeshtarë, por më takon të flas për të vërtetat që u thanë sot; për mbështetjen e hapur që morëm për reformat dhe për nxitjen që të mos humbasim kohë me reformat dhe padyshim me reformën në drejtësi dhe t’i japim Shqipërisë atë që meriton. Shqipëria sot në planin ndërkombëtar është krejt ndryshe nga ajo që ishte 2 vjet e gjysmë më parë”, tha ai.
12:40 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, flet për median për takimin me Sekretarin Kerry.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj këtyre veprave, siç ishte rasti i dekriminalizimit, që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të tjera sfida na presin përpara, në të cilat po kontribuon jashtë mase edhe SHBA, për të pasur një të ardhme më pranë BE-së jo vetëm për ne, por për të gjithë rajonin. Çështja kyçe e demokracisë shqiptare është edhe ajo e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për të cilat PD kërkon mbështetjen e ndërkombëtarëve, për t’i realizuar në mënyrë sa më reale. I jam mirënjohës Sekretarit Kerry që ndau kohë për të diskutuar me opozitën shqiptare, e cila do të japë gjithçka mundet për t’i hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse dhe për t’i dhënë fund oligarkisë në pushtet”, tha Basha
12:32 Ka përfunduar takimi midis Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe përfaqësuesve të opozitës, nën drejtimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nuk do të ketë konferencë të përbashkët për shtyp në këtë rast, ndërkohë që Kerry niset drejt Muzeut Kombëtar.
12:10 “Zhvilluam bisedime të një rangu të gjerë me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, nga çështjet e sigurisë dhe Daesh (ISIS), te ekonomia dhe hyrja në BE”, shkruan Kerry në Twitter pas daljes nga Kryeministria.
12:08 Sekretari John Kerry është takuar me kryetarin e PD, Lulzim Basha, dhe deputetët e opozitës.
11:57 Pas konferencës së përbashkët për shtyp, Kerry e Rama dalin së bashku në këmbë. Të dy së bashku vizituan memorialin “PostBllok”. Më pas, Kerry do të shkojë në hotel Rogner, për takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe disa deputetë të opozitës.
11:55 Sekretari Kerry falënderoi kryeministrin Rama për mikpritjen.
“Duhet të luftojmë ekstremizmin e dhunshëm. Shqipëria është një nga anëtarët themeluese të këtij koalcioni. Ajo po qëndron bashkë me ne në irak afganistan për të theksuar rëndësinë e tolerancës, shqipëria është vend anëtar i nato dhe kjo është përgjegjësi e madhe. Kryem dhe min jashtëm më theksuan. Duhet kaolicion i gjerë kundër terrorizmit. Shqipëria është duke lëvizuer në drejhtimin dhe rrugëne duhur. Ligji dekriminalizimit hjap kurajoz. Jam i inkuruajuar nga paketa e reformës në drejtësi. Një qeverisje llogaridhënëse. Ne jemi me ju. Por janë shqiptarët që miratojnë ligjet. Gjykatësit dhe prokurorët duhet tu përmbahen të njëjtave rregullave dhe cdo kush duhet të jetë i barabartë para ligjit pavarësisht se kush është në pushtet”, tha Kerry.
11:38 Kryeministri Rama dhe Sekretari Kerry kanë dalë në konferencën e përbashkët për shtyp.
“Ne shqiptaret ndajmë me SHBA marrëveshje shumë të ngushta. Dokumenti i partneritetit strategjik ka përcaktuar piketat në fushën e sigurisë, energjisë. Zhvillimi i mëtejshëm lidhet me të gjitha siguritë. Lidhja jonë speciale na jep përgjegjësi të posaçme për rritjen e sigurisë e forcimin e sigurisë. Shqiptarët i janë besnikërisht shba. As shqipëria e as shqiptarët nuk do ishin sot më të respektuar si kurrë më parë pa SHBA. Pa mbështetjen e SHBA nuk do kishim bërë kaq shumë progres në rrugën e reformave. Diskutuam për reformën në drejtësi. Ne i jemi mirënjohës SHBA për ndihmën në rrugën e kësaj reforme. Për punën e palodhur të ekspertëve amerikanë krah atyre shqiptarë. Marsi do të jetë muaji i votimit në kuvend i reformës. Me SHBA në krah e shohim të realizueshme këtë objektiv”, tha Rama.
11:30 Sekretari Kerry ka shkruar në Twitter për vizitën në Shqipëri:
“Jam shumë i kënaqur që po vizitoj Shqipërinë sot dhe i jam mirënjohës për pritjen e ngrohtë Presidentit Nishani”.
11:15 Kryeministri Edi Rama ka pritur Sekretarin e Shtetit, John Kerry, i shoqëruar nga një numër ministrash e deputetësh.
Përveç ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati, përkrah Ramës ka qenë ministri i drejtësi, Ylli Manjani, ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli, si dhe deputeti socialist Pandeli Majko.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur edhe zyrtarisht axhendën e vizitës së Sekretarit amerikan, John Kerry, në Tiranë.
Përmes një njoftimi të kësaj të diele, zyrtarë të lartë të DASH-it japin të parat informacione në lidhje me synimet e kësaj vizite dhe se, përse e kanë ndërmarrë në këtë moment në Tiranë. Në ditën e Shën Valentinit, Sekretari Kerry do të qëndrojë për rreth 4 orë. Me të zbritur avioni në Aeroportin “Nënë Tereza”, John Kerry do të ketë një takim me ministrin Bushati e më pas me kryeministrin Rama.
Sfida më e madhe në Shqipëri është sigurisht rrugëtimi drejt BE-së. Por problemet me krimin, korrupsionin dhe zbatimin e ligjit kanë qenë gjithnjë në rritje. Tashmë në Shqipëri, – siç thekson DASH, – politikanët janë në një situatë specifike për adresimin e këtyre problemeve. Ata kanë arritur sukses me një proces shumë të debatuar gjatë vitit të kaluar, për t’u përballur me kriminalitetin në politikë, sepse kanë persona mes partive më të mëdha të vendit, por edhe në Parlament, të cilët akuzohen për krime të kryera dhe për mos mbajtje përgjegjësie. Por këtë duhet ta tejkalojnë.
Ndërkohë që tashmë janë duke punuar mbi një paketë më të gjerë të reformës në drejtësi, një proces që pritet të forcojë sistemin e tyre ligjor etj. Në tryezën e Presidentit ndodhet një paketë ligjore të shtyrë përpara nga partia e kryeministrit Rama. Qeveria e drejtuar prej tij është në negociata me partinë më të madhe në opozitë, një prej arsyeve përse Sekretari po shkon atje për të përforcuar mesazhin se kjo paketë specifike legjislative është pjesë e spastrimit të Shqipërisë, jo vetëm që të hedhë një hap më të sigurtë drejt Bashkimit Europian, por edhe për të përmirësuar klimën për investime të huaja.
Sa i përket paketës legjislative, amerikanët thonë se kanë dhënë këshilla konkrete në lidhje me hartimin e draftit, ashtu sikurse dhe në terma balancimi. Po i ndihmojmë ata t’i bëjnë gjërat siç duhet, apo siç u sugjerohet nga ekspertë këshilltarë të Këshillit të Europës. Disa prej strukturave të tyre që kërkojnë të formojnë apo riformatojnë, janë të ngjashme me ato të sistemit të drejtësisë amerikane. Për shembull, ata duan të krijojnë një strukturë hetimore të tipit Byro Federale e Hetimit (FBI), të cilën nuk e kanë. Ajo do t’ua sillte sektorin e tyre të drejtësisë në të njëjtën linjë me normat europiane dhe amerikane.
10:50 Institucioni i Presidencës ka nxjerrë një komunikatë zyrtare lidhur me bisedën e Presidentit Bujar Nishani me Sekretarin John Kerry në aeroport.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike.
Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.
Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama”, thuhet në deklaratën e presidencës.
Ndërkaq, Sekretari Kerry e ka përfunduar takimin me Bushatin dhe tani është në takim me kryeministrin Edi Rama.
*****
10:19 Autokolona që sjell Sekretarin Kerry mbërrin në Tiranë, ku është përshëndetur nga mjaft qytetarë në anët e rrugës.
Sekretari mbërrin në Kryeministri, ku do të zhvillojë një takim me ministrin e jashtëm, Ditmir Bushati, pastaj me kryeministrin Edi Rama. Në përfundim të takimit me Ramën, të dy do të dalin në një konferencë për shtyp. Më pas, takimi me opozitën në Hotel Rogner.
****
9:56 John Kerry zbret nga avioni në tokën shqiptare, ku pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu. Të tre bisedojnë për pak kohë para shkallëve të avionit.
Pak minuta më pas, Nishani e Kerry shtrëngojnë duart, duke u ndarë nga njëri-tjetri. Ky ishte takimi i programuar midis Presidentit dhe Sekretarit në aeroportin e Rinasit. Me sa duket, vonesa prej 45 minutash bëri që biseda të zhvillohej para shkallëve të avionit dhe jo në ndonjë nga ambientet e godinës së aeroportit.
*******
9:45 Aeroplani që mban në bord Sekretarin e Shtetit të SHBA, John Kerry, është ulur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në orën 9:45 minuta. Ulja është bërë plot 45 minuta më vonë nga ora e dhënë më parë si momenti i mbërritjes së Sekretarit në Tiranë.
*******
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry vjen sot në Tiranë për një vizitë zyrtare ku do të ketë takime me presidentin Nishani, kryeministrin Rama dhe kreun e PD-së, Basha. Përpos mesazheve të përkrahjes për Shqipërinë dhe konfirmimit të koalicionit anti-terrorizëm, zyrtari i lartë amerikan se do t’i kërkojë Tiranës pritjen e rreth 1 mijë muxhahedinëve, anëtarë të opozitës iraniane. Vetëm pak ditë para vizitës së Kerrit, mediat iraniane raportuan se një grup prej 22 muxhahedinësh, të cilët jetonin në “Kampin e Lirisë” në Irak, u zhvendosën në Shqipëri, shkruan Gazeta Shqiptare.
Ardhja e tyre është pjesë e marrëveshjes Shqipëri-SHBA për strehimin e pjesëtarëve të opozitës iraniane të cilët ndihen të rrezikuar në vendlindjen e tyre. Deri tani në Shqipëri kanë ardhur rreth 400 anëtarë të organizatës “Muxhahedinët e popullit iranian”. Për herë të parë, muxhahedinët erdhën në Shqipëri në vitin 2013, pas premtimit që ish-kryeministri Berisha i bëri sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.
Burime për GSH thanë se edhe vizita e sekretarit Xhon Kerri lidhet me një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të mikpritur deri në 1 mijë anëtarë të opozitës iraniane. Edi Rama duket se ka dhënë miratimin paraprak për këtë shifër e në këtë pikë edhe opozita bashkohet me qeverinë për të strehuar në Shqipëri muxhahedinët, të cilët aktualisht ndodhen në Iran në “Kampin e Lirisë”.
Sekretari Kerry do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 09:00, dhe do të pritet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Sekretari Kerry do të mbërrijë në Kryeministri në orën 10.10, për t’u takuar fillimisht me ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.
Më pas, do të zhvillohet takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe në përfundim të takimit, në orën 11.00, Kryeministri Rama dhe Sekretari Kerry do të kenë një deklaratë për shtyp.
Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Gjithashtu, mësohet se Kerry do të takojë edhe të rinj nga shoqëria civile, takim që mbahet në Muzeun Kombëtar.
Ai është sekretari i pestë amerikan i shtetit, i cili viziton Shqipërinë.
Vizita zyrtare e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry të dielën në Tiranë do të shoqërohet nga masa të rrepta sigurie. Sipas policisë, për vizitën e zyrtarit të lartë amerikan do të ketë një plan të detajuar dhe të veçantë masash, ashtu sikurse ka ndodhur gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel apo kryeministrit serb, Vuçiç.