Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, në këtë intervistë të parë për shtypin e shkruar, tregon për “Gazeta Shqiptare” për karrierën e tij, objektivat në këtë post të cilin e mban prej 9 muajsh, ndërsa ndan mendimet e tij lidhur me reformën në drejtësi dhe integrimin europian të Shqipërisë. “Ishte një fakt shumë i rëndësishëm që reforma konstitucionale ndaj një çështjeje me kaq rëndësi u miratua me votë unanime, gjë e cila sipas njohurive të mia, nuk është e lehtë për t’u arritur jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë. Prandaj nuk duhet të jemi pesimistë. Mendoj që kjo përfaqëson një përpjekje serioze për të reformuar Kushtetutën dhe në veçanti gjyqësorin. Është normale që do të duhet kohë”, – tha Cutillo midis të tjerash në këtë intervistë. Ai tregon se politikisht është i dhënë pas projektit më të madh – atë të integrimit europian të Shqipërisë – ndërsa personalisht mbetet i lidhur më shumë me projektet që afrojnë njerëzit më pranë njëritjetrit, sidomos në fushën sociale apo atë të shëndetësisë.
Z. Ambasador, ju lutem, a mund të na bëni një panoramë të shkurtër të karrierës suaj?
Kam rreth 30 vjet në shërbimin diplomatik, që nga viti 1986. Kam mbuluar pothuajse të gjitha fushat, si në ministri në Romë, ashtu edhe jashtë vendit. Detyra ime e parë ka qenë konsull në Bordo, Francë. Më pas u emërova përgjegjës për marrëdhëniet dypalëshe midis Italisë dhe Arabisë Saudite. Gjithashtu pjesë e portofolit tim jashtë vendit janë edhe Gjeneva dhe Nju Jorku, ku u mora me marrëdhëniet shumëpalëshe në kuadrin e Kombeve të Bashkuara dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Dhe tani në Shqipëri mbuloj marrëdhëniet bilaterale. Pra mund të them se kam pasur fatin të mbuloj tri fusha kryesore gjatë karrierës sime: çështjet konsullore, marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe. Edhe në Romë kam punuar për shumë kohë në Ministrinë e Jashtme në sektorë të ndryshëm, si diplomacia ekonomike, çështjet konsullore dhe kulturore. Në 7 vitet e fundit, jam marrë edhe me çështjet e integrimit europian. Kurrë nuk jam fokusuar vetëm në një fushë të shërbimit diplomatik, por në disa.
Cila prej tyre ju tërheq më shumë?
Pyetje me vend! Pa dyshim të gjitha këto çështje janë të rëndësishme. Unë do të veçoja çështjet e integrimit europian. Gjatë punës sime me çështjet europiane, kam krijuar përshtypjen se është një fushë në të cilën vende si Italia dhe Shqipëria duhet të fokusohen, pavarësisht problemeve që lidhen me BE-në, si Brexit, kriza ekonomike në shumë vende apo pakënaqësia e opinionit publik ndaj BE-së në pothuajse të gjitha vendet anëtare. Të gjitha këto janë arsye për të bërë më shumë dhe jo më pak në aspektin e integrimit europian, për rastin e Shqipërisë, në aspektin e fuqizimit të përpjekjeve të saj për t’u bërë pjesë e BE-së. Sepse mendoj se një reagim kundër BE-së është vetëm emocional, por nëse i shikojmë gjërat nga një pikëpamje më e thellë, mendoj se nuk ka rrugë tjetër veç asaj të përballimit së bashku të sfidave sesa secili vend më vete. Kjo do të thotë një rol më i madh i BE-së në çështjet e përditshme si emigracioni, terrorizmi, kriza ekonomike e të tjera. Mendoj se e vetmja përgjigje e kuptimtë vjen nga një BE më e fortë.
Meqenëse po flasim për BE-në dhe Shqipërinë, reforma në drejtësi mbetet kryefjala e ditës…
Reforma në drejtësi është një element kyç për Shqipërinë për t’iu afruar BE-së. Mendoj se është një sfidë e madhe. Reforma është e gjerë, komplekse, pa dyshim kërkon shumë energji dhe kohë. Por Shqipëria tregoi korrikun e kaluar se mund të ecë në këtë rrugë në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Ishte një fakt shumë i rëndësishëm që reforma konstitucionale ndaj një çështjeje me kaq rëndësi u miratua me votë unanime, gjë e cila sipas njohurive të mia, nuk është e lehtë për t’u arritur jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë. Prandaj nuk duhet të jemi pesimistë. Mendoj që kjo përfaqëson një përpjekje serioze për të reformuar Kushtetutën dhe në veçanti gjyqësorin. Është normale që do të duhet kohë. Ajo që ka më rëndësi do të jenë rezultatet në fund të këtij procesi. Deri më tani, shqiptarët mund të jenë krenarë për rezultatet. Kuptohet, hapa të tjerë priten të merren. Përpjekjet duhet të vazhdohen, dhe shpresoj dhe shikoj shenja se fryma e kësaj reforme është ende aty për ta udhëhequr parlamentin drejt ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.
Si do ta karakterizonit eksperiencën tuaj në Shqipëri deri më tani si nga ana profesionale ashtu edhe ajo personale?
Profesionalisht, mund të them se është një punë shumë kërkuese, por edhe shpërblyese, sepse marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë aktualisht shumë intensive në të gjitha fushat. Praktikisht nuk ka gjë që nuk e bëjmë bashkë dhe asgjë që nuk mund ta bëjmë më mirë së bashku. Të jesh ambasador i Italisë në Shqipëri është një mundësi unike për të punuar në të gjitha fushat, që nga programet kulturore, tek aktivitetet sociale. Pra, nuk mund të ankohem se mërzitem në këtë punë. Ndonjëherë është më shumë punë sesa duhet, prandaj qytetarët shqiptarë duhet të më kuptojnë ndonjëherë nëse nuk jam i pranishëm kudo, por ne këtu në Ambasadë kemi një skuadër të fortë dhe së bashku përpiqemi të mbulojmë dhe të ndjekim kërkesat e autoriteteve dhe qytetarëve shqiptarë.
Dihet se Italia zbaton shumë projekte në Shqipëri. Por kë keni më për zemër prej tyre?
Po të flasim nga pikëpamja politike, patjetër integrimi europian i Shqipërisë është i një rëndësie parësore jo vetëm për mua, por për çdo ambasador italian në Shqipëri në këto vite. Mendoj se procesi i hyrjes në BE është po aq i rëndësishëm sa edhe rezultatet. Politikisht, ky është shqetësimi im kryesor. Njëkohësisht shpresoj të mund të shoh dhe të ndihmoj përshpejtimin e këtij procesi si dhe të dallojmë rezultate në vitet në vijim. Personalisht tregoj më shumë vëmendje ndaj programeve që afrojnë njerëzit më pranë njëritjetrit, sidomos ato në fushën sociale, në sektorin e shëndetësisë e të tjera. Vë re shumë shembuj të këtij bashkëpunimi midis OJQ-ve italiane dhe institucioneve shqiptare. Sidomos në sektorin e shëndetësisë, ku shikojmë frymën më të hapur të mundshme për të punuar së bashku, me qëllim ofrimin e ndihmës ndaj njerëzve me probleme shëndetësore, me aftësi të kufizuar e të tjerë. OJQ-të italiane priren nga dëshira për të ndihmuar këto kategori, por edhe njerëzit e varfër apo të lënë pas dore. Kjo është fusha ku ne mund të bëjmë shumë. Edhe Italia ka shumë nevojë për një mbështetje të tillë, sepse edhe ne nuk jemi një vend pa probleme. Të punosh me Shqipërinë në këto drejtime na kujton se sa e rëndësishme është kjo fushë jo vetëm këtu, por kudo nëpër botë. Tek shikon këtu entuziazmin e të dyja palëve, si të shqiptarëve edhe të italianëve, për të punuar në këtë drejtim, mendoj se kjo është prekëse, por edhe motivuese për mua.
Kush është qëllimi që i keni vënë vetes në këtë detyrë?
Në përgjithësi, Shqipëria është një vend që ka bërë shumë progres në këto 25 vitet e fundit, duke u zhvendosur nga pozita e një vendi të izoluar nga Europa, të varfër ekonomikisht, drejt një vendi më të fortë, më të integruar në BE dhe në botë. Prandaj, mendoj se ky proces nuk mund të merret për i mirëqenë. Është një proces që duhet të përforcohet çdo ditë, sepse gjërat nuk ndodhin vetë. Partnerë si Italia, që janë pranë Shqipërisë historikisht, gjeografikisht, por edhe nga ana e marrëdhënieve njerëzore, mund ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara. Synimi im kryesor është pikërisht të shoh këtë proces të bëjë hapa përpara çdo ditë. Kjo mund të realizohet në sektorin e shëndetësisë, në zhvillimin e sektorit ekonomik apo në luftën ndaj krimit të organizuar, sepse siç e thashë, nuk ka fushë ku nuk bashkëpunojmë. Sfida është të mos i lëmë gjërat pezull.
Z. Ambasador, në fund të kësaj interviste, a mund të na zbuloni ndonjë nga hobet tuaja, pavarësisht se ju nuk doni të thoni shumë për veten tuaj?
Çdokush mund të presë të them se jam i interesuar për politikën, historinë, letërsinë, muzikën. Por edhe përveç këtyre mund të them se që fëmijë, kam treguar pasion për astronominë. Babai im më bleu një teleskop të vogël. Për vite të tëra, kam vështruar qiellin. Ende e ruaj atë teleskop. S’e di, mbase mund të vendosim një bashkëpunim të mirë midis dy vendeve tona edhe në fushën e astronomisë. Nuk kam bërë një kërkim të plotë, por me sa di, nuk është se ka shumë progres në këtë fushë në Shqipëri. Nuk ka një astronom shqiptar që njihet, dhe mbase një shkëmbim midis nesh mund të kontribuojë në krijimin e një gjenerate të re astronomësh shqiptarë. Ku i dihet!
GSH/BW/d.i.