Ndërsa shërbimet në sistemin shëndetësor në vend po modernizohen,, një pjesë e mjekëve dhe infermierëve vijojnë që të largohen drejt Gjermanisë. Por për zv/ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli nuk ka vetëm largime të shqiptarëve, por edhe mjekë të huaj që vijnë në vendin tonë.
“Vetëm në vitin e fundit janë licenuar 88 mjekë të huaj për të punuar në Shqipëri, kanë ardhur 8 studentë që kanë mbaruar jashtë mjekësinë. Ne mundohemi të bëjmë politika që të rinjtë ta gjejnë veten këtu. Edhe Gjermanisë i ikin mjekët në Zvicër. Njeriu kërkon për më mirë, për një sfidë tjetër” tha ajo në studion e Report Tv.
Më tej, Rakacolli ka folur edhe për ndryshimet që ka pësuar Urgjenca Kombëtare duke i cilësuar si transformim.
“Urgjenca kombëtare ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Tani në numrin 127 apo 112 mund të telefonojë e gjithë Shqipëria. Ka një numër mjekësh dhe infermierësh që janë pjesë e këtij rrjeti. Helikopter ka në cdo moment në dispozicion për t’u ngritur kur gjykohet se rasti duhet asistuar me mision ajror dhe jo me ambulancë”, tha zv.ministrja Rakacolli.
Kujtojmë që sot kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin për Modernizimin e Urgjencës Kombëtare, në Spitalin e Traumës.