Deri më tani qeveria nuk ka hyrë në veprim për produktet ushqimor, por vetëm po monitoron tregjet. Por ekspertët gjykojnë se situata kërkon ndërhyrje të shpejta për të parandaluar abuzimet me çmimet.
Madje sipas tyre edhe për produktet e shportës duhet të ngrihet bordi i transparencës i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në 2023-shin.
“Shqetësimi kryesor janë ushqimet sepse mund të rri qytetari pa e blerë një apartament. Ndërtimi mundet që të presë për çmime pak më konkurruese, por ama qytetari nuk mund të rri pa ngrënë. Tregun e ushqimeve është më delikati, do kemi abuzime të futet edhe këtu bordi”, thotë Fatos Çoçoli.
Eksperti thotë se bordet jo gjithmonë janë zgjidhje, por kur situatat janë emergjente duhen ndërhyrë.
“Futja e duarve të qeverisë në treg nuk shihet asnjëherë me sy të mirë sepse tregu i bën vetë rregullat por këtu ne flasim për situata e emergjence ndërkombëtare, pra flasim për luftë, kështu që Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta ndalojë qeverinë kur bëhet fjalë që të zgjasë efektin e ndërhyrjes, por për të përballuar një situatë të jashtëzakonshme qeveria është e detyruar”, tha Shtjefni.











