Nga Shpëtim Nazarko
I ftuar në një nga televizionet lokale në Shkodër në 2011, po komentoja një vizitë të Ramës dhe Berishës që kish ndodhur aty pak ditë më parë dhe ishte e lidhur me zgjedhjet e reja. Rama recitoi paradite një nga patriotët e dorës së parë, Hil Mosin. Në kohën e Zogut ai e kishte qeverisur Korçën për disa vjet. Dhe ishte kohë nga më të ndritshmet e saj, kur qyteti kishte gazeta e kinema, e një zhvillim të mrekullueshëm kulturor.
U mallëngjeva nga fjalët e Hil Mosit, cituar prej Ramës, fjalë që duket sikur janë të shkruara sot dhe vlejnë edhe më shumë se në kohën e thënë prej tij.
E lëvdova Ramën dhe u mallëngjeva, por disa orë më vonë nga ai, në Shkodër erdhi Berisha. Ai i përmendi Ramës se e kishte mirë që kishte lëvduar Hil Mosin, por e pyeti se kë kishte caktuar për Shkodrën. Zura të mendohesha dhe për pak i dhashë të drejtë Berishës. Pastaj thashë me vete: pa të shoh kë ka caktuar Berisha në Shkodër si kandidat të tijin. Zura prapë të mendohesha. Ishte e njëjta histori… Thashë se do më shpëtonte kandidati që kishte caktuar Meta, po u gjenda akoma më keq… Të tre ishin çfarë të doni ju, por jo kalibri i Hil Mosit, apo paraardhësve të lavdishëm.
E kuptova që të tre të mëdhenjtë e politikës nuk i kishin punët mirë dhe po talleshin nga pak, jo vetëm me njëri-tjetrin, por dhe me Shkodrën…
Në mendjen time, Shkodra ka qenë për shumë kohë nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, në mos më i rëndësishmi i saj. Dhe jam i bindur se po të mos kishim Shkodër, Korçë, Gjirokastër e Berat, Shqipëria mund të shihej thjesht vetëm si një fshat i madh.
Nuk do të shkruaja sot po të mos më kishte zënë veshi diçka të çuditshme thënë prej Bashës. Në një intervistë dhënë një gazete austriake, ai theksoi se Shkodra ishte bastion i tyre dhe Rama jua mori nëpërmjet kriminelëve. Këta kriminelë, sipas Bashës, nëse përkthimi apo citimi i gazetës austriake ka qenë i saktë, janë katolikë nga Veriu… Pa e komentuar si banalitet apo si fyerje ndaj një populli të tërë, ia vlen të thuash diçka, se bastion i kujt është realisht Shkodra…
Shkodra e para Luftës së Dytë, apo më parë, ka qenë kryeqyteti real i Shqipërisë. Prej aty vjen pothuajse gjithçka në Shqipërinë tonë. Që nga fotografia e kinemaja, biçikleta e sporti. Filozofia e poezia e hollë.
Shkodra e vonshme është qytet edhe i Fishtës, por dhe i Migjenit. I Patër Andon Arapit, por dhe i Qemal Stafës apo Zef Malajt. Pra i të gjitha palëve: të majtëve dhe të djathtëve, tamam siç i takon një qendre të madhe të kulturës dhe mendimit.
Koha e Hoxhës e transformoi Shkodrën në tërë strukturën e saj. E shndërroi në një qytet tipik industrial dhe më duket se në kohën e tij ishte i vetmi qytet “Hero i punës socialiste”. Ky ndërrim i strukturave të jetesës mijëravjeçare ishte fillimi i rrënimit moral dhe material të Shkodrës.
Rënia e regjimit komunist e çoi së pari mirëqenien apo jetesën gjithsesi mizerabël në aspektin material të Shkodrës në zero. U mbyll gjithçka dhe në mungesën e pronës private, mjerimi i Shkodrës arriti kulmin. Për mua, u shndërrua menjëherë në qytetin më të varfër të Shqipërisë.
Sikur të mos ishte koha e kontrabandës së madhe të luftës në ish-Jugosllavi, ky qytet do të rrënohej ndoshta përfundimisht. Kjo kohë kontrabande formoi dhe atë që Basha e quan “Bastioni ynë”. Po këtu mund të themi me plot gojën se ai nuk gënjen. Në këtë periudhë besoi se ndërroi edhe një herë struktura shoqërore e qytetit. Intelektuali i varfër me atë shtëpinë e vogël me lule apo me bibliotekë, që nuk mund të merrte pjesë në këtë “dasmë” kontrabande, iku nga qyteti, e shiti shtëpinë e tij, apo u zhyt në mjerim akoma më të madh.
Kjo kohë e artë e kontrabandës, që përkoi pra me atë të qenies bastion i të djathtës, natyrisht nuk u shoqërua me investime të rregullta, po thjesht të atij tipi që mund të quhen tmerrsisht të gabuara. Ai që shkon me makinë nga Shkodra përgjatë liqenit e deri në kufi, sheh me mijëra vila të vogla të ndërtuara pa asnjë plan zhvillimi. Dhe e kupton se nga vjen gjithë kjo histori, e po ashtu, se po të investohej me logjikë e kulturë, do të kishim një Shkodër të mrekullueshme.
E njëjta histori u përsërit dhe në Gjirokastër, prej nga fillonte loja e kontrabandës së kohës së luftës në ish-Jugosllavi. Edhe Gjirokastra thuajse pësoi të njëtin fat si Shkodra. U rrënua deri në infinit dhe sot duhet ta shohësh me trishtim.
Po le të kthehemi në Shkodër. Paratë e kontrabandës gradualisht u tretën apo, siç u theksua më sipër, u investuan keq. Në kohën e kontrabandës apo më vonë, vetëm sa u faktorizuan klane që Basha mund t’i quante edhe bastion i tij. Dhe po të interesohet, mund të dalë që janë shumica po katolikë të Veriut. Natyrisht, një përcaktim i tillë është i turpshëm, por po citojmë, apo po vazhdojmë mënyrën e të menduarit alla Basha. Për mendjen time, ata ishin faktori i parë që jo vetëm thelluan, por dhe e rrënuan deri në palcë Shkodrën.
Unë mund të jem dakord me Bashën, nëse ai thotë që Rama iu përgjigj klaneve po me klane, por në një gjë jam i sigurt.
Ky qytet madhështor, mund të them pa frikë, më madhështori që kanë ndërtuar të parët tanë, është turp të klasifikohet si bastion i të majtës apo të djathtës. Një nga kryeqendrat e vendit dhe jo vetëm e Veriut për një kohë të gjatë, do t’i dukej një fyerje e madhe ta klasifikoje si bastion të njërës apo tjetrës palë…
Po le ta zëmë se Basha e thotë termin “bastioni ynë” referuar vetëm luftës politike apo zhvillimeve zgjedhore, deri kur mund të vazhdonte të ishte bastion i tij? Që ta mbante këtë bastion PD-ja, duhej të përpiqej t’i rikthente lavdinë e parë. Kaq e thjeshtë është. Ky qytet, që i ka rezistuar shekujve në atë pozicion madhështor natyre që i kanë zgjedhur të parët, nuk mund të klasifikohet apo të zihet rob për një kohë të gjatë. Në rastin kur kërkon ta bësh apo ta besosh këtë përfundim, ndërgjegjja e Shkodrës të përqesh. Për një njeri që merret me vëzhgime gjysmëletrare, mund t’i kujtohet në këtë rast një varg i hollë i Kadaresë: “Ka pasur vite të mamuthëve po kohë të tyre nuk pati kurrë’.
Ky varg i mjeshtrit legjendar, nuk i përket vetëm të djathtëve. Kjo do të ishte përgjigjja më e mirë dhe ndaj të majtëve që do të kërkonin ta bënin bastion Shkodrën.
Intervista e Bashës dhënë gazetës austriake, ka dhe një defekt tjetër. Në ka ndonjë gjë që austriakët njohin mirë nga vendi ynë, unë besoj se ajo është Shkodra. Dhe në këtë rast, për të shpëtuar nga turpi, nga Shkodra që kërkon ta klasifikojë Basha si bastion i njërës apo tjetrës palë, le të lutemi që gazetari austriak, që ka bërë këtë intervistë me të, të mos kete qenë pasionant i historisë…(Konica.al)
a.ç