Performuesit e rrugëve janë artistë të cilëve nuk u pëlqejnë kornizat shoqërore dhe kufizimet e saj. Në shumicën e kohës përveç artit të tyre, ata e shfaqin këtë protestë ndaj gjërave që njerëzit i kanë marrë të mirëqena dhe nëpërmjet mënyrës sesi duan të prezantohen në publik. Njëjtë është dhe mënyra e artistit italian i cili tashmë vazhdon turin e tij në sheshet kryesore të qyteteve të vendit tonë.
Së fundi në Durrës, Marcello, preferon të na prezantohet vetëm me emrin e tij si identitet dhe jo me më shumë detaje, pasi për të ka rëndësi qasja e artit të tij. Të ndjerit ndryshe është esenca e Marcellos dhe kështu ka nisur dhe rrugëtimi i tij si artist i rrugës:
“Gjithnjë jam ndjerë ndryshe dhe gjithnjë kam dashur të dal jashtë sistemit dhe mos të jem pjesë e tij. Gjithnjë kam kërkuar për një mënyrë për të dalë jashtë kornizës. Kam punuar në punë të ndryshme. Kur kam qenë më i ri përpiqesha të kuptoja botën, brenda vetes time, por që në realitet shihja që nuk ekzistonte. Kam bërë disa punë si në kuzhinë, kamarier, kam punuar në fabrikë biskotash, por nuk më pëlqente ideja e të qëndruarit në vend, të mbështesja sistemin, nuk më pëlqen të mbështes sistemin. Kështu një ditë teksa punoja në kuzhinë dhe një prej punonjësve të stafit më tregoi për një kitarë në shitje e cila kushtonte 15 euro, mendova “në rregull” dhe bleva kitarën e përdorur në një tezgë.”
Performanca e parë është ajo që të mbetet më gjatë në kujtime dhe ndoshta dhe ndër më vendimtaret për vijueshmërinë në këtë fushë të artit, por për Marcellon, duket se herët e para kanë qenë sukses i cili e bëri të kuptonte se tashmë ky ishte stili i jetës që ai dëshironte të kishte.
“Isha në Skoci dhe u vendosa në rrugën kryesore dhe nisa të luaj muzikë e cila tërhiqte njerëzit. Kështu kuptova që mund të bëja para në këtë mënyrë dhe ndjehesha shumë i lumtur me atë që bëja. Tashmë e kam djallosur, sepse kjo është jeta ime tashmë tek e cila shoh anët pozitive, por gjithashtu dhe anët negative. Është e mrekullueshme pasi është një panoramë romantike e jetës nëse e sheh kështu. Gjithnjë e kam pëlqyer këtë stil jetese, të një njeriu që udhëton nëpër botë, duke punuar, por sigurisht në realitet disa njerëz të trajtojnë si të pavlerë, ndërsa disa të tjerë e shohin realisht se çfarë bëj dhe e vlerësojnë, si ju psh. Ju po më jepni hapësirë.”
Të moshuar, të rinj dhe të reja mblidheshin në qendër të qytetit teksa Marcello performonte këngë të Adriano Celentano-s, Johnny Cash dhe të artistëve të tjerë të cilët i përkasin një tjetër epoke.
“Buzëqeshjet e njerëzve janë energjia, më pëlqen teksa shoh fëmijët të buzëqeshur, njerëzit që buzëqeshin më bëjnë shumë të lumtur. Këtu është ndryshe, sepse njerëzit kanë ende shpirt, por në disa vende të tjera si në Itali, njerëzit janë shumë më serioz në aparencë. Mënyra se si unë e bëj jetën është paksa e çuditshme, do doja që gjërat në përgjithësi të ishin pak më të çuditshme.”
Megjithatë, jeta e një artisti të rrugëve është një aventurë e përditshme, eksplorime traditash dhe vendesh të reja dhe zbulimi i përkrahjes ose jo të njerëzve ndaj këtij lloji arti.
“Kam vizituar thuajse të gjithë Evropën Perëndimore, tashmë dua të vizitoj pjesën lindore të saj, pasi ka më shumë kimi në ndërveprim. Ka shumë gjëra të bukura për mua këtu, çdo gjë që unë shoh është e re për mua. Është shumë mirë kur ndryshon, sepse me të nisur të udhëtosh, t’i krijon varësi për të parë gjëra të reja për herë të parë. Në Hostel psh. unë kam familjen time dhe çdo herë që shkoj në një Hostel të ri, bëj miq të rinj të cilët për mua janë si familje. Nuk mund të qëndroj shumë gjatë në të njëjtin vend.”
I pyetur për familjen, Marcello me gjysmë zëri tregon se ata janë të shqetësuar për fatin e tij, sidomos nëna, pasi thotë se nuk kuptojnë botën e artit të rrugës.
“Familja ime më do mua, por unë nuk mendoj se ata e kuptojnë plotësisht se përse unë dua të bëj këtë gjë. Nëna ime më do, megjithatë ajo është shumë e shqetësuar, do të doja që të bëja diçka që ajo të kuptonte më shumë përse unë bëj atë që bëj sepse ajo është e merakosur dhe unë do të doja të mos ishte. Ajo do të dëshironte më shumë që të qëndroja duke punuar në një vend.”
E pavarësisht familjes, Marcello vazhdon rrugëtimin e tij duke i bërë ballë vetë çdo sfide me të ardhurat që siguron nga performancat e tij nëpër sheshet e qyteteve.
“Përsa i përket të ardhurave janë të bollshme, por varet. Disa njerëz pëlqejnë të ushqehen jashtë dhe disa të tjerë të shkojnë në vende luksoze, varet nëse del diku me vajza, nëse pi duhan, apo nëse konsumon alkool, por stili im i jetesës lidhet me të gatuarit vetë, t’i bëj gjërat vetë, më pëlqen thjeshtësia, prandaj nuk kam nevojë të jem në vende ku mund të shpenzoj. Por unë mund të bëj mjaftueshëm para, nëse jam me fat dhe me vullnetin e Zotit, ka ditë që bëj shumë para. Por tani për tani përsa kohë kam flokë mbi kokë dhe përsa kohë dukem mirë dhe përsa kohë jam ende i ri, njerëzit do të vazhdojnë të më japin para. Kur të plakem, nuk e di, ndoshta do të bëj diçka tjetër besoj.”
Paragjykimi nuk mungon kur vjen puna tek mënyra se si vendos të paraqitet Marcello në publik, por ai ka një botëkuptim mjaft interesant për gjithçka që përjeton.
“Këtu njerëzit po më falin shumë dashur dhe respekt, faleminderit! Ndërsa në disa vende të tjera ka edhe njerëz që e urrejnë këtë lloj pune, shihet ndryshe, si pis, për kjo shihet në të njëjtën mënyrë si prostitucioni, si budëllallik, sepse nuk është një botë klasike njerëzish. Këtë e kam rastisur në disa vende si në Itali, Francë, por edhe në Tiranë psh. në Tiranë njerëzit janë gjithnjë në vrap dhe shohin nga këmbët. Unë mund të ble dhe rroba të mira, kam edhe këpucë, prandaj i mbaj varur tek pajisjet e mia, sepse dua t’u tregoj njerëzve që unë kam këpucë, por unë zgjedh të mos i vesh ato, sepse nuk janë të rehatshme. Nëse jeton në një Hostel, është një sfidë më vete në bësh dush dhe nëse kë pandofla thjesht i drejtohesh dushit, ndërsa nëse ke këpucë, duhet të heqësh këpucët, më pas çorapet. Unë mund të blej rroba të mira, por ndjehem rehat kështu, sepse përpiqem të vishem mirë dhe tërheq më shumë njerëz, por nuk janë lloji i njerëzve të cilët dua të tërheq. Nëse më pranon kështu siç jam, atëherë shumë mirë. Mund të vishem mirë, por është një test për njerëzit, më pëlqen t’i testoj njerëzit, por le të themi është një filtër për njerëzit, për njerëzit që kanë një mënyrë tjetër të të parit të gjërave. Nëse dikush është i veshur mirë shihet ndryshe, por kjo ka të bëj me mënyrën sesi unë i shoh gjërat.”
Jo çdo ditë mund të jetë produktive për një artist të rrugës. I pyetur se si ia del në ditët me shi, Marcello qesh dhe vendos Zotin të are, ndërkohë që nga vendi ku po intervistohej, nis të degjohet Ezani I mbajtur nga një hoxhë në Xhaminë e Madhe të qendrës së qytetit të Durrësit.
“Ke natyrën dhe Zotin që janë mbi ty, kështu që nëse Zoti nuk dëshiron që unë të luaj muzikë, bën që të bjeri shi dhe thotë, Marcello është koha të pushosh. Unë e shijoj kur bie shi, sepse e di që nuk kam pse të bëj gjë, është natyra, ndonjëherë fryn shumë erë.”
Ofertat për konkurse nuk kanë munguar nga vende të ndryshme për Marcellon, por ai nuk i merr në konsideratë pasi për të muzika nuk ka pse të jetë një garë, por ndjesi dhe ndjesitë nuk mund të garohen.
“Shumë njerëz kur më dëgjojnë më thonë që kam zë dhe që duhet të shkoj tek “X Factor” dhe kam pasur më shumë se një ftesë si në Britain’s Got Talent, X Factor, në Itali jo, por në Mbretërinë e Bashkuar po, kam jetuar gjatë atje dhe kam dhënë një sërë shfaqjesh dhe ishte shumë ndryshe nga ajo çfarë bëj tani, por për mua muzika nuk është një garë, është diçka që e duam të gjithë, çdokush mund të këndojë, çdokush duhet të këndojë në një farë mënyre. Rrugët janë “X Factor”, nëse je i pëlqyer në rrugë është në rregull. Unë nuk dëgjoj shumë muzikë të zakonshme, pasi më pëlqejnë këngë të vjetra ose me dy mijë klikime, por thjesht dëshiroj që njerëzit të shohin përtej. “X Factor” më duket kot, por disa njerëz e pëlqejnë.”
Në lidhje me rrugëtimin e tij dhe ritmin e tij të shpejtë të jetesës, Marcello tashmë mund të ketë bërë shumë kilometra, por planet e tij të afërta duket se janë në vendet e Europës Lindore.
“Sapo kam porositur disa tela për kitarën time, shiten vetëm në Portugali kështu që i kam porositur online dhe po i pres të më vijnë në Shkodër dhe duhet të kenë mbërritur atje. Prandaj sot, sapo të përfundoj këtu do të marr autobusin e parë për t’u nisur në Shkodër. Më pas mendoj se do të shkoj në Jug të Shqipërisë, më kanë thënë që deti është shumë i bukur dhe mua më pëlqen peshkimi, kështu që dua të shkoj të peshkoj në jug, më pas do të udhëtoj drejt Malit të Zi, Kroacisë dhe mendoj që do të shkoj në Budapest, Hollandë dhe më pas në Zvicër.
Kur të humbas flokët e mi, vetëm atëherë mendoj që do të ndaloj, sepse të jem i sinqertë, nëse tani mund ta përballoj këtë, është vetëm sepse dukem mirë në pamje, dukem si Italian, por kur të më bien flokët, atëherë mendoj që nuk do të më eci më. Njerëzit japin para jo vetëm për muzikën, muzika zë vetëm 5-10%, pjesa tjetër ka të bëjë me mënyrën se si vishesh, apo paraqitesh. Po të shohësh festivalin e fundit të Sanremos, kishte të bënte vetëm me mënyrën sesi dukeshe dhe fatkeqësisht këtë drejtim ka marrë muzika, kështu që kur të mos mundem më, nuk do e vras mendjen.”
E ardhmja pa muzikën, për të duket si një jetë më e qetë. Gjithçka që mund t’i nevojitet, Marcello ka në plan t’a realizojë vetë dhe Shqipëria i duket një vend i mirë për të kaluar pleqërinë në të ardhmen.
“Dua thjesht të kem një copë tokë. Këtu në Shqipëri do të ishte mirë, thjesht një copë tokë të kem, dele, derra, pula dhe nuk të duhen para, të tjerat t’i sigurojnë ato, mund të kultivoj disa patate, misër. E thjeshtë. Nuk të duhet gjë për të blerë, mund të bësh vetë gjithçka. Mund të sigurosh elektricitetin vet, ka makineri që mund të prodhosh gaz nëpërmjet druve të djegur dhe proceseve të tjera që prodhojnë një sërë funksionesh për pajisje të ndryshme.”
Tashmë Marcellon e presin sfida dhe vende të tjera të pa zbuluara, por përsa kohë njerëzit buzëqeshin dhe duartrokasin me muzikën e tij, aty do të ketë gjithnjë vend për një artist dhe performues të rrugës.
/e.d