Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, kanë thënë se janë vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e misionit të tyre, përfshirë edhe në Urën mbi lumin Ibër, e cila lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Këto komente, KFOR i ka bërë në një përgjigje për Albanian Post, pasi janë pyetur në lidhje me deklaratat e disa anëtarëve të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut se trupat e misionit paqeruajtës janë rritur në urën e Ibrit, pas paralajmërimeve për hapjen e saj.
“Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm të misionit tonë të mandatuar nga OKB-ja, në mbarë Kosovën, duke përfshirë një prani fikse në Urën e Mitrovicës dhe patrullimet e rregullta në zonat përreth”, kanë thënë nga KFOR për AP.
KFOR-i, thuhet në përgjigje, është i pajisur mirë dhe i gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë, në respekt të plotë të mandatit të OKB-së.
Po ashtu, ata kanë ripërsëritur, siç bëjnë vazhdimisht, edhe mandatin e tyre në Kosovë, siç i është përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të bazuar në mandatin e tij, të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.
Në lidhje me këtë çështje, edhe Misioni i Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë se është duke kryer patrullime vazhdimisht në pjesën Veriore si dhe në afërsi të Urës së Ibrit.
EULEX përmes një përgjigje për AP kanë thënë të premten se këto patrullime po kryhen në përputhje me mandatin që kanë.
“Në veçanti, për të fituar një kuptim të situatës, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it po kryen patrullime të lëvizshme të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – Mitrovicën Veriore dhe në afërsi të Urës së Ibrit”, ka thënë EULEX-i për Albanian Post.
Të premten u mbajt një takim në mes të ambasadorëve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës), dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku u diskutua për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Pas takimit, në një prononcim tejet të shkurtër, por shumë të qartë, ambasadori i ShBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se QUINT-i, në konsultim me NATO-n, janë kundër hapjes së Urës mbi lumin Ibër.
Por, krejt i ndryshëm do të ishte reagimin i Qeverisë. Ata thanë se ura që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut duhet të hapet dhe se ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt.
Ndryshe, të enjten, ishte zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ripërsëriti se hapja e urës së Ibrit është temë për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Unioni.
Nga kryeqendra evropiane, Bruksel, Stano potencoi se Blloku “nuk ka spekuluar asnjëherë për skenarë apo qëndrim të përgjithshëm kur bëhet fjalë për marrëveshjet që duhet të zbatohen si pjesë e dialogut”.
“Është një qëndrim afatgjatë i Brukselit që vlen për të dyja palët. Çdo hap apo veprim i ndërmarrë apo i planifikuar për t’u ndërmarrë nga njëra apo tjetra palë në dialog, që mund të ndikojë në rrjedhën e bisedës, duhet të zgjidhet ose diskutohet si një nga temat e dialogut nën mbikëqyrjen e BE-së”, theksoi Stano.
Në këtë drejtim, ai është pyetur në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër, ku deklaroi se kjo çështje duhet të jetë temë e dialogut.
“Rihapja e urës në Ibër është temë e dialogut dhe çdo vendim për të duhet të merret përmes dialogut”, shtoi.
Vetëm disa orë më pas, ndaj kësaj deklarate do të reagonte presidentja Vjosa Osmani.
Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit theksoi se nuk ka çka pyetet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se kur hapen urat, duke treguar se kjo çështje s’duhet të bëhet pjesë e dialogut të Brukselit.
“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuçiç-i nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, tha Osmani.
Ajo ka potencuar se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve dhe partnerëve të sigurisë (veçanërisht me NATO-n), “në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve”.
Po për këtë çështje ishte biseduar edhe gjatë një takimi që Kurti kishte pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, më 17 korrik.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhej në njoftimin e kryeministrisë.
Vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që kjo temë të trajtohet në dialog.
Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.
Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.