Nga Ylli Manjani
Në 36 vitet e fundit jemi dëshmitar të dy ektremeve të organizimit politik të shtetit.
Para 36 vitesh gjetëm një shtet me pushtet unitar, kur ndarja e pushteteve konsiderohej teori borgjeze dhe e papranueshme.
Sot, pas 36 vitesh, falë edhe dy ndërhyrjeve drastike kushtetuese të vitit 2008 dhe 2016, kemi një shtet me pushtete të ndara dhe ekstremisht të pavarura njëri nga tjetri.
Asnjë teori e ndarjes së pushteteve nuk ka kuptim e pashoqëruar me ballancën midis tyre. Është ballanca ndërmjet pushteteve ajo që garanton ndalimin e pushteteve abuzive; llogaridhënien; harmoninë politike me çështjet thellësisht shtetërore.
Pushtetet e sotme nuk kanë pika takimi. Madje quhet ndërhyrje nëse pushtetet takohen e bisedojnë. Ekstrem i frikshëm kushtetues me të njëjtën pasojë si shteti komunist unitar,me të vetmin dallim që nuk kemi një parti por të paktën dy të tilla për secilin pushtet.
Nëse edhe parlamenti dhe qeveria do kishin shumicë me koalicion partish mund të kishim edhe një parti-pushtet më shumë. E pavarur edhe ajo si këto të sotmet.
Në Shqipërinë sotme kushtetuese, falë edhe rezultatit elektoral, kemi vetëm dy pushtete:
-Pushtetin politik që sundon ligjbërjen dhe ekzekutivin,
-Pushtetin gjyqsor që funksionon me vetemërim, vetkontroll dhe vetadministrim total.
E përsëris nëse do kishim një shumicë politike mbi bazë koalicioni do kishim edhe një parlament të pavarur nga çdo gjë, edhe nga pavarësia.
Se këtu të gjithë janë të pavarur nga tjetri. Edhe partitë të pavarura janë. Edhe deputetët, ministrat, kryeministrat, drejtorët, punëtorët të pavarura janë. Edhe gjykatësit e prokurorët janë të pavarur edhe nga kolegët e tyre.
Thelbi në këtë analizë nuk është kjo fotografi, por te mungesa thuajse totale e ballancës ndërmjet pushteteve.
Me pak fjalë, dakord që pushtetet kanë kompetencet e tyre dhe i ushtrojnë në mënyrë të pavarur, por kur kompetenca e njërit cënon atë të tjetrin si i bëhet?
Po kur nga pavarësia pushteti abuzon dhe nuk jep llogari askund, çfarë ndodh?! Po kur i emëruar shkarkon të zgjedhurin, pavarësisht ç’thotë zgjedhësi?! Po kur i pavarur abuzon dukshëm me ligjin dhe ska asnjë të pavarur tjetër ta ndalojë?!
Në këtë pikë reformat që kemi bërë, kanë krijuar vakume të frikshme. Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbushë dot të gjitha vakumet sepse ajo nuk mund të prodhojë ligje të reja, as të ketë juridiksion pozitiv.
Duket si muhabet luksi ky, por nuk është. Është problem i funksionimit politik të shtetit. Natyrisht për talibanët dhe për analizën gjobvënëse mediatike ky debat është heretik.
Një shtet me pushtete ekstremisht të ndara, prodhon pasoja të ngjajshme me shtetin unitar komunist që ne njohim.
Kjo vjen pikërisht sepse është hequr thuasje fare ideja e ballancës ndërmjet pushteteve.
Dmth këtu i zgjedhuri vetëzgjidhet dhe i emëruari vetëemërohet, gjithmonë në mënyrë të pavarur. 5 anarkinë e Nolit nuk do mjaftonin ta përkufizonin edhe këtë anarki kushtetuese me pavarësi pa ballancë.
Të gjithë të pavarurit i vënë edhe rrogat vetes në mënyrë të pavarur dhe bjeri ti biem dmth. Në mes janë gjithmonë proçedura të lodhura, të kalbura që nuk garantojnë as garën politike e as funksionimin e shtetit me pushtete, por të ballancuara. Me pak fjalë një korpus legjislativ absurd, pa siguri ligjore dhe që nuk garanton mbrojtje nga abuzimi.
Të vetmet që kanë mbetur në lojë janë ndërhyrjet e natyrës politike, por gjithmonë të debatueshme për shkak të brutalitetit të shumicave politike.
Kam kohë që them se na duhet një Kushtetutë e re.
Na duhet se sbën një e tillë sepse sistemi politik ka nevojë për pushtete të ndara e të ballancuara dhe sistem zgjedhjesh ku vendos zgjedhësi jo partia, e cila edhe ajo është e pavarur nga populli…
Këtu janë të gjithë të pavarur dhe askush nuk jep hesap akujt. Të gjithë bëjnë si cuba kompetencash, pa e vrarë mendjen se po abuzojnë me to.
Ky sistem kushtetues që kemi ndërtuar si eksperiment social e politik, nxit banditizmin jo harmoninë dhe garën bazuar në pavarësi strukturore. Nxit nënshtrimin dhe jo dinjitetin. Nxit përplasjen dhe jo harmoninë.
Kemi kapur ekstreme nga ndërhyrjet eksperimentale që vështirë ti gjesh sot në sistemet politike në botën e qytetëruar. Në definicion shtetin e prezumojmë mafioz dhe grup të strukturuar kriminal. Për pasojë edhe ata që duan (pu)shtetin quhen anëtarë të grupit….
Duhet Kushtetutë e re.
Sa më shpejt ta përqafojmë këtë ide, aq më mirë do jetë për të gjithë.











