Një përplasje ka shpërthyer mes qeverisë rajonale të Madridit dhe asaj baske në Spanjë lidhur me kërkesën e fundit që “Guernica”, ndoshta vepra më e famshme e Picasso-s, të vendoset përkohësisht në Muzeun Guggenheim në Bilbao për të shënuar 90-vjetorin e bombardimit të qytetit bask.
Që nga viti 1992, vepra ka qenë e ekspozuar në muzeun Reina Sofía në Madrid dhe kërkesat e përsëritura për ta zhvendosur në rajonin bask janë refuzuar.
Kërkesa e fundit ka sjellë një shkëmbim fyerjesh mes Isabel Díaz Ayuso, presidente konservatore e Madridit, dhe Aitor Esteban, lider i partisë nacionaliste baske, ku secili e akuzoi tjetrin për “provincializëm”.
Ayuso tha: “Nuk ka kuptim që gjithçka të kthehet në origjinë. Në atë rast duhet t’i dërgojmë të gjitha veprat e Picasso-s në Málaga,” duke iu referuar qytetit ku ai lindi. Ajo shtoi se kultura është universale dhe se zhvendosja e “Guernica”-s rrezikon ta dëmtojë veprën.
Esteban u kundërpërgjigj se provinciale ishte vetë Ayuso, duke thënë me ironi se ideja e saj për identitet kombëtar është si “të pish birrë në tarracën e një bari”, një referencë ndaj insistimit të saj për të mbajtur hapur baret gjatë pandemisë.
Presidenti bask, Imanol Pradales, pyeti: “A ka qeveria spanjolle guximin ta zhvendosë ‘Guernica’-n? Nxorrën Francisco Franco-n nga varri dhe nuk janë të aftë të lëvizin një pikturë nga Madridi në Euskadi (rajoni bask)? Topi është në fushën e tyre.”
Qeveria baske dëshiron që piktura të ekspozohet në muzeun Guggenheim nga 1 tetori deri më 30 qershor për të përkujtuar 90-vjetorin e bombardimit të Guernica-s.
Mjeshtëria bardh e zi e Picasso-s paraqet dhunën e sulmit të kryer nga forcat ajrore italiane më 26 prill 1937, gjatë luftës civile spanjolle. Italia, aleate e gjeneralit Francisco Franco, e përdori bombardimin si një eksperiment të hershëm të bombardimeve ajrore ndaj civilëve.
Vlerësimet për numrin e të vrarëve në Guernica variojnë nga 126 deri në 1 mijë e 654, por vepra e Picasso-s u bë një simbol ndërkombëtar i tmerrit të luftës. Ai e pikturoi menjëherë pas ngjarjes dhe u ekspozua në Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit në vitin 1937. Më pas udhëtoi në Europë dhe SHBA, ndërsa gjatë diktaturës së Franco-s, Picasso kundërshtoi kthimin e saj në Spanjë, duke bërë që për shumë vite të qëndronte në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në New York.
Në vitin 2000, Reina Sofía refuzoi një kërkesë nga MoMA për ta huazuar “Guernica”-n, duke thënë: “Ikona e madhe e muzeut tonë duhet të mbetet, pa përjashtim, e ndarë nga politika e huazimit të veprave.”











