Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet më 8 Mars të cdo viti dhe përkujton lëvizjen për të drejtat e grave. Në Shqipëri kjo festë është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat, të cilat në këtë ditë ndihen të privilegjuara.
Ndërkohë që shqiptarët festojnë edhe 7 Marsin, atë që njihet si Dita e Mësuesit.
Për të komentuar këto dy ditë të rëndësishme të muajit, në studion e emisionit ‘Java në RTSH’ ishin të ftuara psikologia Eni Feruli dhe pedagogia Teuta Nuna.
Sipas Nunës, 7 Marsi shënon më tepër një ditë në nderim të gjuhës shqipe dhe të dijes. Ajo bëri apel që kjo festë të jetë një bilanc për arritjet e vendit në arsimin e të gjitha niveleve.
“Unë e quaj festën e dijes sepse shkolla është pikërisht ajo që përgatit brezat. Duke pasur parasysh aspektin historik, pikërisht 7 Marsi shënoi një kthesë të madhe. Sot kjo ditë është kanalizuar. Megjithatë kjo datë lëshon një kambanë për arritjet tona në arsim” – tha Prof. Dr. Teuta Nuna.
Ndërkohë që për psikologen klinike, Eni Feruli, edhe pse kanë kaluar 100 vite nga Lëvizja për të Drejtën e Gruas, shoqëria ende has mangësi. Feruli tha se sot, pavarësisht rasteve kur femra është e dhunuar, fatkeqësisht ka edhe një aspekt tjetër. Atë kur femra është autore e krimeve si pasojë e vetëmbrojtjes.
“Ne kemi parë plot raste kur bota mashkullore kanë dhunuar deri në vdekje partneret. Dhe pjesë e dëmtimit të krijuar është edhe fëmija, që rritja e tyre bëhet nën shoqërinë e njërit prindër dhunues. Dëmtimet janë psikologjike dhe fizike që çojnë një çrregullim zinxhir të familjes dhe shoqërisë” – tha Feruli në studion e emisionit ‘Java në RTSH’.











