Për të dytën javë radhazi numri i të shëruarve i tejkalon rastet e infektimeve ditore, ndërsa ulje shënon edhe numri i viktimave. Raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë për periudhën 22 deri 27 Mars flasin për 2441 infektime në total, ndërsa të shëruar janë rreth 35% më shumë.
Të martën e 23 Marsit rezultuan mbartës të virusit vetëm 303 persona, shifra më e ulët kjo që prej 18 Janarit. Ulje shënoi edhe numri i viktimave krahasuar me një javë më parë.
Në periudhën 15-21 mars pati 88 viktima nga Covid-19, ndërsa në javën e fundit të Marsit numërohen 67 fatalitete.
Sipas ekspertëve të shëndetësisë është shtrëngimi i masave që ka sjellë përmirësim të situatës, ndërkohë që numri i rasteve aktive në vend vijon të jetë mbi 32 mijë. Ekspertët shohin me shqetësim zgjerimin e hartës së Covid, pasi aktualisht numërohen 142 qytete dhe fshatra të prekura nga infeksioni.
/a.r











