Janez Kopac: Marrëveshja me ÇEZ, kusht për heqjen e vetos çeke për statusin
Kreu i Sekretariatit të Komunitetit Evropian të Energjise flet për çështjen e marrëveshjes së qeverisë shqiptare për zgjidhjen e konfliktit me CEZ. Duke e quajtur çështjen të komplikuar, vlerësoi vendimin e qeverisë për mbylljen e konfliktit të ÇEZ me marrëveshje pa kaluar çështja në arbitrazh.
Sipas tij marrëveshja ishte kusht që Çekia të mos vendoste veton për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Duke prezantuar raportin e këtij sekretariati para komisionit të veprimtarive prodhuese në Kuvend, Kopac tha se Sekretarit i i Komunitetit të Energjisë është i lumtur që kjo çështje u zgjidh sepse i gjithë vendi mbetej peng i kësaj mosmarrëveshje të pazgjidhur. Sipas tij, ishin penguar të gjitha reformat dhe çdo investim potencial nga jashtë. Procedura e arbitrazhit, vijoi ai, zakonisht zgjat 10 vite. “I gjithë vendi do të kishte mbetur peng për 10 vite”, deklaroi Kopac.
Ne, vijoi Kopac, si Sekretariat ishim shumë të përfshirë në këtë çështje dhe marrëveshja përfundimtare mes CEZ-it dhe qeverisë është nënshkruar në zyrën time.
Sipas tij, arritja e marrëveshjes ishte kusht nga Çekia për dhënien e votës pro për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE. “Pas arritjes së marrëveshjes Çekia hoqi veton. Marrëveshja ishte përfekte për të dy palët . Kjo ishte një marrëveshje kompromisi dhe sigurisht duhet të ketë diçka për të dy palët. Çështja ishte shumë e komplikuar. Janë zhvilluar 10 raunde negociatash dhe kjo është zgjidhur në mënyrë të kënaqshme për të dy palet dhe tani jam shumë i pakënaqur që kjo çështje është hapur përsëri. Ju duhet të jeni të kënaqur që kjo çështje u mbyll”, deklaroi Kopac.
I pyetur nga deputetë të komisionit mbi një qëndrim rreth çështjes së DIA-s, Kopac tha DIA nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes CEZ-it dhe Shqipërisë. “Ne merremi vetëm me çështjet e energjisë dhe jo të biznesit. S’ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e komitetit të Energjisë”, deklaroi Kopac. Sa i takon hetimit, Kopac u shpreh se nëse nuk ka besim në vend, mund të kërkosh hetim jashtë vendit.









