Detaje të reja janë zbuluar nga historia tronditëse e Miss Kosovës, Tuti Sejdiu, e cila pak ditë më parë zbuloi se ishte përdhunuar dhe trafikuar në Serbi nga fqinji i saj në moshën 13-vjeçare.
Gazeta Express ka publikuar një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit mbi çështjen e Tuti Sejdiut, ku thuhet se i akuzuari, asokohe ishte 35 vjeç, tani 40-vjeç, është dënuar në vitin 2016 me katër vite burg për veprën penale që sipas legjislacionit të Kosovës cilësohet si “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare” nga Gjykata Themelore. Por vendimi është apeluar dhe dënimi ndaj tij është “zbutur” në 3 vite burg.
Ndërsa në aktgjykim nuk përmendet fakti që Miss Kosova është përdhunuar apo trafikuar nga fqinji i saj.
Në dosje, thuhet se 40-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale më Tuti Sejdiun, atëherë 13-vjeç, në shtator të vitit 2015 në vende të ndryshme në Gjilan, si edhe në Serbi nga data 1 tetor 2015 deri më datën 6 tetor.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri është arratisur në Serbi kur “familja e të miturës zbuloi lidhjen e tyre dhe është vetëdorëzuar në polici në Gjilan më 15 tetor”.
“A.K., 1981,. është fajtor sepse gjatë muajit shtator të vitit 2015 në vende të ndryshme në Gjilan, e pastaj më 26 shtator të vitit 2015 rreth orës 01:00, te moteli “C…”, në rrugën Gjilan-Ferizaj dhe gjatë qëndrimit të qytetit Shabac të Serbisë nga data 1 tetor 2015 deri më datën 6 tetor 2015 e ka keqpërdor seksualisht personin nën moshën 16-vjeç, tani të dëmtuarën e mitur Sh.S. e lindur në vitin 2002, duke kryer marrëdhënie seksuale me të. Pasi që është zbuluar lidhja e të miturës me të pandehurin nga të afërmit e saj, i akuzuari është arratisur në Serbi. Ndërsa më 15 tetor 2016 ai është dorëzuar në stacionin policor në Gjilan. Është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16-vjeçare”. Gjykohet me burgim në kohëzgjatje prej 4-vjetësh”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.
Dëshmia e të akuzuarit në aktgjykim: Marrëdhënia seksuale me dëshirë
Ndërkohë i akuzuari ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por sipas tij, kjo ka ndodhur me dëshirën e e saj.
Ai ka deklaruar se janë njohur në Gjilan, ku edhe kanë shkëmbyer puthje, dhe prej atij momenti kanë komunikuar me telefonin e babait të Tuti Sejdiut.
Ndërsa një ditë pas njohjes kanë shkuar në motel ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale. 40-vjeçari ka deklaruar se nuk e dinte që Miss Kosova ishte 13-vjeçe, por mendonte se ishte 16-vjeçe.
“Kam filluar të punoj në shitoren time në Gjilan, aty ka ardhur e dëmtuara dhe kemi shkëmbyer puthje. Prej atij momenti ka filluar lidhja dhe komunikimi përmes telefonit të babait të saj. Të nesërmen kemi shkuar te motel “C..”, dhe aty kemi pasur marrëdhënie seksuale me vetëdëshirën dhe iniciativën e të dëmtuarës, edhe më herët ajo kishte pasur marrëdhënie seksuale. E kam ditur që e dëmtuara është e mitur, por nuk e kam ditur që është nën moshën 16-vjeç”, dëshmoi ai.
Dëshmia Tuti Sejdiut në aktgjykim: Shkova vullnetarisht
Ndërkohë në dosje është edhe dëshmia e Tuti Sejdiut se cila ka deklaruar: “Edhe pse fillimisht kam shkuar vullnetarisht, ndërkohë kam kërkuar nga ai që të më lëshojë. Gjithashtu, i akuzuari m’i ka dhënë edhe 10 euro dhe e ka ditur për moshën time. Është e vërtetë që kam dalur me të akuzuarin dhe kemi shkuar në motel në Gjilan dhe gjatë kohës sa kemi qëndruar aty, kemi pasur marrëdhënie seksuale dhe i njëjti ka kërkuar nga unë që t’i bëj disa foto, kinse për pasaportë, në mënyrë që të udhëtojmë për Kanada, duke kërkuar nga unë që të mos pranoj, nëse dikush më pyet për lidhjen tonë. Ai ka bërë plane që të shëtisim, por gjithmonë ka thënë që së pari ta arrij moshën madhore, që nënkupton se e ka ditur që unë jam e mitur.”
Në dëshninë e saj, ka deklaruar se për lidhjen e tyre fillimisht e ka ditur e motra, e cila më pas i ka treguar prindërve.
“Pastaj, babai ka kërkuar që të shkoj te gjinekologu dhe në polici. Unë fillimisht kam pranuar, me të vetmen arsye që të kem mundësi me ikë nga shtëpia dhe kam ikur”, është rrëfimi i Tuti Sejdiut në aktgjykim.
Si arriti të kalojë kufirin serb në moshën 13-vjeçe
Ndërsa në dosje jepen edhe detaje se si ajo kishte arritur që ta kalonte kufirin dhe të shkonte në Serbi në një kohë që ishte vetëm 13-vjeçe.
“Pastaj kam kontaktuar me të akuzuarin, i cili më ka kërkuar që ta thirri personin me shkronjën R dhe kam shkuar te ta dhe jam takuar me bashkëshorten e R-së. Dhe nga aty me ka dërguar që të takohem me të akuzuarin dhe pikën kufitare e kam kaluar me të akuzuarin, me të cilin kemi shkuar në Shabac dhe atje kam qëndruar për 6 ditë dhe gjatë asaj kohe, unë kam pasur marrëdhënie seksuale me të akuzuarin me vetëdëshirë, edhe pse i njëjti më ka dhënë para me qëllim që të blej diçka për vete e jo me qëllim që ta kryej aktin seksual me të. Gjatë kohës së qëndrimit në Shabac, një hërë kam tentuar që të ik nga ajo shtëpi për arsye se i akuzuari më ka goditur dhe kjo ka ndodhur një ditë para se të na zë Interpol-i. Në Serbi kanë ardhur mami dhe babi im dhe më kanë marrë nga një strehimore ku isha e vendosur”, ka dëshmuar ajo.
Ndërsa në dëshminë e Tuti Sejdiut në aktgjykim thuhet se ajo ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë, në deklaratat e saj pak ditë më parë Miss Kosova është shprehur se fqinji i saj e ka përdhunuar dhe trafikuar.
Madje ka rrëfyer se familjarët e 40-vjeçarit e kanë kërcënuar dhe fyer përgjatë kësaj periudhe, ndërsa “trafikuesi i saj është zhdukur pas daljes nga burgu”.
Deklaratat e ndryshme, Tuti Sejdiu: Jam kërcënuar, u ndryshuan në favor të tij
Në lidhje me deklaratat e ndryshme të saj, Tuti Sejdiu është kontaktuar nga Gazeta Express. Ajo është shprehur se deklaratat janë ndryshuar në mënyrë që fqinji i saj të dënohet sa më pak, teksa theksoi se është kërcënuar që të “deklarojë ashtu siç i kanë thënë ata, e faktet i ka dërguar në polici e prokurori por prapë personat janë lënë të lirë”.
“Personi pas 2 vitesh e gjysmë ka qenë në liri, gjë për të cilën edhe babi im ka kërkuar llogari, po gjithashtu edhe unë. Deklaratat janë ndryshu në favor të tij që ai të dënohet më pak dhe unë kam qenë e kërcënuar të deklaroj si më kanë thënë ata dhe në këtë rast ka shumë persona të përfshirë, për të cilët kemi dërguar fakte edhe në polici, edhe prokurori, por prapë silleshin të lirë personat këtu dhe atje në Serbi”, tha Miss Kosova, e cila shtoi se qëndon pas secilës fjalë që e ka thënë.
“Por këtë rast tani e ka marrë në dorë Ministria e Drejtësisë, e cila do ta shqyrtojë detajisht këtë rast, për të cilin uroj që drejtësia të bjerë në vend… Po përkujdeset Ministria e Drejtësisë, duke i shqyrtuar të gjitha provat që i posedoj dhe unë qëndoj pas secilës fjalë që e kam thënë”, përfundoi ajo./m.j