Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u takua të mërkurën në New York me Presidentin e Portugalisë, Anibal Cavaco Silva, me të cilin kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.
Presidentja falënderoi homologun e saj portugez për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për perspektivën evropiane të Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Presidenti Cavaco Silva, sipas komunikatës, theksoi se Portugalia mbetet një përkrahëse e palëkundur e Kosovës në procesin e integrimit evropian, nënshkrimit sa më të shpejtë të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.









