Presidentja Atifete Jahjaga me 17 dhjetor, do ti drejtohet Kuvendit në Fjalimin vjetor, raporton Gazeta Express. Burime të Express bëjnë të ditur se e para e shtetit tashmë ka njoftuar organet e Kuvendit për fjalimin e përvitshëm. Adresimi i Jahjagës para të zgjedhurve të popullit pritet të bëhet më 17 dhjetor, ose të enjten e fundit, para nisjes së pushimeve të fundvitit.
Por Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk tërhiqen nga protesta në Kuvend. Frashër Krasniqi, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Klan Kosova se opozita do ta vazhdojë protestën e saj në Kuvendin e Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimi i vizave do të trajtohen në këtë fjalim që ende po bëhet gati. Jahjaga pritet të flasë për sfidat që Kosova i ka në dialog me Serbinë por edhe rreth obligimeve ndërkombëtare lidhur me Gjykatën Speciale.