Nga Jacques Attali
Konferenca ndërkombëtare mbi sigurinë që sapo mbaroi në Mynih, që bëri bashkë, si çdo vit që prej ’63-shit, përgjegjësit kryesorë botërorë në fushën e mbrojtjes, u pasqyrua nga mediat sidomos për fjalimet kumbuese të njërit dhe tjetrit mbi terrorizmin dhe çështjet e migracionit. Megjithatë, një pjesë tjetër e diskutimeve, shumë më të rëndësishme, duhet të ishin dëgjuar me shqetësim dhe seriozitet.
Pamë në fakt udhëheqësit perëndimorë dhe rusë në nivelet më të larta, të debatonin me një dhunë të pabesueshme mbi subjekte nga më të ndryshmet. Deri në atë pikë sa kryeministri rus guxoi të pohojë se një tjetër luftë botërore ishte aktuale dhe se Rusia ishte gjithmonë “fuqia e parë bërthamore e botës”; sekretari amerikan i shtetit, përgjegjës për diplomacinë, kërcënoi me përforcimin masiv të arsenalit të NATO-s në Europë; kryeministri rus replikoi duke shtruar pyetjen nëse amerikanët mendonin se ishin akoma në vitin 1962, në momentin e krizës së raketave në Kubë; kryeministri polak e krahasoi praninë ushtarake ruse në Ukrainë me bombardimet e avionit rus në Siri; drejtuesit baltë shpjeguan se u duhej kundërvënë rusëve në Europën qendrore me të njëjtën mënyrë si në Lindjen e Mesme dhe, në fund, Xhorxh Soros që tentoi të tregojë se presidenti rus kishte ndërmarrë destabilizimin e dhunshëm të Bashkimit europian me qëllim për ta shkatërruar, sa kohë rënia e çmimit të naftës nuk ka gjunjëzuar ende vendin e tij (Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë, çmimet e ulta të të cilave në tregjet ndërkombëtare, defavorizojnë ekonominë ruse – shënimi im).
Kjo konferencë e Mynihut nuk është një kafe tregu ku fjalët i merr era: është vendi më i rëndësishëm në botë, që prej 50 vjetësh, për çështje të debatit strategjik. Askush nuk flet kuturu. Dhe javën e kaluar dëgjuam ca tam-tame të frikshme daullesh, që, nëse do të pasoheshin me efekte, do ta çonin botën në zgrip në muajt e ardhshëm.
Ndërkohë që njerëzimi përballet me sfida të një rëndësie ekstreme, shumë herë më reale se përsiatjet verbale: kriza ekonomike, sociale dhe financiare, kriza ekonologjike, fëmijët që vdesin nga uria, gratë e keqtrajtuara, terrorizmi, e plot të tjera. Pse t’u shtosh një rikthim idiot dhe të pajustifikuar të konfliktit Lindje-Perëndim? Apo për të provuar edhe njëherë, në mënyrën më të keqe të mundshme, se “përpara ishte më mirë”?
Si në tragjeditë greke, jemi thuajse në atë pikë sa nuk e dimë më se kush e nisi. A ishin ukrainasit, që tentuan të reduktojnë statusin e gjuhës ruse si gjuhë kombëtare? Rusët, që aneksuan Krimenë? Amerikanët, duke organizuar sanksionet? Polakët, duke i hedhur benzinë zjarrit në çdo moment? Vendet baltike, duke nxjerrë në pah të gjitha incidentet kufitare pak a shumë imagjinare? Polakët e Brukselit, e para së gjithash Donald Tusk, president i Bashkimit europian? Polakët e Shteteve të Bashkuara, e para së gjithash ata të Çikagos, qyteti i dytë polak më i madh në botë dhe njëherazi qyteti i Obamës?
Në çdo rast është urgjente të ndalohet ky ingranazh tragjik. Sepse, pas kësaj konference të Mynihut, më e keqja është bërë e mundshme. Përkundër dëshirës së popujve. Ndërkohë që mund të bënim kaq shumë bashkarisht, nëse do të dinim të ruanim arsyen. Perëndimorët dhe rusët luftuan të njëjtën luftë kundër terrorizmit dhe krizës ekonomike; europianët duhet të ndërtojnë bashkarisht një kontinent të bashkuar, në të cilin secili duhet të kuptojë se ka interes për suksesin e tjetrit.
Për t’ia dalë, është e nevojshme që të gjithë europianët, ata të Perëndimit dhe të Lindjes, të takohen në një konferencë të madhe për të ardhmen, dhe në një kuadër tjetër nga Mynihu. Për të përpunuar ftohtë dhe me qetësi projekte dhe strategji të përbashkëta, kundër armiqve të tyre të përbashkët.
Pse jo në Paris? Pse jo për një muaj? Kush do ta ndërmarrë nismën? Do ta lemë të kalojë rastin për të rigjetur arsyen?
(përkth. Endri Xhafo)
Jacques ATTALI, ish-këshilltar i presidentit François MITTERRAND dhe ish-president i parë i BERZH (Banka europiane për rindërtim dhe zhvillim), këshilltar i jashtëm i qeverive franceze, autor i shumë veprave për Europën, drejtues tani i një “think tank” për studime strategjike me bazë në Paris.