Një histori si nëpër filma, por me shqiptarë ama. Një letër e shkruar dhe e nënshkruar me dorë e ku flitej për një borxh prej 70 mijë eurosh ishte bërë mollë sherri ndërmjet Bernard Përlazrit dhe Hekuran Morinës. Përlazri kishte insistuar që babai i Hekuranit , Begu, rreth dy vite më parë ia kishte marrë hua 70 mijë euro. Por, letra që më vonë është shpallur e falsifikuar edhe nga organet e drejtësisë, e nuk është pranuar si e vërtetë as nga Hekuran Morina, të cilin dyshohet se e vrau Përlazri të hënën në Prizren. Gjatë muajit janar, Hekuran Morina e kishte denoncuar Përlazrin për reket dhe haraç, por ky i fundit ishte lënë i lirë nga Gjykata 7 ditë më parë.
E njëjta letër mund të jetë shkaku kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës të hënën në Prizren, ndërsa Bernard Përlazri po qëndron në arrati bashkë me tre persona tjerë, si të dyshuar për vrasje. Në vendin e ngjarjes, mbetën të plagosur edhe tre persona tjerë, njëri prej tyre vëllai i Hekuranit, Fadil Morina, një tjetër shoqërues i tyre dhe një kalimtar rasti.
“Beg Morina i murr te Bernard Përlazri me 22.01.2015, 70 000 Euro Borgj. Mrena 6 mujve mu kthy borgji”, ky është teksti që përmban letër-marrëveshja e cila pretendohet se u nënshkrua nga dhënësi i borxhit Bernard Përlazri dhe marrësi Beg Morina.
Beg Morina, babai, tashmë i ndjerë, i Hekuranit (40 vjeçar), i cili u vra të hënën rreth orës 20:30 te rrethi në afërsi të lagjes Bazhderhane të Prizrenit, vdiq me 28 Tetor të 2014’ës. Vetëm pak muaj pasi ai u varros, Bernard Përlazri, në Janar të vitit 2015, kishte shkuar për t’i kërkuar djalit të tij Hekuranit, borxhin prej 70,000 Eurosh që gjoja e ka trashëguar nga babai i tij.
Morina i cili bashkë me vëllezërit drejtojnë një biznes të parketit dhe laminatit, të cilin vite më parë e kishte nisur babai i tyre, Begu, kishte refuzuar t’i jepte paratë duke mos pranuar të ketë trashëguar edhe ndonjë borxh nga babai i tij.









