Nga Maik Baumgärtner & Roman Höfner
Liza Bergman jeton në Kemnic të Gjermanisë, dhe ka me sa duket një problem me fenë islame. Ajo u detyrua të përjetojë një traumë të madhe disa vjet më parë, kur motra e saj Elizabet u vra brutalisht në një park publik të Berlinit. Dy autorët e vrajes ishin emigrantë.
”Kam shumë urrejtje dhe zemërim brenda meje. E di që kjo plagë do të kullojë gjithmonë gjak”- shkroi Bergman në një postim në Facebook në vitin 2015. Që nga ajo kohë është angazhuar në betejën kundër emigrantëve, teksa thotë se punon në Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF).
Një mike e saj në Facebook, e vlerësoi postimin e saj, duke shkruar:”Për besnikërinë ndaj motrës tënde të vrarë, kjo është më e mira që mund të bësh!”. Por mendimet e Bergman, nuk janë tërësisht të njëanshme. Nga njëra anë, ajo e neverit presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe Islamin.
Por nga ana tjetër, e do Turqinë, çajin turk dhe Stambollin. Dhe nuk është se të gjitha postimet e saj në Facebook, janë të natyrës politike. Bergman është fanse e aktori amerikan Leonardo Di Kaprio, ajo mbështet mbrojtjen e kafshëve dhe ndjek futbollin, sidomos skuadrën e Bajernit të Mynihut dhe kombëtaren gjermane.
Ndërkohë, ruan kontakte të ngushta në Facebook me kushërirën e saj Helena, modele dhe artiste që punon në një akademi arti, dhe që përmes artit të saj synon të rrisë ndërghjegjësimin për abuzimet dhe vrasjet e grave nga ana e emigrantëve. Në profilin e saj, ajo shkruan se gratë janë “vrarë nga emigrantët në shumë qytete gjermane”.
Bergman mban gjithashtu mban kontakte të ngushta në FB me vëllain e saj, Davidin, që është i shqetësuar për sigurinë e saj, kur njëri prej vrasësve të Elizabet u betua në gjyqin e tij se edhe Liza do të vdesë gjithashtu. Ose të paktën kjo është ajo që shkroi Davidi në profilin e tij në Facebook.
Fotot në këtë rrjet social, sugjerojnë se të tre janë takuar personalisht, për të përkujtuar motrën e ndjerë. Në një postim, tregohet se ata po udhëtojnë bashkë në vende të ndryshme, për t’u distancuar disi nga ngjarja traumtike. Ata angazhohen me shumë përdorues të tjerë të Facebook, duke nxitur debate të forta për çështje si emigrantët, dhe politikat e azilit të qeverisë gjermane.
Por ka vetëm një problem me historinë tragjike të Bergmanit:Familja nuk ekziston. Në realitet asnjë motër e saj nuk ka vdekur, dhe nuk ka pasur kurrë një mbledhje të anëtarëve të familjes për ta përkujtuar atë. Fotot në profil nuk janë të Liza Bergmanit, por të një aktoreje kiliane të quajtur Jozefina Montane.
Pra familja ekziston vetëm virtualisht. Fantazma e Bergmanëve, është pjesë e një rrjeti të madh të profileve të rreme në Facebook, që zbuloi gjatë verës së shkuar një ekip reporterësh të “Der Spiegel”, teksa po hulumtonte mbi raste të dyshuara të ekstremizmit të krahut të djathtë brenda autoriteteve gjermane të sigurisë.
Fillimisht, ekipi gjeti profilin e një njeriu që dukej mjaft origjinal. Por analiza e mëvonshme e pëlqimeve, postimeve dhe miqve, zbuloi se njeriu në fjalë nuk ishte një person real. “Der Spiegel” dhe Laboratori i Kërkimeve Dixhitale Ligjore, një njësi e Këshillit të Atlantikut në SHBA, ishin në gjendje të identifikonin profile nga mbi 30 vende që komunikojnë në gjuhë të ndryshme.
Profilet e kanë origjinën nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia. Edhe pse është e vështirë të zbulohen që në pamje të parë, asnjë prej profileve nuk është real. Ato janë që të gjitha të trilluara. Në pak muaj, “Der Siegel” dhe DFRLab, analizuan dhe vlerësuan aktivitetet e 330 profileve.
Facebook, që pretendon se ka aktualisht 2.45 miliardë përdorues aktivë në muaj, ka prej vitesh një problem serioz me llogaritë e rreme. Nga janari deri në shtatorin e vitit 2019, kompania zbuloi dhe fshiu rreth 5.4 miliardë profile të rreme. Shumë nga këto profile janë të dizajnuara në një mënyrë amatore, dhe kësisoj janë të lehta për t’u zbuluar për shkak të mungesës së ndërveprimit.
Të tjerët janë më të kuruar në detaje. Facebook e njeh rëndësinë e këtij problemi. Përveç softuerit të ri, që mund të gjurmojë automatikisht llogaritë e rreme, kompania ka ngritur edhe një ekip ekspertësh, që kanë si mision hetimin e rrjeteve më komplekse.
Miqtë e rremë mund të përdoren nga krijuesit e tyre për një numër gjërash, përfshirë ushtrimin e ndikimit politik. Disa vite më parë, Facebook bëri bujë në mediat e gjithë botës, kur disa operativë rus u përpoqën ta përdorin platformën, për të ndikuar mbi votuesit amkerikanë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Si pjesë të fushatës, operatorët përdorën edhe reklamat false përveç profileve të rreme. Kompanitë private të sigurisë dhe qeveritë në të gjithë botën, po i përdorin llogaritë në Facebook, për të zhvilluar fushata të fshehta politike, apo për të kryer operacione të tjera, që synojnë ushtrimin e ndikimit.
Ka shumë gjasa që rrjeti i ndërtuar rreth familjes Bergman, të ketë pasur qëllime të tilla. Përdoruesit e vërtetë në rrjetet sociale, mund të bien viktima të sulmeve hakeruese të ndërmarra nga llogaritë e rreme, të cilat mund të përdorin viruse të fshehura në imazhe ose skedarë të tjerë, që dërgohen në mesazhe private.
Kjo mund t’i lejojë ata të infektojnë kompjuterat, dhe madje t’i kontrollojnë ato nga distanca.
“Që të kesh sot profile false, duhet t’i bësh ata të duken sa më reale që të jetë e mundur, dhe të duken sikur po veprojnë si përdoruesit e vërtetë, që janë të lidhur me njëri-tjetrin, që kanë foto dhe që dërgojnë mesazhe private”-thotë Majkëll Fajër, ndihmësprofesor i teknologjisë së informacionit në Universitetin Ben-Gurion në Negev të Izraelit.
Ai thotë se tregu për këto profile është rritur në një biznes shumë miliona dollarë, dhe se kjo nuk i ka shpëtuar zyrtarëve të Facebook. “Ka një lojë të ‘maces dhe miut’, midis operatorëve të rrjeteve sociale, dhe operatorit të profileve të rreme”-thotë ai. Rrjeti i zbuluar nga “Der Spiegel”, ka qenë aktiv që prej të paktën vitit 2011.
Shumë prej llogarive, përfshijnë shumë informacione të detajuara biografike. Shumica e personave fictive, pretendojnë se punojnë për ushtrinë ose agjencitë e zbatimit të ligjit. Të tjerët, se punojnë në industrinë e turizmit, aviacionit, artit dhe modës.
Gjithsesi, shumica dërrmuese e profileve të rreme, tregojnë foto të grave dhe burrave që i përmbahen idealeve aktuale të bukurisë. Ato duken shpesh si të dalë nga kopertinat e revistave. Gratë kanë tendencën të jenë 20-40 vjeç, dhe postojnë selfi në bikin. Ndërsa burrat, rreth të njëjtës moshë, janë me trup atletik dhe muskulozë.
Por ekziston edhe një anë e errët e këtyre profileve, pasi ato ndjekin një axhendë të mbushur plot urrejtje. Profilet e rreme, përdoren për shpërndarjen e posteve raciste, ndërsa në të njëjtën kohë shprehin admirim për njerëz si Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Kur adresohen çështje politike, toni i tyre ashpërsohet. Merkel, ish-presidenti amerikan Barak Obama, dhe presidenti francez Emanuel Makron, janë ndër armiqtë e deklaruar. Për kancelaren gjermane thuhet se i ka duart me gjak, dhe përçmohet si një vrasëse.
Profilet e rreme janë anëtarë të qindra grupeve në Facebook, të cilat ofrojnë një burim të pashtershëm fotot dhe historish. Dhe ato përdoren si lëndë e parë për krijimin e profileve. Një nga profilet më të mëdha të rreme, ka thuajse 1.600 ndjekës, çka do të thotë që shifra totale e qasjes mund të jetë në dhjetëra mijëra profile.
Gjatë disa javëve, “Der Spiegel” kontaktoi persona realë, që ishin në kontakt me profilin e rremë. Shumica e tyre refuzuan të flasin për këtë gjë. Të tjerët thanë se kishin pasur kontakte vetëm për një periudhë të shkurtër kohe. Pas një sugjerimi nga “Der Spigel” dhe DFRLab, Facebook mbylli llogaritë e lidhura me rrjetin e rremë.
Por numri i profileve të rreme në Facebook, ka ende të ngjarë të vazhdojë të rritet, dhe cilësia e tyre po përmirësohet. “Me teknologjinë e re sot në dispozicion, është e lehtë të krijosh profile të rreme, që duken dhe sillen si njerëzit realë”- thotë Fajër.
Inteligjenca artificiale mund të gjenerojë fytyra që duken si reale, thotë ai, dhe ajo mund të përdoret për të gjeneruar automatikisht tekste koherente, që tingëllojnë si origjinale. Bota e rreme në Facebook, po bëhet gjithnjë e më e madhe./Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel” – Bota.al/