Me ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar për sigurimet shoqërore, ka ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes së pensionit, ku si bazë për llogaritjen e tij, nuk është më pensioni bazë (minimal), por pensioni social. Në kushtet e mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore, me të cilën do të ishte mundësia për njohjen dhe bashkimn e periudhave kontributive, sidomos në dy shtetet fqinjë, Itali dhe Greqi ku numri i emigrantëve shqiptarë është shumë i madh, secili nga këto shtete vepron sipas legjislacionit respektiv. Duke patur parasysh ndryshimet ligjore, një pjesë e madhe e emigrantëve dhe qytetarëve që kanë plotësuar moshën për pension, apo janë në prag të kësaj moshe, nuk e kanë të qartë se cilat janë kushtet për përfitimin e pensionit në Shqipëri dhe cila është baza e mënyra e llogaritjes së pensionit.
Llogaritja
Për sa i përket pensionit të pleqërisë në Shqipëri, sipas legjislacionit shqiptar, ai përcaktohet në këtë mënyrë: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension kur: a) kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas ligjit në fuqi dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurime. Pra, për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite dhe mosha. Për vitin 2016 mosha e daljes në pension, për gratë është 60 vite e 4 muaj (rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056 që arrin në 67 vjeç) dhe për burrat, 65 vjeç (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056), ndërsa vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit për të arritur me 40 vite në vitin 2029. Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit, bëhet përcaktimi si më poshtë: 1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. 2. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. 3. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. 4. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social”. Për ta pasur sa më të qartë këtë përllogaritje, është e nevojshme të dihet se çfarë përfaqëson pensioni social.
Naim Balluku
Pensioni social
Sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri, të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht si masë, pensioni social është në shumën 6 750 lekë.
Formula
Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP( Pensioni i pleqërisë) = PS (Pension Social ) * vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100 * vite sigurimi * BV ( baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994, deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Pagat referuese, koeficientet për vitet e punës
Në rastet kur personi i siguruar, ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 01.01.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1 janar 1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1 janarit 2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me VKM. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8.59. Për ta konkretizuar këtë problem, po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërmarrje ekonomike, që aktualisht është e miratuar në masën 4192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8.59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36 009 lekë. Ndërsa pas vitit 1994, merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientet përkatës, japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit. Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit (i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1.48 jep pagën minimale prej 22 000 lekësh. Po kështu, edhe paga maksimale, e cila ka qenë 74 150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97 030. Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficienteve përkatës, do japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales. Në rast se marrim në mënyrë hipotetike, që një punonjës para vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 15 vitesh dhe paga mesatare e indeksuar rezulton në një shumë prej 25 000 lekësh dhe pas vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 22 vitesh, me një pagë mesatare të indeksuar prej 30 000 lekësh, atëherë baza e vlerësuar do të llogaritet me këtë formulë: Baza e vlerësuar = (15*25 000 lekë + 22 * 30 000 lekë): 37(vite gjithsej ) = 28 000 lekë. Pensioni mujor = (6750*37/35,7 )+ (1/100 *37*28 000) = 6 996 + 10 360 = 17 356 lekë. Sipas nenit 33 të ligjit 104/2014, i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0.5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0.5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes. Në rastin e mësipërm, në qoftë se, ky person ka punuar mbi moshë për një periudhë prej 1 viti e 6 muaj, shtesa mbi pension do të llogaritet, 18 muaj * 0.5 = 9% * 17 356 = 1 562 lekë. Në këto kushte pensioni që do të përfitonte aplikuesi do të ishte i barabartë me shumën 17 356 + 1562 = 18 918 lekë.
Në zyrat e ISSH-së
Sigurimet shoqërore me Greqinë, Bushati: Pengesë fatura e lartë
Fatura e lartë financiare është pengesa kryesore për zyrtarizimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për sigurimet shoqërore. Kështu pohoi dje në seancë plenare ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i cili kërkoi sqarime për çështjet e pazgjidhura me Greqinë. “Çfarë po bëhet për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore? Janë 900 mijë shqiptarë të cilët punojnë me djersën e tyre, kontribuojnë në shtetin grek dhe që kur të kthehen në Shqipëri apo kur të arrijnë moshën e pensionit, megjithëse i kanë paguar kontributet shoqërore në shtetin grek, do të jenë në pamundësi shumë të madhe për të marrë pension në Shqipëri”, – ngriti ndër të tjera, shqetësimin Idrizi. Në përgjigje të tij Bushati tha se kjo çështje është pranuar politikisht por fatura e lartë financiare po pengon zgjidhjen praktike. “Është një çështje të cilën Greqia e njeh por edhe këtu duhet të jemi pak realistë. Nuk është se nuk është adresuar vetëm me Greqinë për shkak të magnitudës financiare që ka kjo çështje. Mund t’iu them se vetëm kësti i tretë që Greqia ka marrë nga Bashkimi Evropian është 8-fishi i fondit buxhetor, i ciklit buxhetor 7-vjeçar që BE-ja ka për vendet e Ballkanit Perëndimor. Imagjinoni që të jetë si çështje diskutimi, në këtë moment që flasim, edhe kjo faturë financiare. Njihet si çështje politike por ka pamundësi nga pikëpamja financiare”, theksoi ai. Por Bushati solli në vëmendje se një problematikë të ngjashme Shqipëria e ka edhe me Italinë apo vende të tjera ku ka shumë emigrantë në një kohë që janë nënshkruar një sërë marrëveshje me vende ku fatura financiare ka qenë më e vogël. “Nuk është vetëm Greqia por ka dhe vende të tjera që ka prezencë të madhe shqiptarësh, ku nuk po arrijmë ta materializojmë këtë marrëveshje, siç është arritur materializimi në vende si Belgjika apo vende të tjera ku fatura financiare nuk ka qenë kaq e madhe. Do të mirëprisja kontributin e secilit prej jush për të dhënë alternativa se si mund të zgjidhet kjo çështje. Është e lehtë të kërkosh për të dhënë llogari por e vështirë për t’u zgjidhur”, tha ai. Kreu i diplomacisë shqiptare dha përgjigje edhe për shqetësimin e Idrizit lidhur me një konference të organizuar nga Ministria e Jashtme greke, e cila sipas tij, është përgatitje ligjore kundër çështjes çame. Idrizi kërkoi nga Ministria e Jashtme shqiptare që të kundërveprojë menjëherë edhe me një notë proteste. “Ju sqaroj që ne nuk mund të bëjmë notë proteste, me gjithë respektin për ju dhe kauzën në Kuvend. Është detyrë e Ministrive të Punëve të Jashtme në të gjithë botën që të mbajnë kanale të hapura komunikimi për një çështje të caktuar, siç e dëshmon dhe kjo konferencë. Më vjen mirë që diskutohet se kjo tregon seriozitetin e Greqisë në raport me Shqipërinë”, ishte përgjigja e Bushatit i cili bëri më pas dhe një pasqyrë plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çështjeve të zgjidhura e të pazgjidhura.
Vendimi i FMN-së
Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi në datë 17 shkurt rishikimin e pestë dhe të gjashtë që qeveria shqiptare ka me këtë institucion duke i hapur rrugë kështu disbursimit të një fondi prej 72.4 milionë euro. Disa nga pikat që u bazua vendimmarrja ishin. “Rimëkëmbja ekonomikë e Shqipërisë në rrugën e duhur. Performanca e autoriteteve nën marrëveshjen e zgjeruar me FMN etj.
Të ardhurat në buxhet
Niveli i të ardhurave në buxhetin e shtetit për muajin janar është realizuar në vlerën e 32.2 miliardë lekë me një diference pozitive prej 5.9 miliardë lekë më shumë e njëjta periudhë e një viti më parë. Referuar statistikave fiskale të Ministrisë së Financave,të një viti me parë, niveli i këtyre të ardhurave ishte 26.3 miliardë lekë. Gjatë gjithë vitit të kaluar, të ardhurat në buxhet janë nën planifikim, ndërsa ky fillim viti po tregon shenja pozitive.
Largime te Financat
Pak ditë pas shkarkimit të ministrit Cani, një tjetër largim ka ndodhur dje në Ministrinë e Financave. Bëhet fjalë për drejtoreshën e Përgjithshme në Drejtorinë e Borxhit Publik, Adela Xhemali, e cila ka komunikuar dorëheqjen. Në lajmin e lëshuar nga dikasteri, sqarohet se Xhemali largohet nga posti për shkaqe familjare.
LSI për koncesionet
Deputetë të LSI-së, përmes një propozimi kanë kërkuar ndryshime në ligjin e koncesioneve, dhe dje kërkesa e tyre është depozituar në Kuvend. Kjo ka qenë nisma e kreut të Grupit Parlamentar, Petrit Vasilit, e cila ka gjetur mbështetjen edhe nga tre deputetë. Deputetët kanë kërkuar që në ligj të futet koncepti i “vlerësimit të alternativës”. Në vlerësimin e marrëveshjes, të përfshihen aktorë të tjerë, si dhe të futen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë.
Dixhitalizim arkivës
Në kuadër të reformave për përmirësimin e shërbimeve dhe transparencës, për të pasur një punë më efikase dhe profesionale, Inspektoriati i Punës nisi procesin e dixhitalizimit të historikut të arkivave të inspektimeve. Drejtori i Inspektoriatit te Punës, Dritan Ylli, tha se “ky është një moment shumë i rëndësishëm për Inspektoriatin e Punës, pasi arkiva dixhitale do të ofrojë një akses dhe një mundësi më të mirë për orientimin dhe planifikimin më të saktë të inspektimeve drejt sektorëve apo dhe kompanive që kanë një histori të njohur risku në raport me ligjshmërinë e marrëdhënies së punës për kushtet e punës dhe për sigurinë dhe shëndetin e punonjësve”./Shekulli