Ja si do bëhet punësimi i të burgosurve
Shqipëria pritet të aplikojë së shpejti praktikën e burgjeve të hapura, duke parashikuar gjithashtu mundësinë e punësimit për të burgosurit që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë.
Nisma e depozituar në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë u jep mundësinë të burgosurve që gjatë ditës të shkojnë në punë dhe më pas të rikthehen në qeli për të kryer dënimin.
Burgjet e hapura janë gjithashtu pjesë e planit të rehabilitimit për të burgosurit dhe konsiderohen edhe si “burgjet e trajnimi”. Projektligji parashikon që burgjet me regjim të hapur janë institucionet, ku vuajnë dënimin të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim.
Po ashtu, ligji parashikon kualifikimin për t`u transferuar në këto burgje, të të dënuarve të cilëve u ka mbetur për të vuajtur më pak se 2 vjet burgim dhe kanë respektuar rregulloren e brendshme të institucionit. Transferimi i të dënuarve në një burg të regjimit të hapur do të bëhet përmes një vendimi që merret nga Komisioni i Transferimit dhe jo nga gjykata.
“Masa konkrete do të ndërmerren përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke rritur bashkëpunimin me organizatat jofitimprurëse që kanë në fokus rehabilitimin e të dënuarve si dhe me Shërbimin Kombëtar të Punës, për të mundësuar në vazhdimësi përmbushjen e së drejtës së të dënuarve në prag të lirimit për t`u trajtuar me shërbime dhe për t`u mbështetur financiarisht në përpjekjet e tyre për gjetjen e një pune fitimprurëse të përshtatshme për cilësitë individuale dhe aftësitë profesionale” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Trajtimi i të burgosurve i kushton shtetit shqiptar shumë të mëdha buxhetit të shtetit. Një studim i kryer kohë më parë ka dalë në konkluzionin se një i burgosur i kushton arkës së shtetit mesatarisht 5 mijë dollarë në vit.
Redaksia Java News/ f.g









