Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dhënë vendimin për çështjen ndaj Florian Habilajt, Armando Sulajt, Sabaudin Çelajt dhe Tigrens Mëzurajt, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, ndërsa vendimi është shpallur nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Esmeralda Xhili, Arbana Selmanaj dhe Migena Laska.
Sipas vendimit nr. 79, datë 5 dhjetor 2025, GjKKO ka deklaruar fajtor Florian Habilajn për disa episode të trafikimit të narkotikëve, përfshirë një rast të mbetur në tentativë, si dhe për krijim të grupit të strukturuar kriminal. Pasi u bashkuan dënimet në një të vetëm prej 15 vitesh burg dhe u aplikua ulja me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite heqje lirie në një burg të sigurisë së lartë.
Armando Sulaj u dënua fillimisht me 9 vite burg për trafik narkotikësh dhe 2 vite për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Gjykata bashkoi dënimet në një masë prej 9 vitesh, të cilat pas uljes me një të tretën përfunduan në 6 vite burg. Edhe ai do ta kryejë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë.
Sabaudin Çelaj u shpall fajtor për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe u dënua me 15 vite burg, si dhe me 3 vite të tjera për grup të strukturuar kriminal. Pas bashkimit të dënimeve dhe përfitimit të uljes 1/3 nga procedura e shkurtuar, ai do të vuajë gjithashtu 10 vite burg.
Ndërkohë, Tigrens Mëzuraj u dënua me 8 vite burg për trafikim narkotikësh dhe me 2 vite për grup të strukturuar kriminal. Dënimet u bashkuan në një masë prej 9 vitesh, të cilat, pas uljes për procedurë të shkurtuar, përfunduan në 6 vite heqje lirie që do të kryhen në një burg të sigurisë së lartë.
GjKKO vendosi që të gjitha shpenzimet procedurale dhe gjyqësore t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. Palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.











