Ja pseudonimet e reja në media e politikë
Sapo u botua,
listë e kutisë sime,
me tri-katër emra,
dhe pseudonime!
Një mesazh i ri,
urgjent më ka ardhur,
dhe pseudonimet,
pak a shumë ka zbardhur!
Kur po e lexoja,
për herën e dytë,
ndjeja si nga vendi,
po më dilnin sytë!
Vetëm Artan Hoxhës,
ju qepëm për besë,
po ka si Artani,
në media nja pesë!
Ca emra në mend,
dhe ju mund t’i mbani,
se tek “Opinioni”,
del gjithmonë “Korani”!
Një që qe ministër,
sa një mulahim,
i kishin vënë “Vogli”,
si pseudonim!
Një ministër rendi,
kjo është e veçanta,
bënte edhe vjersha,
ndaj dhe quhej “Çanta”!
Një Kryetar Lidhje,
më pas deputet,
quhej: “Shishe e qumështit”,
çudi e vërtetë!
Një që qe tek “Zëri”,
me PD-në e pleksi,
quhej fiks si ç’është,
domethënë: “Rjepsi!”
Nuk ka shumë logjikë,
po logjikën kape,
pse një gazetar,
thërritej: “Çorape!”
Një gazetar tjetër,
thoni në e pafshi,
ka emër – për emër,
quhet Alfons Ballshi!
Një i ALUIZNI-t,
që ka qenë lum miku,
se kuptoj se pse,
quhej “Qukapiku”?!
Një që në Athinë,
qe ambasadori,
nëpër ato dosje,
quhet “Profesori!”
Një që në financa,
qe shumë kohë i pari,
meqë është nga Korça,
thërritej “Korçari”!
S’mund ta përsërisim,
se ç’qe Jozefina,
po Sali Berisha,
quhej “Penicilina”!
Një ballist i thekur,
që s’i gjendej shoku,
unë nuk e kuptoj,
pse thërritej “Doku”?!
Një që ka shoqatë,
dhe e njeh gjithë Bota,
shumë poetikisht,
e thërrisnin “Holta”!
Dihet që thërritet,
Preçi “Çiftelia”,
po që kish një “Ylli”,
këtë nuk e dija!
Një që tek Fevziu,
hiqet si më burri,
sot ka goxha mjekër,
por quhej “Bozhuri”!
Këto s’i ka shpikur,
një biçim debili,
se një që ka ikur,
quhej “Trëndafili”.
Dy me emra lulesh,
janë tek defteri,
dhe listën e ardhur,
e mbyll “Inxhinieri”!
Po për të një emër,
nuk ka – o lum miku,
si s’ka “Stilolapsi”,
edhe “Masoviku”!
Të gjithë janë aktivë,
me tekst e muzikë,
në gazetari,
dhe në politikë!
Pse nuk hapen dosjet,
thonë këtej nga ne,
kur shumë bashkëpunëtorë,
janë në moshë të re!
S’është qëllimi im,
që t’u nxij fytyrën,
se për atë kohë,
kanë bërë detyrën!
S’e di janë – a s’janë,
Turp’ i Shqipërisë,
po s’mund të jenë Asat,
e demokracisë!
Gazeta Dita