Nga Altin Ketro
Argumentet e presidentit Ilir Meta se më 8 qershor, pasi kishte filluar zyrtarisht fushata elektorale, i anuloi zgjedhjet e dekretuara të 30 qershorit sepse iu tremb një akti të rëndë që konsistonte në djegien e Kuvendit të Shqipërisë, është një nga argumentet më fyese e disfatiste që një kryetar shteti i bën vendit të vet. Komandanti i Përgjithshëm (pa grada) i Forcave të Armatosura të RSH, me këtë argument kryesor, tregoi një zbythje shtetërore kundrejt një grupi hipotetik prej 10 apo 15 personash të ardhur nga kufiri verior i Shqipërisë.
Në rast se ky ishte shkaku, më mirë do pranoja të pushtohej Kuvendi, sesa një kryetar shteti, pa pyetur më parë kryeministrin dhe ministrat përgjegjës nëse qeveria e përballonte dot këtë “agresion”, të binte preh e frikës prej këtij grupi individësh, duke i mohuar një populli të tërë të drejtën për të zgjedhur qeverisësit vendorë.
Për analogji, më 14 shtator 1998 turma i vuri zjarrin kryeministrisë, e mori atë nën kontroll, e bashkë me të edhe selinë e Kuvendit, sallën e seancave plenare dhe radiotelevizionin publik. Pas 5 orësh i dorëzoi si institucionet qeveritare, ashtu edhe tankun që e kishte poshtë selisë së saj.
Në këtë kontekst, presidenti ka gjetur argumentin më të padenjë që një shtetar duhet të bëjë. Me ç’u pa gjatë gjithë protestave të opozitës, policia kishte mjaftueshëm gaz lotsjellës për të përballuar çdo tentativë të turmave për të kaluar traun e makinave në rrugën drejt sallës së seancave plenare. Çdo tentative me molotov drejt saj apo dhe kryeministrisë e përballua më së miri nga policia.
Ato protesta ishin tërësisht të kontrolluara nga opozita dhe çdo incident ndodhte apo shmangej thjesht me një urdhër nga SHQUP-i. Prandaj, ashtu si më 14 shtator 1998 Sali Berisha nuk arriti dot t’u gëzohej institucioneve të pushtuara, ashtu edhe Lulzim Basha nuk do kishte shans të kalonte vijat e kuqe. Ato vija, pasojat e kalimit të së cilave ia përmendi nominalisht me emër zoti Palmer, atij dhe zonjës së presidentit.
Frika e presidentit se çoç do ndodhte pas 22 ditësh, sërish është fyese për një funksionar të lartë si ai. Më 13 mars 1997 Shqipëria nuk kishte asnjë kriminel nëpër burgje. Ata, jo vetëm ishin jashtë e të lirë, por në kuadër të hapjes së depove ushtarake, kishin në duar arsenal të rëndë armësh. E jo vetëm ata, por kushdo që në ato muaj të trazuar, mundi të armatosej deri në dhëmbë me gjithfarëlloj armësh luftarake. Në shumë qytete të vendit rezultonin të djegura apo të dhunuara, komisariate policie, bashki, gjykata, prokurori, hipoteka etj. E megjithatë, pas tri muajsh, në atë klimë paniku e pasigurie, Shqipëria zhvilloi zgjedhje, kur normalisht i duhej minimumi tri vjet që t’i organizonte ato në mënyrë më të pranueshme.
E pra, presidenti Meta na e paraqiti 30 qershorin 2019 më keq se qershori i vitit 1997. Edhe sikur në prag të 30 qershorit të kishte një situatë të jashtëzakonshme për shkaqe natyrore si tërmete, zjarre apo përmbytje, shtyrja e zgjedhjeve duhej bërë vetëm në ato zona ku prekja prej këtyre shkaqeve i pamundësonte ato. Sepse 30 qershori ishte votim për të zgjedhurit vendorë dhe një fatkeqësi hipotetike në një bashki tjetër disa qindra kilometra tutje, nuk kishte përse të prishte procesin në atë bashki ku nuk kishte ndodhur gjë.
Në fakt, ngjarja e jashtëzakonshme kishte ndodhur vetëm në selitë e SHQUP-it dhe LSI-së, ku kryetarët e partive respektive morën atë paralajmërim të fortë nga përtej oqeanit, se çdo ngjarje që do të ndodhte, do kishte ata si përgjegjës. Preteksti për ta kamufluar këtë paralajmërim duke gjetur si sebep informacione për djegie të Kuvendit, e plotësuar më pas me justifikime për mungesën e opozitës në zgjedhje, në fakt janë një shërbim që presidenti i bënte bashkëshortes dhe ish-partisë së tij të cilën e shihte jashtë çdo vendimmarrje politike.
Më 30 qershor populli opozitar e kishte emrin në listat e zgjedhësve. Atyre as nuk iu mohua e as iu pengua vajtja në kutitë e votimit për të shprehur vullnetin e tyre politik. Këtu përfundon përgjegjësia e qeverisë. Mungesa e PD, LSI dhe partive të tjera në fletën e votimit është tërësisht përgjegjësi e kryetarëve të atyre partive që ia mohuan elektoratit të tyre ofrimin e kandidatëve për kryetar bashkie.
Me kaq sa thashë më lart, mbyllet çdo argument që përpiqet të justifikojë anulimin e zgjedhjeve dhe merr jetë gjetja në faj e presidentit Meta si arsye për ta shkarkuar atë nga detyra. Që ai ka shkelur kushtetutën, këtë nuk kemi pritur të na e thotë Komisioni i Venecias. E kemi thënë qysh të nesërmen e dekretit për zhdekretim.
Këto ditë, edhe pas mendimit me shkrim që na paraqiti Komisioni i Venecias, janë shtuar zërat për dorëheqje të presidentit Meta, në kuadër kjo edhe të një zotimi të tij për t’u dorëhequr nëse Venecia konstatonte shkelje.
Në lidhje me këtë çështje jam kundër dorëheqjes së presidentit Meta, qoftë edhe duke shkelur mbi zotimin e tij. Ai pa diskutim që do të shkarkohet nga Kuvendi, por presidenti duhet të përballet në Gjykatën Kushtetuese. Në rast se ai jep dorëheqje pa u shprehur gjykata, nesër, kur ajo të formohet dhe çështja të kalojë tek ajo për interpretim, rrezikon që gjykata ta pushojë çështjen, meqë subjekti tashmë e ka dhënë dorëheqjen dhe gjykata nuk mund të shprehet për diçka që nuk ekziston.
Pra, mund të ndodhë si në situatën me ish-presidentin Nishani i cili dekretonte ministrat për shkarkim, por nuk dekretonte ministrat e emëruar dhe çështja shkoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Por, kur kjo gjykatë u mblodh atë këtë çështje (nr. 69, datë 22.04.2016), ajo nuk e kalo fare në seancë plenare, pikërisht për faktin se tashmë ministrat e rinj ishin dekretuar dhe gjykata nuk mund të shprehej për një çështje e cila kishte marrë zgjidhje prej palëve në konflikt.
Në rastin tonë, një dorëheqje e presidentit mund t’i japë shkak gjykatës për ta anashkaluar interpretimin e shkeljes së tij. Prandaj presidenti Ilir Meta duhet të mos japë dorëheqjen, që Gjykata Kushtetuese të ketë arsye për ta shqyrtuar atë në themel e në mënyrë shteruese. Kjo ka rëndësi thelbësore me qëllim që interpretimi i saj t’i japë fund njëherë e mirë çdo aventure të presidentëve të radhës të cilëve, për interesa të ngushta politike, mund t’u teket që të anulojnë zgjedhjet edhe ditën e zgjedhjeve, duke parë që partia apo koalicioni që ata përfaqësojnë, nuk i ka edhe aq mirë punët.