Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në skenën politike shqiptare, hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për aferën “CEZ-DIA” po marrin përmasa të reja. Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ilir Metës, zbulon juristi Kara, kanë kontribuar në thellimin e hetimeve për këtë dosje, duke sjellë provat që e rendisin ish-presidentin në qendër të akuzave.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokati Romeo Kara, një nga zërat më të besueshëm të denoncimeve të aferave korruptive e kriminale në Shqipëri, ka paralajmëruar se mund të ketë “ditë të zeza” për familjen Berisha gjithashtu. Dosjet “Partizani” dhe “21 Janari” po rrezikojnë të nxjerrin në dritë një të vërtetë të rëndë për kreun e Partisë Demorkatike, Sali Berisha.
Këto detaje, tregojnë se shqiptarët mund të përballen me një moment vendimtar në drejtimin e drejtësisë. Në këtë kontekst, përballja me akuzat dhe përgjegjësitë politike bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
-Zoti Kara, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet për ngjarjen e “21 Janarit”. Si e mbani mend atë moment dhe a besoni se kjo ngjarje do të zbardhet? Sipas jush, kush janë përgjegjësit për masakrën e “21 Janarit”?
Ajo ngjarje nuk mund të analizohet pa marrë parasysh aferën Ilir Meta me bllok në dorë, aferë e cila iu ofrua opinionit të gjerë nga ish-ministri Prifti. Impakti në publik ishte i tillë sa që realisht kam menduar se reagimi popullor do të ishte pikërisht ai që ishte në ‘21 janar’. Këtë bindje ma forcoi edhe qëndrimi jo i prerë dhe pa ekuivok i Sali Berishës si kryeministër, qëndrim i cili vulosi edhe natyrën e protestës që u bë më pas.
Sjellja e palëve, para, gjatë dhe pas protestës, ku dallohet qartë konflikti zyrtar dhe publik midis qeverisë dhe Berishës personalisht me prokurorinë, Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme, flet qartë se përgjegjësia kryesore për atë masakër ishte vetë Berisha, i cili jo vetëm që nuk arriti ta menaxhojë zemërimin e ligjshëm popullor, por pengoi drejtpërdrejt organin e hetimit më pas.
Ajo masakër vulosi përfundimisht fatin politik të Berishës dhe tashmë me zbardhjen e saj edhe fatin e tij ligjor. Gjakatarizmi, së bashku me korrupsionin, janë bërë tashmë sinonim të Berishës si person dhe berishizmit si mendësi politike. Pikërisht përballë kësaj mendësie kriminale, që ka rrënjë të forta në mentalitetin tonë, duhet frymëzuar dhe përkrahur në çdo aspekt drejtësia, përfshirë edhe atë lidhur me këtë proces.
Zbardhja e asaj masakre është domosdoshmëri jetike për të gjithë shqiptarët, të cilët aspirojnë të jetojnë të lirë në vendin e tyre, të lirë në mendime dhe në të folur, të lirë për të protestuar për të drejtat e tyre, të lirë për të vendosur mbi fatin e tyre dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës, ku do të sundojë ligji dhe vetëm ligji dhe ku askush, sado fuqi politike, ekonomike dhe kriminale të ketë, nuk do të mund t’i shmanget ndëshkueshmërisë.
Pra, jam plot shpresë se kjo ngjarje do të zbardhet dhe autorët e saj do të dalin përpara drejtësisë. Ata protestues i vrau përpara zyrës së Berishës pikërisht shteti, shteti i drejtuar në të gjitha pikëpamjet nga Berisha, i cili asnjëherë nuk u pajtua me fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe.
-Dosja e aferës “Partizani” ka shkuar në GJKKO, ndërkohë që është zgjidhur gjyqtarja që do të vendosë për gjykimin e ish-kryeministrit Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit. Mendoni se Berisha dhe Malltezi do të merren të pandehur?
Ata tashmë janë marrë të pandehur që kur organi i Prokurorisë së Posaçme iu komunikoi akuzën. Me sa kuptoj, ju doni të dini nëse do të shkojë apo jo kjo çështje për gjykim, pas seancës paraprake ose jo. Jam shumë i bindur, duke lexuar dosjen tashmë të publikuar, se Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë aferë, përfshirë edhe dhëndrin e tij, do të përballen gjatë në këtë gjykim dhe do të marrin dënimin e merituar. Pra, kjo çështje do të shkojë patjetër në gjykim.
-Nga ana tjetër, ju keni dëshmuar në SPAK në lidhje me aferën “CEZ-DIA”, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro. Në dosjen e saj janë të akuzuar presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, si dhe Sali dhe Shkëlzen Berisha. Si po ecin hetimet dhe a rrezikohen pozitat e Metës dhe Berishës?
Mendoj se hetimet lidhur me aferën ‘CEZ-DIA’ po i shkojnë drejt përfundimit të tyre dhe do të kemi shumë shpejt edhe komunikimin e akuzave përkatëse lidhur me personat përgjegjës. Nuk besoj kurrsesi se ajo çështje do të pushohet dhe këtë më mirë se kushdo, e di edhe vetë “hirësia” e tij Meta, i cili, pas humbjes së vetëkontrollit, një gjë e cila iu bë ves, ka pranuar nëpër konferenca shtypi se bashkëpunëtorët e tij mund ta implikojnë atë në këtë aferë. Pra, koalicioni Meta-Berisha do të shkojë këtë herë dorë për dore si në fushatë elektorale ashtu edhe në gjykatë.
/a.r