Pas një takimi kokë më kokë që zgjati rreth 3 orë, në orën 01:20 Basha dhe Rama dolën së bashku në një konferencë për mediat për të deklaruar se marrëveshja do të hartohet dhe do të detajohet 24 orët e ardhshme, dhe pasi ajo të firmoset do të jepen qëndrimet përfundimtare.
Basha foli i pari për mediat, ndërkohë që Edi Rama i qëndroi në krah edhe gjatë komunikimit të shkurtër për mediat.
“Marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm pas detajimit do të kemi një komunikim publik të të gjitha detajeve dhe marrëveshjeve”, tha dje Basha.
I pyetur për datën e re të zgjedhjeve, Lulzim Basha nuk preferoi të flasë, ndërkohë që Edi Rama i ka ardhur në ndihmë, duke thënë se ai do të ishte dakord 100% me propozimet e Lulzim Bashës.
“Sa më përket mua, më lejoni të jem 100 për qind dakord me kryetarin e opozitës”, u shpreh Rama. Pas këtij komunikimi të shkurtër për mediat, Edi Rama i ka zgjatur dorën Lulzim Bashës dhe për herë të parë të dy i shtrënguan dorën njëri-tjetrit.
FJALIMI
Pas këtij takimi, Basha u drejtua në këmbë drejt çadrës së protestës, ku militantët e PD-së e pritën me brohoritma, ndërsa Edi Rama është larguar me makinën e tij. Basha nga çadra njoftoi se ditën e nesërme do të nisin përgatitjet për zgjedhjet e lira, ndërkohë që bëri të ditur mbylljen e çadrës së protestës.
“Gjithçka ka ndryshuar. E pamendueshmja e para 3 muajve më parë, sot është realitet. Nesër nisin përgatitjet për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhjet të lira dhe të ndershme, dhe për të nisur së bashku rrugën drejt një Shqipërie ku gjithçka do të ndryshojë, ku asgjë nuk do të jetë si më parë, bazuar vetëm mbi vullnetin, qëndresën dhe bashkimin tuaj. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.
NDRYSHIMI SALLAVE
Kreu i qeverisë, Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kanë zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës takimin më të gjatë kokë më kokë midis tyre në këto katër vite. Takimi i parë me aleatët është përmbyllur rreth orës 22:00, ndërkohë që Rama dhe Basha kanë vijuar deri në orët e vona të mëngjesit të ditës së enjte.
Takimi fillimisht është zhvilluar në sallën e Byrosë së Kuvendit, por pasi Rama ka kërkuar që të qëndrojë vetëm me Lulzim Bashën takimi mes tyre është spostuar në sallën “Pjetër Arbnori”.
Salla e Byrosë së Kuvendit është e rrethuar nga sistem kamerash, të cilat gjatë ditëve normale shfrytëzohen për të regjistruar mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë apo të konferencave të kryetarëve, ndërsa salla “Pjetër Arbnori” është përdorur kohët e fundit për pritje apo konferenca të mëdha. Në këtë sallë Basha dhe Rama mësohet se kanë konsumuar tri porosi me kafe dhe ujë.
Përmbledhje e pikave kryesorë në propozimin e integruar (“McAllister Plus”) paraqitur nga Ndihmës Zëvendës Sekretari Hoyt Yee më 16 maj 2017
- Një zëvendës Kryeministër i përkohshëm (person jo-politik), i propozuar nga opozita;
- Caktimi konsensual i katër ministrave (ekspertë teknik të respektuar) me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor;
- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i zgjedhur nga opozita;
- Avokati I Popullit i zgjedhur nga opozita;
- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, te cilat do te garantojnë standardet më të larta të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme;
- Përzgjedhja konsensuale e një kandidati të respektuar për President, i pranueshëm për Qeverinë dhe për Opozitën. (Nuk është më e mundur pasi Presidenti tashmë është zgjedhur në Parlament vetëm me votat e shumicës qeverisëse)
- Krijimi i një ministrie të re speciale, të drejtuar nga një figurë politike e zgjedhur nga opozita, e cila do të merret ekskluzivisht me zbatimin e çdo hapi që duhet të merret, në mënyrë që në të ardhmen shqiptarët mund të kenë mundësinë të votojnë përmes një sistemi elektronik.
- Ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike.
- Ndryshime në Kodin Penal, dënime më të ashpra për blerjen e votës, fotografimin e fletës së votimit dhe krime të tjera lidhur me zgjedhjet.
- Burime shtesë për KQZ-në për të monitoruar financimin e zgjedhjeve dhe transparencën e shpenzimeve, duke përfshirë auditues ndërkombëtarë për financimin e fushatës së partive politike dhe ndryshime të mundshme në ligjet përkatëse.
- Emërimi i ekspertëve teknikë si zëvendësministra në ministritë që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor
- Caktimi i përkohshëm i personave të respektuar, të cilët nuk përfaqësojnë parti politike, si zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Policisë dhe monitorim i fortë ndërkombëtar për të parandaluar abuzimet e mundshme të administratës publike.
- Strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe 12 Zëvëndës Drejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP.
- Shtyrja e zgjedhjeve deri më 16 korrik (Ky propozim daton që nga 25 prilli, pra 3 javë para se propozimi i integruar ju prezantua palëve!)
- Droga:
- Komuniteti ndërkombëtar do të monitorojë çrrënjosjen e kanabisit.
- Pjesëmarrja e opozitës në Task Forcën Kombëtare të luftës kundër Drogës.
- Dekriminalizimi (Largimi dhe parandalimi i kriminelëve nga mbajtja ose kërkimi i posteve publike)
- Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë të kandidatëve në listat partiake dhe të koalicionit.
- KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë, me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuara në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe Kodin Zgjedhor)
- Angazhimi i SHBA dhe partnerëve të tjerë për t’u dhënë Kryetarëve të partive politike rekomandime të mbështetura mbi të dhënat penale të kandidatëve.
- Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitotorimit të regjistrit të zgjedhësve.
- Mbështetje ndërkombëtare për KQZ-në për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës, për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
- Mbështetje ndërkombëtare për vëzhgimin e rolit të medias në zgjedhje dhe caktimin e segmenteve orare në media. Ndalimi i transmetimeve të videokasetave të partive politike të regjistruara më parë pa identifikim të qartë.
- Kthimi i Opozitës në Parlament, për formimin e Komisioneve të Vetingut./a.ç