Një fotografi mund të ketë vlerën e 1000 fjalëve, por jo çdo foto arrin të tregojë një histori të tërë. Lexoni disa nda detajet interesante që fshihen pas imazheve më ikonike të botës, nga ngritja e flamurit në Iwo Jima, tek nxjerrja e gjuhës nga Albert Ajnshtajni.
1- “Nëna migruese”, 1936, Kaliforni
Në vitin 1936, fotografja Dorothea Lange kapi imazhin e një gruaje në mëshirë të fatit, 32-vjeçares Florence Owens, me një foshnjë dhe dy nga 7 fëmijët e tjerë të saj në një kamp ku mblidheshin bizele në Kaliforni. Lange e quajti foton “Nëna migruese”, dhe e përdori për një projekt për punëtorët migrues agrikulturorë.
Fotoja e saj u publikua nëpër gazeta, duke shtyrë qeverinë që të shpërndante ndihma ushqimore në kamp, ku mijëra njerëz ishin të uritur dhe jetonin në kushte të këqija. Por në atë kohë, Owens me fëmijët e saj ishin larguar nga ajo zonë. Foto e Lange u bë imazh identifikues i Depresionit të Madh, por identiteti i gruas në foto mbeti mister për publikun për dekada me radhë sepse Lange nuk e kishte pyetur Florence-n për emrin e saj.
Në fund të viteve ‘70, një reporter e gjeti Owens në shtëpinë e saj në Kaliforni. Mbiemri i saj i vërtetë ishte Thompson, dhe vdiq në moshën 80-vjeçare në vitin 1983. Lange u ndje e shfrytëzuar për foton që bëri dhe shprehu keqardhje që nuk kishte nxjerrë ndonjë fitim nga fotoja. Në vitin 1998, një foto e printuar me firmën e Lannge u shit 244 mijë dollarë në ankand.
2- “Ngritja e flamurit në Iwo Jima”, 1945, Mt. Suribachi
Më 23 shkurt të vitit 1945, fotografi i Associated Press, Joe Rosenthal shkrepi një foto të 6 marinsave që ngritën flamurin e SHBA-së në Mt. Suribachi, në pikën më të lartë të ishullit japonez, Iwo Jima.
Lufta, një nga më të përgjakshmet e historisë së marinës amerikane, filloi më 19 shkurt 1945, kur amerikanët pushtuan ishullin e fortifikuar. 4 ditë më vonë ata e morën vendin dhe vendosën një flamur të vogël. Megjithatë, po atë ditë, flamuri i vogël u zëvendësua me një më të madh, që shihej nga anijet në det.
Fotoja e Rosenthal tregon ngritjen e flamurit të dytë të madh me yje dhe vija.
Fotografi i luftës u akuzua se e kishte organizuar qëllimisht që kjo foto të bëhej dramatike, por ai e mohoi akuzën dhe dëshmitarët okularë e mbështetën.
Kjo foto u bë një simbol i fuqishëm patriotik dhe fitoi çmim Pulitzer dhe shërben si model në Memorialin e Trupave Detare pranë varrezave Kombëtare Arlington. Tre nga marinsat që janë në foto, u vranë në aksion gjatë luftës, ndërsa tre të tjerët u kthyen në SHBA si heronj dhe u dukën në disa mitingje për shitjen e bonove të luftës.
3- “Festa e Ditës V-J (Fitorja mbi Japoninë), Nju Jork
Fotografi i famshëm, Alfred Eisenstaedt kapi foton e një marinari duke puthur një grua të veshur me të bardha në mes të Nju Jorkut më 14 gusht 1945, kur u njoftua se Japonia u ishte dorëzuar aleatëve, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.
Fotoja e tij u publikua në revistën LIFE në 27 gusht të atij viti. Edhe fotografi Victor Jorgensen i kishte bërë një foto nga një kënd tjetër çiftit.
Asnjë nga fotografët nuk e pati fatin ta pyeste çiftin për emrat. Eisenstaedt tha se atë ditë më pas kishte mijëra njerëz të tjerë që puthnin njëri-tjetrin.
Në vitet që pasuan, një numër i madh burrash e grash erdhën për të deklaruar se ishin ata në foto, por ajo foto u bë simbolikë e momentit të përfundimit të luftës. Një libër i vitit 2012 “The kissing sailor”, e identifikoi çiftin me emrat George Mendonsa dhe Greta Zimmer.
Ndërkohë vini re në foto që ndërsa ndodhte puthja, pas tyre një vajzë të re, buzagaz, është në të afruar.
Është Rita Petri, – vajza me të cilin marinari kishte lënë takim atë ditë tek Radio City Hall. E intervistuar vite më pas nëse qe bërë xheloze tek shihte Xhorxhin duke puthur një tjetër, ajo u përgjigj: “Jo. Në atë kohë ne nuk njiheshim. Ai qe takimi ynë i parë. Vetëm se kur e kujtoj atë skenë më duhet ta pranoj që Xhorxhi s’më ka puthur mua asnjëherë si atë vajzë të panjohur”. Sot, ish-infermierja Greta Zimmer Friedman edhe Xhorxh Mendoza janë në moshë të thyer. Atyre u është dhënë rasti të takohen disa herë më pas, por asnjëherë s’u lindi dëshira për të përsëritur atë puthje.
4- Albert Ajnshtajn, 1951, Nju Xhërsi
Më 14 mars 1951, fotografi Arthur Sasse kapi imazhin e Ajnshtajnit duke u larguar nga festa e 72-vjetorit të lindjes që u bë në nder të tij në Prinston, Nju Xhërsi.
Në momentin që foto u kap, Sasse po përpiqej ta bënte fizikantin të qeshte, por në vend që të qeshte ai nxori gjuhën, ndërsa u ul në sediljen e prapme të një makine. Ajnshtajni e pëlqeu foton aq shumë, sa që mori disa kopje për vete. I lindur në Gjermani, e që më pas u bë qytetar i Amerikës në vitin 1940, Ajnshtajni vdiq 4 vjet pas fotos së tij të famshme. Në vitin 2009, një kopje origjinale e firmosur nga vetë shkencëtari u shit në ankand për më shumë se 74 mijë dollarësh. Në vitin 1953, Ajnshtajni ia kishte dhënë foton gazetarit Howard Smith, me mbishkrimin: “Do ta pëlqesh këtë gjest, sepse është human. Një civil mund të bëjë atë çka një diplomat as nuk do guxonte. Dëgjuesi yt besnik, Albert Ajnshtajn”. Ajnshtajni kishte thënë se fotoja përfaqësonte shpirtin e tij jokonformist.
5- Çe Guevara, 1960, Kubë
Më 5 mars të vitit 1960, fotografi kubanez Alberto Korda kapi në foto 31-vjeçarin revolucionarin marksist në një shërbim përkujtimor në Havana për viktimat e anijes së municioneve që kishte shpërthyer në portin e qytetit një ditë më parë.
Fidel Kastro fajësoi Shtetet e Bashkuara për shpërthimin, nga i cili mbetën të vrarë të paktën 75 njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë dhe pse shkaku i vërtetë nuk u përcaktua kurrë. Pas shërbimit përkujtimor të La Coubre, gazeta në të cilën Korda punonte, “Revolucion”, vunë foto të Kastros dhe personaliteteve të tjera dhe refuzuan foton e Guevara-s.
Fotoja u shfaq në publikime të tjera të shumta në Kubë dhe Europë në vitet që pasuan, por tërhoqi pak vëmendje.
Në vitin 1967, Xhanxhakomo Feltrineli, një publicist italian i krahut të majtë që ishte i interesuar për Guevara-n, mësoi për këtë foto ndërsa vizitoi Kubën dhe iu dha një kopje nga vetë fotografi Korda. Pasi Çe Guevara u kap dhe u vra nga ushtarët në Bolivi, po atë vit, Feltrineli shpërndau posterat e fotos së tij, duke e quajtur “Heroi Guerrilas”, dhe imazhi shpejt u përhap në të gjithë botën.
Fotoja u bë simbol i revolucionit dhe rebelimit rinor.
6- Lindon Xhohnson, 1963, Air Force One
Dy orë pasi Presidenti Xhohn Kenedi u vra më 22 nëntor 1963, zv/Presidenti Lindon Xhohnson u betua si presidenti i 36-të i SHBA-ve në bordin e Air Force One në Dallas.
Sesil Stoughton, një ish-fotografe e Ushtrisë që kishte shërbyer si fotografe zyrtare e Shtëpisë së Bardhë që nga viti 1961, kapi foton historike të gjyqtares Sarah Hjuxhs duke administruar betimin e Xhohnson, pranë gruas së tij dhe një pjese të stafit. Në kohën e vrasjes së Kenedit, Stoughton kishte hipur në makinat që ndodheshin prapa makinës së presidentit si pjesë e autokolonës së tij.
Më pas, Stoughton shkoi në Spitalin Parkland, ku Kenedi vdiq, e më pas nxitoi në betimin e Johnson. Ai ishte i vetmi fotograf në avion kur Xhohnson u betua. Në fillim aparati i saj fotografik pati një problem, dhe u mendua se ngjarja nuk do të regjistrohej, por Stoughton arriti ta rregullojë problemin dhe kapi foton.
7- Richard Nixon & Elvis Presley, 1970, Shtëpia e Bardhë
Më 21 dhjetor 1970, mbreti i Rock n Roll u takua në mënyrë të fshehtë me presidentin e 37-të të SHBA-së në zyrën ovale, një ngjarje kjo që u dokumentua nga fotografi i Shtëpisë së Bardhë, Ollie Atkins.
Takimi u bë pasi Presley i kishte drejtuar një letër presidentit se donte të ishte në shërbim të vendit për të kontribuar në luftën kundër drogës në Amerikë. Pas letrës, Presley arriti ta takonte Presidentin po atë pasdite.
Gjatë takimit, artisti shprehu edhe një herë dëshirën për të ardhur në ndihmë të presidentit, ndau besimin se grupi muzikor anglez The Beatles promovonte anti-amerikanizmin dhe se ai kishte studiuar lavazhin e trurit nga komunistët dhe kulturën e drogës. Presley, që koleksiononte armë, i kërkoi Niksonit nëse mund t’i jepej një mjet identifikimi si agjent federal, kërkesë e cila iu plotësua një ditë më vonë. Media nuk mori vesh gjë për këtë ngjarje deri të paktën vitin e ardhshëm. Në vitin 1977, legjenda e muzikës, që kurrë nuk hoqi dorë nga bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, vdiq nga ataku në zemër, që dyshohet se ishte e lidhur me abuzimin e drogës.
8- “Dhoma e Situatave”, 2011, Shtëpia e Bardhë
E shkrepur pasditen e 1 majit 2011, fotografia tregon Presidentin
Barak Obama dhe skuadrën e sigurisë kombëtare duke marrë lajme rreth forcave ushtarake në Pakistan për misionin e kapjes së një nga personat më të kërkuar në historinë e SHBA-së, liderit të Al Kaedës, Osama Bin Laden.
Në orën 11:35 të asaj nate, presidenti u shfaq drejtpërsëdrejti në televizion për të njoftuar se organizatori që fshihej pas sulmeve të 11 shtatorit ishte vrarë.
Fotografi i Shtëpisë së Bardhë, Pete Souza e shkrepi foton pasi Obama dhe ndihmësit e tij ishin mbledhur në një dhomë të vogël konferencash, ku gjenerali Brad Ueb po monitoronte misionin. Kur Obama hyri në dhomë, Ueb i ofroi presidentit karrigen e tij.
Obama tha për NBC News: “I thashë që mos u shqetëso për mua. Fokusohu në atë që po bën, do ta gjej një karrige dhe do ulem afër teje”. Obama i përshkroi ato 40 minuta, si minutat më të gjata të jetës së tij.
Ndërsa Sekretarja e Shtetit, Hiljari Klinton, tha se Obama ishte shumë i shqetësuar dhe nuk e kishte mendjen fare te fotografi.