Kryeministri Edi Rama e ka nisur diten me nje lajm te mire qe vjen nga mediat italiane. Ai ka ndare me ndjekesit e tij ne rrjetet sociale nje shkrim te blogut te udhetimeve, qe rendit dhjete arsyet se pse italianet duhet te vijne ne Shqiperi kete vete.
“MIRËMËNGJES 😃 dhe me këtë artikull të mediave italiane për 10 arsyet më të mira se përse këtë verë turistët duhet të zgjedhin Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë ✌”- shkruan Rama.
* * *
Blogu i udhëtimeve “The Balkanista” shkruan një letër të hapur për të gjithë fansat, ku shpjegon 10 arsye përse duhet të vizitojnë Shqipërinë këtë verë.
Shkrimtare, udhëtare, një blogere udhëtimesh angleze, autorja e “The Balkanista” jeton prej vitesh në Tiranë.
Pasi kishte vizituar bregdetin e Shqipërisë për pushime, ajo nuk u largua më.
Në një letër të hapur për të gjithë fansat e saj, ajo shpjegon përse duhet vajtur me pushime në Shqipëri, pikërisht këtë verë.
“Shqipëria nuk është në krye të listës së destinacioneve për pushime. Kur erdha këtu për herë të parë, edhe unë u ndjeva në faj sepse kisha lënë destinacione të tjera. Por, tani mund t’ju them se duhet patjetër të merrni në konsideratë këtë vend për pushimet verore të radhës”, shkruan blogerja.
Më poshtë vijojnë 10 arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria:
1. Ndryshe nga destinacionet e zakonshme
Pas disa vitesh, Shqipëria, ashtu sikurse ka ndodhur për destinacione të tjera të Mesdheut, pritet të mbushet nga hordhi me të rinj të dehur, në kërkim të argëtimit me kosto të ulët. Por, për momentin, turistët janë ende pak, nuk ekzistojnë radhët për të vizituar pikat turistike dhe nuk duhet të shtyhesh për të zënë një cep plazhi, ku të shtrosh peshqirin. Madje as në kulmin e verës.
2. Ka shumë për të mësuar
Shqipëria ka disa prej vendeve historike dhe zonave të UNESCO-s të paimagjinueshme. Ka nga të gjitha, rrënoja romake, kështjella mesjetare, bunkerë sovjetikë dhe mbetje osmane. Vetëm qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, do të mjaftonte për të ndërmarrë këtë udhëtim, ashtu si Berati dhe Shkodra, në kufij me Greqinë dhe shumë vende të tjera edhe më të bukura.
3. Plazhet më të bukur të Europës
“Të dashura Itali, Kroaci dhe Greqi! Më vjen keq t’ua them, por Riviera e Shqipërisë e tejkalon çdo breg tuajin”, shkruan blogerja duke këshilluar që të vizitohen patjetër Ksamili, Saranda, Himara dhe Dhërmiu për të admiruar ujërat e tyre të kristalta, plazhet e bardha dhe panorama malore që i rrethon. Bregdeti shqiptar është i egër dhe i mrekullueshëm dhe nuk ka asgjë të ngjashme në gjithë Europën, sipas asaj.
4. Liqene dhe ujëvara
Brendësia e Shqipërisë është plot liqene dhe ujëvara shumë të bukura. Liqeni i Komanit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Butrintit dhe Liqeni i Ohrit vlejnë të vizitohen për shkak të ujërave të tyre të kristalta dhe të peizazhit fantastik që i rrethon. Disa burime si Syri i Kaltër dhe ato pranë fshatit Theth janë perfekte për të notuar dhe për të adhuruar ujëvarat.
5. Klimë perfekte
Shqipëria gëzon një klimë tipike mesdhetare, me verë të gjatë dhe të ngrohtë dhe stinët e tjera janë gjithnjë të këndshme. Gjatë vitit
nuk bie asnjëherë nën 20 gradë Celcius, ndërsa nga maji temperaturat rriten në rreth 22 gradë Celcius duke arritur kulmin me 35 gradë Celcius në korrik dhe gusht. Përveç verës, çdo çast është perfekt për të udhëtuar në Shqipëri.
6. Njerëz miqësorë
Shqiptarët, kundër paragjykimeve, janë njerëz të përzemërt, miqësorë dhe kureshtarë. Blogerja tregon se nuk ishte ndjerë kurrë e rrezikuar. Duhet vetëm të përgatitesh pasi do të pyetesh qindra herë për arsyen se përse zgjodhe të shkosh në Shqipëri.
7. Ushqim i shkëlqyer
Përgjatë bregdetit peshku është i shkëlqyer dhe kushton shumë pak. Kuzhina ka patur një ndikim të madh nga ajo italiane. Sa më shumë që futesh në thellësi të vendit, aq më shumë gjen ushqime me bazë mishin, gjithmonë shumë i freskët. Këtu, ushqimet e ngrira nuk merren pothuajse kurrë në konsideratë. Duhet të provosh disa ushqime lokale si tavë kosi me mish qingji, oriz, vezë dhe kos, patëllxhanë të mbushur me salsiçet lokale.
8. Gjuha është shumë e bukur
Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe plotësisht ndryshe nga gjuhët e tjera europiane. Ajo nuk është e thjeshtë. Sidoqoftë, nëse bën pushime në Shqipëri duhet të dish disa fjalë, aq më tepër kur mendon se shqiptarëve u pëlqen kur të huajt përpiqen të flasin shqip me ta.
9. Një vend mysliman tolerant
Shqipëria është një vend mysliman, megjithatë nuk ia vlen të marrësh masa si në disa vende të Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore. Disa gra mund ta kenë fytyrën të mbuluar, por nuk të duhet asnjë kod veshjeje për të ecur rrugëve. Vetëm nëse vizitohet një xhami. Edhe pijet alkoolike janë në masë ashtu si mishi i derrit.
10. Pikënisje për udhëtime të tjera
Shqipëria është një bazë e mirë për këdo që dëshiron të vizitojë vende të tjera pranë saj, vende që janë një apo dy orë larg. Nga qyteti i Pogradecit mund të kalosh në Maqedoni, nga Shkodra kalon për në Malin e Z i dhe Kroaci, nga jugu futesh në Greqi dhe Korfuz, ndërkohë që nga kufiri verilindor shkon në Kosovë dhe Serbi. Italia është vetëm një orë fluturim nga Milano, Bolonja, Venecia, Roma dhe Piza, apo dy orë me traget që niset nga Ankona, Brindizi dhe Bari (që këtej vetëm në verë) dhe mbërrin në Durrës.