Nga Mira Kazhani
Zoti Haxhia faleminderit që pranuat këtë intervistë, pyetja e parë nuk ka të bëj shumë me ato që kanë karakterizuar vitet ’90 ku ju jeni dëshmitar dhe aktor i disa prej ngjarjeve më kulminante të tranzicionit politik shqiptar. Pra fillimisht dua ta nis me një pyetje që është kuriozitet normal: Çfarë ju solli në këtë cep të botës në Kusadasi (Turqi) një qytet i vogël bregdetar. Si mbërritët këtu?
I.H: Në radhë të parë mirëserdhët dhe unë kam kenaqësinë që intervistën e parë që jap për një media, e jap me ju si gazetare e re, dhe me talent e prespektivë. Vazhdimisht i kam ndjekur nëpërmjet internetit intervistat tuaja, shkrimet tuaja dhe jeni një brez i ri gazetarësh, që jepni shpresë për një media të pavarur, dhe në shërbim të interesave të njerëzve në Shqipëri. Të kthehem tek pyetja juaj; Unë në Turqi kam ardhur përpara 15 vitesh. Në vitin 1999 gjendesha në Tropojë në një kohë që në Tropojë nuk ekzistonte shteti. Pas luftës së Kosovës që përfundoi në vitin ’99, së bashku me familjen me fëmijët, me ftesën e një mikut tim, kam ardhur në Turqi dhe pikërisht në qytetin ku sot po bëjmë intervistën. Nuk kam ardhur me qëllim që të rri gjatë, por për një kohë një mujore ose dy mujore. Pastaj ngjarjet rrodhën në atë mënyrë që isha i detyruar të qëndroja deri më tani. Dhe vazhdoj të qëndroj në Turqi.
M.K: Pse? Patët frikë të ktheheshit pas?
I.H: Pas situatës që u krijua në Tropojë – sepse në atë kohë ishte jashtë kontrollit të qeverisë – pra pas ngjarjeve që ndodhën, por edhe pas venies në kontroll nga qeveria qendrore, për mua ishte e rrezikshme që të kthehesha sepse isha dhe i kërkuar nga policia, nga shteti. Në atë kohë ka pasur një urdhër nga autoritetet e shtetit që kudo të më shihnin, të më vrisnin pa paralajmërim.
M.K: Çfarë kishit bërë që kishte një urdhër të tillë nga qeveria e Nanos në atë kohë?
I.H.: Në atë kohë pra në vititn 1999 ka qenë qeveria Majko dhe jo Nano. Por në fakt ky urdhër ka dalë që në kohën e qeverisë Nano. Si duket, kjo ka ardhur pas ngjarjeve të 12 dhe 14 shtatorit dhe ka qenë si një hakmarrje për atë që ndodhi dhe për atë që bëmë. Për këtë qeveria socialiste kërkoi të hakmerrej ndaj meje që më shihte si personazhin qendror-kryesor, të trazirave dhe të përmbysjes së qeverisë për kohën dy-tre ditore (i referohet grushtit të shtetit në 14 shtator 1998).
Mira Kazhani: Do të flasim për ngjarjet e Tropojës dhe për këto momente të rëndëisshme, ku ju keni qenë dhe ndoshta edhe protagonist kryesor, por doja t’u pyesja: A keni përfituar azil politik në Turqi, sepse ne në Tiranë e dimë se ju keni azil politik këtu?
Izet Haxhia: Jo. Jam arrestuar në vitin 2006 në këtë qytet; është kryer një operacion me urdhër nga Ankaraja. Policët që kanë marrë pjesë në operacion nuk kanë qenë vendas por kanë qenë të gjithë të ardhur nga Ankaraja. Pasi më kanë pyetur kam pranuar identitetin dhe të gjitha të dhënat e mia që jam filani dhe kanë dëgjuar dëshminë time. Kur do më çonin në burgun Ajdin, policët më kanë thënë se nëse është kështu historia atëherë kërko azil politik dhe do të ta japin në Turqi.
Mira Kazhani: Deri në vitin 2006 ishit me dokumente të rregullta?
Izet Haxhia: Jo kam qenë në mënyrë ilegale. Pa asnjë lloj dokumenti. Hyrjen në Turqi e kam bërë me një pasaportë që është përgatit në komisariatin e Tropojës dhe nuk ka qenë me emrin Izet, por kam pasur edhe pasaportën diplomatike që ishte e skaduar sepse qeveria e re të gjitha pasaportat e dhëna në kohën e qeverisë demokratike i kishte nxjerrë jashtë përdorimi. Më kanë thënë që kërko strehim se do ta japin, dhe kur kam shkuar në burg me atë turqishten time kam shkruar dhe një kërkesë drejtuar Ministrisë së Brendshme turke dhe asaj të Drejtësisë ku kërkoja strehim politik. Pas disa ditësh kanë ardhur tre katër veta për të më pyetur dhe në mënyrë të sinqertë u kam treguar çdo gjë. Pas disa javësh më ka ardhur përgjigja e tyre që ishte negative. Më pas, përmes avokatit këtë përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë turke e kemi hedhur në gjykatën administrative shkalla e parë që është në Ankara dhe kjo ka vazhduar gjatë. Si përfundim pas tetë vitesh, pra vitin e kaluar më ka ardhur përgjigje negative nga kjo gjykatë. Nuk kam strehim politik.
Mira Kazhani: Nuk ju japin azil politik në Turqi por as nuk i’u ekstradojnë në Shqipëri ku ju pret një dënim i gjatë…Si kështu?
Izet Haxhia: Kjo është ajo që as nuk unë nuk e kuptoj. Unë kam qëndruar në burg rreth pesë vite nga 2006 deri në fund të vitit 2010. Në kundërshtim me të gjitha ligjet ndërkombëtare të ekstradimit, që thonë që një njeri i kapur për llogari të Interpolit, kur vjen dosja nga vendi që e kërkon për tre muaj ose të ekstradohet ose të lirohet. Unë as nuk jam liruar as nuk jam ekstraduar. Ju dini që është kapur dhe një tjetër nga Shqipëria, sic është Aldo Bare që u kap dy muaj para meje dhe ai u ekstradua direkt. Në kohën që kam qenë në burg avokati i tij hyri në lidhje me mua dhe më ka pyetur përmes avokatit tim se cfarë procedurash kam ndjekur unë për qëndrimin në Turqi. Kanë qenë identike procedurat, dhe ai ka kërkuar strehim politik dhe unë po ashtu, por gjykata e tij ka mbaruar ndërsa e imja s’ka mbaruar ende.
Mira Kazhani: Nëse ju ekstradojnë…?
Izet Haxhia: Unë gjykatës i kam thënë që ose më ekstradoni ose më lironi sepse mbajtja ime këtu është një mbajtje peng jashtë çdo lloj rregulli. Përderisa në Turqi s’kam pasur asnjë lloj faji, jam mbajtur jashtë çdo lloj ligji.
Mira Kazhani:Ju tashmë nuk keni dokumente? Si ja beni?
Izet Haxhia: Kam dokumente proviziore, që rinovohen cdo një muaj dhe dy herë në javë paraqitem në polici dhe hedh firmën.
Mira Kazhani: Punoni?
Izet Haxhia: Ligjërisht unë nuk kam të drejtë të punoj, sepse kështu shkruhet në dokumentet e mia. Por jam i detyruar të punoj. Prej dy vitesh e gjysëm jam në një punë këtu. Puna është punë nuk ka rëndësi e rëndomtë ose jo. Unë s’kam turp të punoj, kam qenë dhe në ndërtim. Ndërsa për momentin punoj në një klub nate. Merrem me sigurinë e klubit.
Mira Kazhani: Jeni pak a shumë në profesionin e vjetër…
Izet Haxhia:Është tamam ashtu, ai profesioni i vjetër që nuk na u nda (qesh).
Mira Kazhani: Si është e mundur që një student i mjekësisë vendosi në një moment të caktuar të bëhej truprojë, konkretisht e ish-presidentit Berisha?
Izet Haxhia: Unë kam qenë student i Fakultetit të Mjekësisë dhe nga fundi i vitit të katërt jam përjashtuar pas një sherri që është bërë në konvikt. Ky sherri është bërë mes tropojanësh dhe ka qenë një skenar i organizuar nga Sabit Brokaj, atë kohë Dekan i Fakultetit të Mjekësisë sepse në këtë sherr kanë marrë pjesë edhe njerëz të ardhur nga jashtë, si pjesëtar të gardës, të repartit famëkeq 326. Ne kemi qenë dhe të dëmtuarit dhe të përjashtuarit.
Mira Kazhani: Çfarë bëtë që ju përjashtuan?
Izet Haxhia: Thashë bëmë një sherr..
Mira Kazhani: Çfarë nënkuptoni me sherr?
Izet Haxhia: Na ngacmuan dhe ne u kundërprgjigjëm. Na erdhi një sulm në mënyrë të papritur dhe ne reaguam duke i hedhur ca nga kati dytë ku të dy palët u dëmtuan.
Mira Kazhani:Pati ndonjë viktimë?
Izet Haxhia: Jo, ca viktime?!
Mira Kazhani: Pse mendoni se zoti Berisha ju besoj sigurinë e jetës së tij?
Izet Haxhia: Ta vazhdoj pak përgjigjen se gjërat janë të lidhura. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1989 dhe në atë kohë kishin filluar ndryshimet ne Europën Lindore, kishte rënë muri i Berlinit dhe ngjarjet po trondisnin regjimin komunist në Shqipëri. Njerëzit e ndjenin që do kishte ndryshime. Unë vazhdimisht shkoja nga Tropoja në Tiranë dhe për fatin tim në dhjetor kam qenë në Tiranë. Lëvizja studentore ka nisur me refleksionet në Institituin e Arteve që janë nismat e para kundër regjimit komunist. Më pas është kurorëzuar si përpjekje me levizjen studentore që ka filluar në datat 6-7 dhe është kulmuar më datën 8 dhjetor. Në këtë datë kemi qenë në sheshin para godinave të Institutit të Arteve dhe kemi qenë një numër i madh studentësh, por askush nuk merrte iniciativën për ta drejtuar këtë lëvizje që ishte në pikën e vlimit.
Natën e 8 dhjetorit rreth orës 9 vjen një bashkëpatriot i imi, Azem Hajdari i shoqëruar nag tre veta mes tyre dhe një tropojan që ka punuar operativ sigurimi, Besnik Cerci. Azemi hypën sipër një stoli dhe thotë “unë jam filani, a pranoni që t’ju drejtoj unë?”
Ne atë prisnim, që të vinte dikush të na drejtonte. Azemi në atë kohë nuk ka jetuar në Qytetin Studenti dhe ardhja e tij për mua ishte befasuese, por edhe më erdhi mirë sepse edhe e njihja dhe ishim nga i njëjti qytet. Në datën 9, ngjarjet rrodhën sic dihen. U bë dhe përleshja te sheshi dhe aty kam parë dhe Berishën për herë të parë. Me duket se ka qenë me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafajn.
Ka ndodhur një skenë që s’e harroj kurrë kur një ushtar i xhenios me një lopatë xheniere donte të godiste Berishën dhe në atë kohë një civil nga të Sigurimit, e kapi dhe e tërhoqi. Më pas ka nisur sulmi i policisë ku u shpërndamë duke filluar dhe arrestimet. Pas orës 5-së kemi qenë në Qytetin Studenti dhe aty ka ardhur Berisha dhe sic tha, vinte nga një takim me Ramiz Alinë. Unë e di se çfarë mund të ketë folur Berisha me Alinë, por siç edhe dihet ai ishte zgjedhur si një tropojan meqë edhe në krye të lëvizjes studentore, ishte një nga Tropoja . Alia i kish thënë, – Shko, qetësoni studentët. Në atë kohë është krijuar dhe ajo platforma mes kërkesave të tjera që do paraqiteshin. Berisha tha se i kishte kërkuar lirimin e gjithë studentëve të arrestuar dhe të dënoheshin fajtorët për dhunën ndaj qytetarëve. Mes këtyre kërkesave, është futur dhe ajo e pluralizmit politik. Me thënë të drejtën, ne s’e kuptonim as si term, se çfarë ishte pluralizmi.
Mira Kazhani: Më vonë si ndodhi që u përzgjodhet si truproja i zotit Berisha?
Izet Haxhia: Kur u krijua PD, pasi u shpall edhe legalisht, ne rrinim fillimisht te godina 15. Në atë kohë rrija dhe flija në një dhomë me Azemin. Kur PD nisi prezantimin dhe organizimin edhe nëpër rrethe, shkoja vazhdimisht me Azemin. Ishte një gjë e re, dicka e panjohur për shqiptarët, ishte ai çlirimi i gjithë asaj shtypjes nga regjimi komunist, ishte shpresa e shqiptarëve, ishim të gjithë entuziast.
Por një ditë Azemi më kërkoi që në mitingje dhe takime të ndryshme të kisha kujdes Berishën. Unë mund të dal e të kujdesem vetë për veten, – më tha Azemi, – por Berisha ka më shumë nevojë, sidomos para gjithë atyre turmave entuziaste që futej mund të përballej edhe me njerëz dashakeq. Ka qenë një sugjerim i Azemit që unë të kaloja me Berishën.
Mira Kazhani: Si ka qenë raporti juaj me Berishën, si ju trajtonte ai?
Izet Haxhia: Fillimisht raporti ka qënë mëse normal. Berisha ka qënë në atë kuptimin një njeri impulsiv, korrekt në disa marrëdhënie. Pas tre-katër muajsh pata një problem me Azemin, ky i fundit shkoi dhe i tha Berishës, që Izeti është rrugaç, është ashtu e është kështu dhe mos e prano më të të shoqërojë. Pata një shkëputje dy tre mujore me Berishën.
Mira Kazhani: Si u riktheve?
Izet Haxhia: Jam rikthyer në shtator të vitit 1991. Në fakt më ka thirrur vetë Berisha përpara kongresit të Partisë Demokratike. Në atë kohë kishin filluar përçarjet mes grupeve në PD dhe grupi që ishte Pashko, Ceka, e të tjerët përdorën Azem Hajdarin si kandidaturë për të mundur Berishën. Nga ana tjetër doli dhe kandidatura e Cekës. Qëllimi i tyre ishte që votat që përkranin Berishën, përkrahnin dhe Hajdarin dhe nga përcarja e votave, fitonte Ceka. Une mendoj se ai kongres ka qenë më demokratiku ndonjëherë që është zhvilluar në atë parti. Azemi mori rreth 12 vota mos gaboj, Ceka dicka më shumë dhe Berisha fitoi me një shumicë dërrmuese.
Mira Kazhani: Pse mendonte Azemi se ju ishit rrugaç?
Izet Haxhia: Azemi i zmadhonte gjërat dhe ato gjëra që nuk i kishte nën kontroll mundohej t’i eliminonte. Sepse përplasja ka ndodhur që ta sqaroj, në kohën pas rrëzimit të bustit të Enverit kur unë kërkohesha nga policia pse kisha marrë pjesë në atë grupin që rrëzoi bustin. Ika në Kavajvë. Ditën që është rrëzuar busti, Azemi nuk ka qenë aty. Më pas ky erdhi në Kavajë për një vizitë se kuptohet Kavaja ishte atëherë qendra e demokracisë. Kur u takuam filloi të gënjente. Thoshte se ai kish qënë aty, madje kryesori. Unë i thashë që nuk është ashtu siç po thua. Ti nuk ke qenë aty kur u rrëzua busti, pse duhet të gënjesh?! Madje filloi të fantazonte, thoshte se ka qenë në një makinë të policisë dhe kishte kapur mikrofonin e Ministrit të Brendshëm dhe se ai i ka thënë policisë tërhiquni. Sepse nga Hekuran Isai në atë kohë kishte një urdhër që policia të qëllonte ndaj qytetarëve por sipas Azemit ai kish nderhyrë dhe e kish zgjidhur këtë punë. Ja, ato fantazitë e tij policeske që ka pasur gjithmonë në kokë.
Mira Kazhani: Do flasim për raportin tuaj me Azemin, por do doja të qëndrojmë pak në familjen Berisha. Raportet me fëmijët e zotit Berisha, gruan e tij Lirien si ishin gjatë kohës kur ju ishit truproja e tij?
Izet Haxhia: Raportet kanë qenë korrekte. Fëmijët kanë qenë të vegjël, vajza ka qenë pak më e rritur. Unë shkoja e merrja në shtëpi edhe gjatë kohës kur nuk ishte President. Kemi shëtitur gjithë Shqipërinë bashkë. Shkëlzeni në atë kohë ka qenë i vogël, por që atëherë ka pasur ato prirjet për luksin, i kishte qejf lekët. Tregoj vetëm një rast që vitin 1997, në muajin Janar e kujtoj edhe datën, në 28 janar, te stadiumi Qemal Stafa ka marrë nga një trafikant droge rreth 30 milionë lireta. I ka thënë që më duhen për një ndërtesën e dajës së tij, që po ndërtonte te Blloku. Atë e njihja, e kisha edhe mik edhe pse nuk e dija në atë kohë që merrej me trafik droge. Emri nuk ka shumë rëndësi sot, po të doni edhe e them. Dua të them se që në atë kohë Shkëlzeni ka pasur qejf lekun. Edhe disa herë ka transportuar nëpërmjet makinës që përdonte familja, edhe heroinë. Dhe aty ka marr shuma parash.
Mira Kazhani: Po flisni për një kohë që ai mund të ketë qenë gjimnazist kam përshtypjen…
Izet Haxhia: Më duket se diku te 17 vjetët ka qenë, mos gaboj…
Mira Kazhani: Gjithmonë nëse këto janë të vërteta… Por a mendoni se ishte në dijeni zoti Berisha?
Izet Haxhia: Nuk e di, nuk mendoj por jam i sigurt për këto që them. Janë mëse të vërteta, le t’i kundërshtojnë.
Mira Kazhani: Pse jeni i sigurt?
Izet Haxhia: Shumë i sigurt. Unë them dhe emrin se te vila e kujt e ka cuar nëse doni?
Mira Kazhani: Po. A mund ta thoni?
Izet Haxhia: Te vila e Landit të Jasharit në Vlorë. Vlonjatet e njohin. Por e njohin edhe më gjerë. Është në Itali ai tani.
Mira Kazhani: Pse i duhej djalit të presidentit të bënte një gjë të tillë, ai kishte gjithë vëmendjen në atë kohë dhe mund të kish njerëz që mund t’ia falnin aq para?
Izet Haxhia: Mund ta pyesni vetë atë. Ai e ka pasur dëshirë lekun. Njerëzit që e kanë lekun si ideal mund të bëjnë cdo gjë që ta fitojnë atë.
Mira Kazhani: Ishte një kohë kur kishit lukse? Ju udhëtonit shumë në atë kohë. Përfitonit nga fakti që ishit afër presidentit, dieta, udhëtime…
Izet Haxhia: Unë kam udhëtuar (jashtë vendit) rreth pesë-gjashtë herë me Berishën. Sepse pas një incidenti që patëm në Crans Montana, kur ktheheshim nga Amerika unë përfundimisht nuk kam udhëtuar më me të. Ktheheshin nga SHBA, vizita e parë e Berishës atje, në muajin qershor, dhe si shqiptarët që dolën nga varfëria ekstreme dhe ajo (Liria) nuk bënte përjashtim nga shqiptarët e thjeshtë edhe pse ishte gruaja e presidentit. Shqiptarët e Amerikës e mbushën me dhurata atë. Pasi mbaruam gjitha takimet në Uashington u kthyem në Nju Jork ku kishim takime në OKB dhe do iknim direkt për në aeroportin Kennedy. Çantat i mbaja unë të gjitha, dietat… Mendojeni, atë kohë, as shef protokolli nuk kishte Presidenti. Asgjë! Unë i mbaja të gjitha, e imagjinon dot? Edhe ajo pyeti për një çantë blu që kishte marrë, një çantë me 20 palë këpucë që kishte marrë atje a ku di gjë unë.. Unë pyeta gazetarët a e keni parë një çantë blu? Ata thanë po, ka ikur në aeroport. I thashë që është në aeroport çanta. Ne hipëm në avion dhe shkuam në Zvicër. Një natë qëndruam aty në Gjenevë dhe kur shkuam te hoteli në Crans Montana më tha mua, që mungon çanta blu. I thashë nuk e di – Ti me the që është në aeroport. – Ndoshta ka ngel në hotel i thashë unë… Unë e di që është nisur.
Mira Kazhani: Kush ju tha që mungonte çanta blu?
Izet Haxhia: Berisha, sepse i thoshte e shoqja. U mërzit shumë për çantën ajo. Berisha më tha mua uli valixhet poshtë, më pas tha ngjiti lart. I ngjita sërish! Uli prapë- më tha. Kur më tha për herën e dytë uli poshtë, ju ktheva: – nuk jam hamall. Ishte diçka që zor e kam mbajt veten. Si duket edhe nga mimika e fytyrës, gruaja (Liria) tha, tamam tamam, nuk ka gjë. Ajo siç duket e pa që u bëra keq dhe kërkoi të qetësonte situatën.
Berisha më tha: Pse e bën fytyrën ashtu? I thashë: Kam 24 orë pa ngrënë. Sepse ne kur shkonim në udhëtime jashtë merrnin 12 dollarë dieta në ditë. Në forumin e Crans Montana në Zvicër një McDonald atje bënte 15 dollarë, unë kisha 12 në xhep dhe rrija pa ngrënë gjithë ditën. -Pse unë do të jap bukë me hangër më tha Berisha? I thashë dietat nuk mjaftojnë. Ai m’u përgjigj:- herë tjetër mos hajde më atëherë! Mos të vish më! I thashë që vetë më ke marrë. Si të duash, nuk vij më. Dhe nga ajo kohë s’më mori në asnjë vizitë jashtë shteti si President.
Mira Kazhani: Tani që i tregon këto histori, si të duken? A nuk janë pak qesharake?
Izet Haxhia: Normal që duken qesharake. Por për kohën kanë qenë normale. Për një shtet si Shqipëria të rreckosur, me arkë shteti bosh, çdo gjë bosh. Ishim të varfër të gjithë. Ka dhe një histori interesante që dua ta tregoj. Kur po shkonim në Bruksel, se përveç se bëja protokollin, mbaja çantat e atyre, mbaja edhe dhuratat që çonim atje. Kjo qe një gjë vërtet komike në Belgjikë. Kur kemi shkuar te mbreti Albert në Belgjikë, në vend që t’i jepte dhuratën e tij, një shpatë të punuar me argjend, Berisha i dha gabimisht një dhuratë për gra. Ishte një rrip mesi për Caterina Lemierr, kryetare e Asamblesë…
Mira Kazhani: Nuk më thatë si i kishit marrëdhëniet me zonjën Liri?
Izet Haxhia: Normale. Zonja Berisha ka qenë një grua e heshtur që në dukje nuk ngatërrohej me asnjë lloj gjëje, por në prapaskenë ka qenë atkive dhe me shumë ndikim te Berisha, me sa kam arritur të kuptoj. Në paraqitje ajo është një grua shumë dashamirëse dhe unë këtë përshtypje kam, por që si ta them nuk është se edhe asaj nuk i pëlqente luksi…
Mira Kazhani: Ju vetë e pëlqenit?
Izet Haxhia: Unë kam mbetur në kohën e komunizimit për sa i përket lekut. Rëndësinë e lekut e kam kuptuar në Turqi, kur kam ardhur këtu. Kam pasur mundësi të bëj shumë lekë por asnjëherë s’i kam bërë. Një shtëpi kam marrë dhe jam i vetmi që e mora me një kredi të gardës. Para dy vjetësh e kam mbaruar. Madje e kanë shlyer njerëzit nga ana e gruas. Një kredi rreth 20 milion lekë të vjetra. Kam dorëzuar shtëpinë e vjetër dhe rreth 13 milion janë paguar nga xhepi. Kjo është pasuria e familjes time në Tiranë.
Mira Kazhani: Jeni bërë i pasur këtu në Turqi?
Izet Haxhia: Sic e shihni vetë. Pasuria më e madhe që kam unë këtu është respekti që kam krijuar te njerëzit, miqësitë që kam krijuar këtu.
Mira Kazhani: E pashë që kishit shumë miq…
Izet Haxhia: Pasuria ime kjo është.
Mira Kazhani: Dua të flasim më shumë për vitet ’90. Shumë njerëz u kujtojnë që ju keni qenë i qetë , inteligjent, pak rebelë po, por që me përfshirjen në politikë u shndërruat në një badigard famëkeq. Pak ditë më parë një kolegia ime në Tiranë më tha ju kishte frikë dhe se në ato kohëra i dukeshit si Herkuli kur ecnit në rrugë. Kaq i vrazhë, kaq i frikshëm keni qenë?
Izet Haxhia: Shqipëria është nj vend i vogël . Thashethemet janë shumë të mëdha. Kuptohet që unë nuk kam qenë një njeri engjëll. Kam bërë gabimet e mija. Si njeri kam qenë pak i dhunshëm, por jo me njerëzit e thjeshtë. I dhunshëm kam qenë me politikanet. Dhe ma merr mendja se pak kam bërë ndaj tyre. Flas për politikanët e dy krahëve.
Mira Kazhani: Kur thua i dhunshëm çfarë nënkuptoni? I dhunshëm verbalisht apo fizikisht?
Izet Haxhia: Fizikisht, fizikisht…! Kam rrahur disa prej tyre.
Mira Kazhani: Kë keni rrahur?
Izet Haxhia: Po ku mbaj mend. Nga ata të PD-së kam rraf. E di si është puna? Në psikologjinë e shqiptarëve vlerësohet gjithmonë forca fizike dhe jo mendja. Të gjithë mendojnë se po të jesh i fortë fizikisht mund të jesh i pranueshëm. S’kemi përdor kurrë mendjen, por forcën. Në një vend të civilizuar duhet të vlerësohet mendja. Dhuna është arkaike, e di këtë.
Mira Kazhani: Pse ishit i dhunshëm ju?
Izet Haxhia: Ajo kohë ashtu ishte. Ka qenë një ndarje ideologjike. Të djathtë e të majtë. Edhe ne për fat të keq u mësuam me urrejtje në atë kohë. U mësuam mos t’i pranonim njerëzit me bindje të kundërtëa, pavarësisht se kishim dal nga një regjim komunist që kishim vuajtur të gjithë. Ne ramë po në atë gabimin që kishin bërë të tjerët. Filluam të dhunonim ata që ishin në opozitë..
Mira Kazhani: Kush u’a frymëzonte këtë?
Izet Haxhia: Kuptohet ideologu ka qënë Berisha. Ai nga një ish-komunist u kthye në një demokrat të tipit fashist.
Mira Kazhani: E dinte ai që ju ishit i dhunshëm me deputetët e PD?
Izet Haxhia: Po e dinte. Kuptohet që e dinte! Nuk e di nëse e mbani mend ju, ka qënë një ministër i punëve të jashtme, Serreqi që në kohën e lëvizjes studentore gjendej në Kanada. Ai vetë ka pas një djalë shumë të mirë dhe ka qënë mjaft aktiv dhe e respektoja. Serreqi u kthye nga Kanadaja dhe edhe atë e thirrën, e më vonë e vunë Ministër të Jashtëm. Por ishte gjithmonë shumë cinik. Më kujtohet një herë që shkuam për vizitë tek Papa. U fut fut Berisha në takim, më kujtohet Papa Vojtila ka qënë atëherë dhe në të tjerët prisnim në paradhomë. Ai (Serreqi) filloi ta tregonte veten më katolik se Papa duke më thënë se edhe pse je mysliman, ti Izet do futesh e do i puthësh dorën Papës. Jo i thashë dorën nuk ja puth askujt. Në atë kohë, ngrihem me nerva dhe nga nervozizmi harrova që me vete kisha edhe pistoletën. Ato rojet zviceriane më panë mue dhe u tmerrun. Më morën dhe më ulën poshtë, morën edhe pistoletën dhe pastaj shkum brenda. I dhashë dorën Papës. Ai më dha nje medaljon që në një anë kishte fytyrën e Papës.
Mira Kazhani: Nuk ja puthët dorën?
Izet Haxhia: Jo jo, nuk ja putha. Dora mund t’i puthet vetëm nanës dhe babës, askujt tjetër në botë. Ky është parimi im!
Mira Kazhani: Po me zotin Serreqi çfarë ndodhi atë ditë?
Izet Haxhia: Kur zbritëm poshtë, pasi mbaroj takimi me Papën, po bisedojshim. Berisha tregonte çfarë i kish thënë Papës. Imagjinoje çfarë hipokrizie: Berisha tregonte se çfarë i kish thënë Papës: “Na shpëtoni nga myslimanët, duam evangjelizmin”.
Mira Kazhani: I kish thënë Berisha kështu?
Izet Haxhia: Po pra, i kish thënë Berisha Papës që na riktheni në evangjelizëm. I kish kërkuar ndihmë Papës për ta kthyer vendin në fenë katolike, dhe e bënte këtë, e imagjinon dot, në të njëjtën kohë kur flirtonte me iranianët, me arabët me sheikët. Në atë çast ndërhyn edhe Serreqi. – E more vesh, i tha Serreqi, Berishës, se çfarë skandali qe duke na bërë Izeti për pak? Shyqyr që nuk kish media.
-Çfarë i tha Berisha?
– Do futej tek Papa me pistoletë. Imagjinoje ta dëgjojnë mediat këtë skandal. Dhe i kujtoi atij se edhe ai që kish plagosur Papën është mysliman.
E pashë njëherë kështu me inat, dhe e mbajta nervin, po ja shënova në xhep atij Serreqit. Më vonë kur shkuam në Amerikë për vizitën e parë të Berishës, prapë filloi te kruhej. Në atë kohë në delegacion ishte edhe Genc Pollo. Genc Pollo nuk e ka duruar hiç Serreqin, kishin rivalitet ata të dy gjithmonë. Në Amerikë kur shkuam më ndikoi shumë sistemi i gjumit. Unë kam qënë shumë i dhënë mbas gjumit, po atje nuk mu desh që ta shoqëroja kudo Berishën sepse siguria amerikane ishte në kulm. Berisha bënte shumë takime, ku edhe nuk merrja pjesë. Dua të them se pistoletën atje ma morën që në aeroport. Amerikanët nuk linin armë me vete.
Tani ky Serreqi, kish vënë re që unë nuk shkoja në shumë takime, dhe kishte thënë:- Nuk po e shoh shumë këtë Izetin. A thu mos ka kërku strehim politik?
Këtë gjë ma thotë Genc Pollo, kështu kështu tha Serreqi për ty. Të nesërmen kishim një takim në Capitol Hill. Por para se të shkonim në Amerikë, Berisha kishte ndrydhur pak këmbën në Kalanë e Krujës, në atë kohë kishte ardhur për vizitë Gillbert. Berisha me atë ecjen e tij karakteriste që nuk e kontrollon shumë, i rrëshket këmba dhe bjen një javë para se të shkonim në Amerikë. Kur po ecnim në Capitol Hill, unë nga frika se mos po rrëshqet sërish i ndenja afër duke e mbajtur pak nga krahu. Kur po futeshim tek dera, që ishin këta kongresmenët amerikanë, unë isha nga mbrapa. Serreqi më tërheq nga xhaketa me një mënyrë injorimi.“Del ti, se do futem unë”! Në atë kohë nuk e mbajta veten dhe i futa një shkelm tek kërciri. Lëshoi një britëm dhe u përkul. Rojet amerikanë hapën sytë, thanë c’bëri ky? Po pastaj u futëm brenda.
Mira Kazhani: Të paska futur në kurth Genc Pollo?! Ju ka shfrytëzuar pak për inatin e tij me zotin Serreqi…
Izet Haxhia: Po ndoshta. Genci, ashtu si dinak që është mundet. Duke ditur edhe temperamentim tim. Plus që e ka provu edhe mbi veten e vet Genci në ‘91-shin.
Mira Kazhani: Çfarë ka provuar ai?
Izet Haxhia: Ka qënë një incident. E ka provue tek paradhoma e kryetarit Berisha, në atë kohë. Ka qënë në atë kohë një ambassador rumun, George Miku, kam pas shumë antipati për të! Pata një përplasje me të. Ai (ambasadori rumun) donte të futej dhe unë pata një përplasje me të. I thashë ka njerëz brenda, prisni. Genci më tha një llaf dhe i dhashë një kështu (lëviz dorën në formë shpulle), një të lëmuar të vogël.
Mira Kazhani: Po pastaj ishit miq?
Izet Haxhia: Jo miq nuk jemi bërë asnjëherë! Nuk na janë pajtu yjet (si i thonë asaj fjalës) me Gencin asnjëherë.
Mira Kazhani: Kë nuk ke rrahur në PD. Nëse ka një emër që e keni dashur, respektuar e mbrojtur gjithmonë, veç Berishës kuptohet?
Izet Haxhia: Një njeri që kam respekt dhe kam patur gjithmonë në PD ka qënë Leka Meksi. Ai ka qënë një zotëri i vërtetë, intelektual. Një burrë fisnik. Njeri i qetë, paqësor, me kulturë, i mençur. Unë mbaj mend kur u krijua PD, kur u mor ai vendimi për të kriju kryesinë e përkohshme në qytet student, që atëherë kam ngel simpatizant i atij njeriu. Pavarësisht gjërave që thonin për të, mua s’më interesojnë.Thonë që ka vjedhur!? Më shumë ka vjedh Fideli Ylli, që ka qënë shoqërues i tij.. Ka vjedh më shumë Fideli, shumë më shumë duke përdorur emrin e Meksit.
Është një histori interesante, si shqiptarë të varfër që kena qenë shkuam një një vizitë në Itali. Ndoshta po kaloj degë më degë por dua ta tregoj këtë histori. Kisha marrë një kostum që shiteshin në pazar, ishte një kostum që ishte nxjerrë nga ato sënduqet e rrobave të vjetra. Pesë mijë lekë kushtonte atëherë më kujtohet. Ishte shumë i mirë ai kostum për kohën. E kisha hekurosur e larë dhe atë kostum kam pas.
Mbaj mend kur shkova në Itali për herë të parë, në një vizitë shkova me dikë nga ambasada për të ble kostum të ri. Kisha vetëm 60 dollarë dieta, po ku kishte kostum 60 dollarë atje. Vështirë se mund të gjeja një kostum me kaq para. Kostumi që unë doja të blija ishte 600 mijë lireta por e morëm falas pas këmbënguljes. E lidha jo pa qëllim se me atë kostum jam vesh jo vetëm unë. Ai kostumi ka histori, një herë ka shku me mu në Amerikë dhe dy a tre herë pa mu. E vishnin të tjerët. Një herë e ka vesh edhe Fideli. Dy të tjerë janë martuar me kostumin tim…
Mira Kazhani: Zoti Haxhia pas gjithë kësaj kohe, a jeni penduar që jeni sjellë keq me politikanët e PD?
Izet Haxhia: Po jam pendue! Për çfarë jam pendue do thoni ju? Jam pendue për një gjë që sikur në 97–tën. Kur të gjithë ishin në dorën time në atë anijën e Otrantos që u mbyt duke marrë jetën e njerëzve të pafajshëm të cilët po iknin për të gjet shpresën nga dhuna, nga terrori i majtë e i djathtë që u kryente në atë kohë; ti kisha mbledh të gjithë bashkë, politikanë të PD e PS ti hypsha në atë anije dhe t’i lija në det të hapur që Shqipëria të shpëtonte një herë e mirë. Kjo është pendesa ime. Ndonjë pendesë tjetër nuk kam!
Mira Kazhani: Cili mendoni se është vendi i zotit Berisha në historinë moderne të Shqipërisë?
Izet Haxhia: Unë nuk jam historian. Por Berisha për mua kur kam qënë student, ka qënë idoli im (idhulli) dhe kjo është arsyeja që unë kam qëndru afër tij. Kur ka qënë pedagog në Fakultetin e Mjekësisë kam patur atë përshtypjen si për një njeri të përkushtum, i zgjuar, i ardhur nga Tropoja që kish arritur me përpjekjet e veta të arrinte deri në një pikë të atillë.
Ne krenoheshim sepse shumë pak tropojanë kishin bërë përpara dhe kishin bërë emër gjatë kohës së regjimit komunist. Kjo është pjesa që i takon Berishës si doktor. Si doktor ai ka qënë i përkushtuar, nga ata mjek që ngrihej në 2 të natës dhe shkonte tek pacientët e tij. Që nuk merrte ryshfet kur shumë profesorë të tjerë të Mjekësisë merrnin ryfshfet dhe i linin pacientët t’i operonin praktikantët. Ai nuk merrte kurrë dhe nuk abuzonte. Ishte nje mjek i përkushtuar. Edhe në atë kohë ryshfeti ishte i përhapur në mjekësi, por Berisha nuk ka qënë i tillë.
Ndërsa Berisha si politikan, nuk e di por ai pasioni e ndryshoi shumë! Thonë që pushteti dhe paraja i ndryshon njerëzit, por unë mendoj që nuk i ndryshon ata me karakter të fortë, por vetëm njerëzit me karakter të dobët. Unë e kam pas ditë për karakter të fortë. Vet faktet treguan që ai ndryshoi! Si njeri ka qënë autoritar, por me ardhjen në pushtet ai u kthye në një autokrat që nuk pranonte asnjëlloj kritike, asnjë lloj konkurence, dhe më e keqja ishte se ai e mbushi PD-në me bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Atë partinë e ëndrrave tona, e shpresës së studentëve të dhjetorit, të intelektualëve që erdhën dhe e mbështetën atë lëvizje shumë të pastër dhe historike, u tradhtuan nga përfaqësuesi kryesor, nga Partia Demokratike. Pse PD? Sepse kjo parti u mbush me njerëz anonim. Me njerëz që nuk kishin asnjë kontribut, u mbush me klanin më të rrezikshëm të Sigurimit të Shtetit dhe fajtor për këtë është Sali Berisha.
Botuar në DITA, më 15 shtator 2014