Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, rikthehet në ngjarjet e dhimbshme të pranverës së vitit 1997, të cilat përfshihen në librin e tij që botohet pas pak ditësh.
Është padyshim një nga episodet më interesantë të librit të Izetit.
Për herë të parë ai rrëfen se ka pasur një plan të qartë për eliminimin fizik të Arben Imamit, një nga themeluesit e PD-së në dhjetor të vitit 1990, “mocionistin” e 92-shit, aleatin a Fatos Nanos, por edhe “gjeneralin” e 97-s.
Luhatjet politike të Imamit dhe një portretizim që Izeti i bën këtij politikani, i intervistuar nga gazetari Xhevdet Shehu i gazetës Dita.
Izet, çfarë është Arben Imami? Demokrat në fillim, pastaj kundërshtar i PD-së derisa iu thyen dhëmbët në 28 maj 96, pastaj u bë gjeneral, pastaj shkoi me Nanon ministër, pastaj me Berishën ministër i Mbrojtjes…
Imamin (mbiemri i të cilit në gjuhën turke do të thotë ‘hoxhë’, por që ndoshta Imami nuk e din se do merrte edhe këtë ofiq si hoxhë) e kam njohur si gjithë shqiptarët: si një aktor mediokër. Ai u ingranua në lëvizjen studentore edhe ky nga bodrumi i vilës së Pashkos, dhe mbahet mend për atë që i deklaroi më 12 dhjetor popullit të Tiranës që ishte grumbulluar në qytetin “Studenti” për të përkrahur lëvizjen studentore se “kush të dojë të krijojë partinë e vet, ne do krijojmë partinë e intelektualëve dhe studentëve…” Ai mori rol aktiv në drejtimin e PD-së pas dhjetorit, por në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që u mbajt në sallën e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku po zgjidheshin udhëheqësit e ardhshëm të qeverisë së PD-së, ngeli papritur jashtë skemës, siç deklaroi Azemi kur u propozua kandidatura e Pjetër Arbnorit si kryetar i paralamentit. Pasi humbi ndaj Pjetrit me dy vota, Arbeni kuptoi se kjo ishte një lojë e Berishës për ta lënë jashtë skemës së qeverisjes. Imami së bashku me Pashkon bënte pjesë në atë klan që u la jashtë qeverisjes së PD-së dhe me vonë dolën si mocionistë dhe krijuan Aleancën Demokratike. Bashkë me Pashkon, Cekën, Demetin, Zaloshnjen etj., ata iu kundërvunë Berishës, jo për ide dhe parime, por thjesht ngaqë ngelën pa tortën që u nda pas 22 marsit.
Unë kujtoj se në atë periudhë Imami ka qenë tepër i egër ndaj Berishës, madje më i egër dhe se socialistët…
Po. Kjo është e vërtetë… Kështu e gjetën Imamin me shokë edhe zgjedhjet e manipuluara të 26 majit 1996. Imami ishte nga ata politikanë që nga 15 katëshi doli në protestë kundër manipulimit të këtyre zgjedhjeve, por kjo i kushtoi edhe dhëmbët e thyer nën torturat e njerëzve të Gazidedes, i cili u hakmorr egër ndaj tij pas sharjeve që Imami i kishte bërë Gazidedes në një seancë të Kuvendit, ku Gazidede ishte i ftuar për të raportuar për veprimtarinë e SHIK-ut. Për një kohë ai nuk u bë i gjallë, por në trazirat e 97-s u shfaq papritur sipër një tanku në Gjirokastër i vetëshpallur si gjeneral i rebelëve në jug që do niseshin drejt Tiranës për ta “çliruar nga regjimi i Berishës”. Por rruga e tij si “gjeneral” zgjasti vetëm deri në Tepelenë, sepse ai u tërhoq nga kjo detyrë, duke u kthyer në Tiranë në mënyrë të fshehtë në ditët e para të marsit…
Ishte manovër e Imamit kjo, apo…?
Nuk di si të them. Por fakt është se ky kthim i tij nuk u shpëtoi njerëzve të Gazidedes që vendosën ta eliminonin.
Si? Ka pasur plan për eliminimin e Ben Imamit?
Po. Ka qenë ndërhyrja ime tek këto skuadrone të vdekjes që e ka shpëtuar Imamin, për hatër të një miqësie që kam pasur me të në fillim të lëvizjes së dhjetorit e më mbrapa. Imami nuk e ka ditur këtë gjë, por shtëpia e tij përballë ATSH-së do ishte bërë varri i tij në atë mars të ’97-s, po të mos ndaloja këta persona. Ma merr mendja që nuk mund të ketë ndonjë politikan tjetër të pluralizmit me një karriere kaq të pasur e të larmishme me të gjitha ngjyrat e ylberit sa Imami. Njëherë me PD-në, pastaj me Aleancën, pastaj me Nanon si ministër Drejtësie dhe përsëri i kthyer si një qen i rrahur tek ai që e rrahu dhe e keqpërdori më shumë se askush, pra tek Berisha. Në fillim si shef i tij i kabinetit, pastaj si ministër Mbrojtje. Vërtet nuk mund të dëgjosh për njëe karrierë të tillë të një politikani në asnjë vend të botës. Çfarë mund të them unë për karakterin e këtij njeru? Nëqoftëse ka një politikan të keqpërdorur dhe vetëkeqpërdorur, ky është Imami. Simbol i kësaj keqpërdorjeje në politikë që ia kalon edhe Tritan Shehut, i cili të paktën ndenji gjithnjë afër Berishës, edhe pse trajtohej si një xharije e haremit të sulltanit nga sulltani Berishë. Për Imamin nuk di të përcaktoj se çfarë është, demokrat jo që jo, socialist po ashtu që jo. Gjeneral? Nuk mund të bëhesh gjeneral pse hipe sipër tankut, se po të ishte ashtu, une do bëhesha Marshall. Shkurt, mund të them që është një legen dhe që është i vetëm në legenllikun e tij.
Izet, gjatë këtij bashkëbisedimi të gjatë, për një moment nuk kemi folur asnjëherë: është pikërisht momenti i rizgjedhjes së Berishës President për një mandat të dytë në fillim të marsit 97, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Çfarë kujton nga kjo ngjarje?
Po, më kujtohet mirë ai moment. Situata dihet në ato ditë . Tym e flakë gjithandej Shqipëria. Shtetrrethim. Shteti kishte rënë në pothuajse gjithë jugun e Shqipërisë, por të ekzaltuar nga fjalët e Berishës se “Do t’i shtyp me zjarr e hekur rebelë komunistë në jug, do ta ndaj shapin nga sheqeri, do t’i shtyp të kuqtë njëherë e mirë” etj., erdhi dita e 2 marsit. Në Tiranë kishte filluar shpërndarja e armëve për militantët e PD-së dhe në drejtim të jugut nga dy krahet ishin nisur forca të shumta të ushtrisë, rekrutëve të PD-së dhe ato te SHIK-ut që po përgatisnin goditjen e fundit, sipas Berishës. Pasi përcollëm Berishën në parlament, ku pritej zgjedhja e tij për herë të dytë si president, kjo ishte një gjë thjeshtë formale, pasi rizgjedhja e tij ishte e sigurt në bazë të aritmetikës së parlamentit, ku opozita socialiste kishte vetëm pak vende në këtë parlament të manipuluar pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Por edhe ata pak deputetë të PD-së që kundërshtonin këtë zgjedhje të dytë të Berishës, nuk mund të dilnin hapur kundër, sepse ndiheshin të trembur e terrorizuar nga Berisha dhe ne që i qëndronim pranë atij. Këtë e tregoi edhe mbledhja e një dite më parë në Pallatin e Kongreseve të Këshillit Kombëtar të PD-së, ku u caktua Berisha si kandidat për President. Dhe një nga ata që kundërshtoi këtë vendim, Dylber Vrioni, u rraf në tualetet e Pallatit të Kongreseve. Genc Ruli u etiketua si një spiun i Sigurimit, etj.
Pra, në këtë atmosferë u zgjodh Berisha president në mars të 97-s?
Po, kjo ishte situata. Parl;amenti ishte i rrethuar me tanke. Në momentet kur po bëhej votimi i Berishës në parlament, përpara ndërtesës së parlamentit ishin mbledhur shumë gazetarë të huaj që ndiqnin situatën në Shqipëri. Më kujtohet që një moment pas perfundimit të votimit dhe rizgjedhjes së Berishës si president me rreth 104 vota pro, shpërthyem në entuziazëm dhe filluam të rrifnim gazetarët e huaj që po ndiqnin këtë veprimtari para parlamentit, duke u thyer e rrëmbyer edhe kamerat. Një nga ata që ka ngrënë dru ishte edhe vëllai i Kryeministrit të tashëm, Rama, që u mundua të shpëtonte një grup gazetarësh të huaj që shoqëronte nga dhuna jonë.
Dhe ju festuat në këtë atmosferë?
Është e vërtetë. Kemi festuar. Filluan festimet me shkrepje armësh e demonstrim force nga ana jonë në rrugët e Tiranës. Ne, duke festuar këtë zgjedhje të Berishës, po festonim pa ditur shembjen dhe falimentimin e atij palo shteti, apo më mirë antishteti, që kishte ndërtuar Berisha dhe PD në qeverisjen e tyre dhe hapnim rrugën një kaosi që do të merrte jetën dhe pronën e mijëra shqiptarëve, pasoja të cilit ndihen edhe sot e kësaj dite.
DITA
Sa apartamente zuri ne vitin 1997 tek ALMAK engjelli IZET HAXHIA