Ivanka Trump, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, darkoi mbrëmjen e së mërkurës (21 janar) me kryeministrin Edi Rama dhe një grup arkitektësh në Orikum të Vlorës, ndërsa është bërë me dije edhe një pjesë e menusë së përzgjedhur.
Osctriche, oktapod, karkalec viola e scampi, peshk i egër Kerr, ishin disa nga pjatat e përzgjedhura gjatë darkës në një restorant në Orikum. Në fokus të takimit ishin investimet e mundshme strategjike në qytetin bregdetar të jugut.
Ditën e dytë të qëndrimit në Vlorë, vajza e presidentit Donald Trump dhe grupi i arkitektëve vendas e të huaj e shfrytëzuan për disa vizita në qytet dhe në zonat përreth tij. Mëngjesi nisi në vijën bregdetare të zonës së Ujit të Ftohtë, nën masa të rrepta sigurie. Më pas ajo vizitoi Manastirin e Zvërnecit, ku qëndroi për gati 30 minuta. Sipas personave të pranishëm, Ivanka Trump ndezi dy qirinj dhe hodhi disa monedha në arkën e kishës së Shën Mërisë.
Më pas, nën shoqërinë e grupit të arkitektëve, Ivanka Trump kreu edhe një inspektim të zonën së Dalanit për të parë mundësitë e investimit në qytetin bregdetar. Vizita e saj lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Pas takimeve dhe diskutimeve mbi investimet si dhe vizitave në vendet e kultit, Ivanka Trump mësohet të ketë lënë Vlorën, për t’u nisur drejt Tiranës.
Ivanka Trump mbërriti në Vlorë paraditen e djeshme, shoqëruar nga masa të rrepta sigurie. E shoqëruar nga arkitektë të njohur, vajza e Presidentit amerikan inspektoi nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.











