Italia do ta dëbojë ambasadorin e Koresë Veriore në Romë si shenjë proteste ndaj testeve të fundit bërthamore dhe të raketave balistike të Penianit, ka thënë sot ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.
Megjithatë, Alfano ka thënë për të përditshmën italiane “La Repubblica” se Italia nuk do t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Korenë Veriore sepse, siç ka thënë ai, është e dobishme të ruhet kanali i komunikimit, transmeton Express.
“Ambasadori duhet të largohet nga Italia”, ka thënë Alfano.
“Ne duam ta bëjmë Penianin të kuptojë se izolimi është i pashmangshëm nëse ata nuk e ndryshojnë taktin”, ka shtuar ai, raporton Reuters.
Ai ka shtuar se Spanja në mënyrë të ngjashme ka shpallur persona non grata ambasadorin e Koresë Veriore në Madrid, ndërsa Portugalia i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Penianin.
a.ç