Numri i luftëtarëve nga Kosova që janë bashkuar me grupet ekstremiste në Lindjen e Mesme, e që ishte dikur më i larti për frymë në Evropë, është ndalur, sipas zyrtarëve qeveritarë, analistëve dhe ish-luftëtarëve. Sipas ekspertëve, kthesa vjen pas një goditjeje të qeverisë ndaj rekrutimit të ekstremistëve në Kosovë, një fushate edukimi për të treguar të këqijat e grupeve radikale, dhe një rënieje të thirrjeve për militantizëm nga Shteti Islamik. “Kosova ka bërë punë të mirë në angazhimin e drejtpërdrejtë të komuniteteve myslimane lokale në përpjekjet për të edukuar anëtarët e tyre ndaj rreziqeve të radikalizimit”, tha Sarah Bedenbaugh, një eksperte e Ballkanit në Këshillin e Atlantikut, me qendër në Uashington.
Kosova është vendi më i vogël në rajonin e Ballkanit me një popullsi me shumicë myslimane. Vendi fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Vendi pa dalje në det, ka luftuar me rritjen e radikalizimit të rinisë myslimane që u shtua me fillimin e luftës civile siriane në vitin 2012. Gati 93 përqind e popullsisë prej 1.7 milionë banorë të Kosovës janë me traditë myslimane. Të rinjtë në Kosovë u tërhoqën nga xhihadi ndërsa papunësia e lartë e kësaj grupmoshe dhe edukimi i ulët i la ata të zbrazët, thonë analistët. Sipas statistikave të qeverisë kosovare, 314 qytetarë të Kosovës u bashkuan me grupet e armatosura në Siri përfshi grupe ekstremiste si Shteti Islamik, Fronti al-Nusra, dhe Ahrar al-Sham. Qeveria tha se nuk ka të dhëna për luftëtarët e huaj kosovarë që janë larguar për në Lindjen e Mesme këtë vit.
Afërsisht 75 luftëtarë nga Kosova mbeten në vijat e frontit në Siri, i tha Zërit të Amerikës Fatos Makolli, drejtor i antiterrorizmit në policinë e Kosovës. Së paku 57 shtetas të Kosovës kanë vdekur në konfliktet në Lindjen e Mesme, tha ai. Por, pak tani po largohen për në Siri dhe të paktën një e treta janë kthyer, thonë zyrtarët. Të paktën 110 qytetarë të Kosovës që luftuan në Siri me grupe të ndryshme islamike janë kthyer në atdhe, thonë autoritetet. “Shkaku për të cilin shumë kosovarë menduan se luftuan nuk ishte ideali që kishin në fillim të konfliktit”, tha Shpend Kursani, analist në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, në Prishtinë.
Të rinjtë kosovarë që u joshën drejt Shtetit Islamik nga vlerat islamike radikale, më pas u zhgënjyen pasi “i ashtuquajturi Kalifat, nuk përmbushi shumë nga pritshmëritë e tyre idealiste”, thotë analisti. Disa ish luftëtarë po ndihmojnë tani të tjerët të mos shkojnë në Siri për t’u bashkuar me grupet radikale. Albert Berisha, i cili në vitin 2013 luftoi me një grup rebel në provincën Idlib të Sirisë, kohët e fundit ndihmoi në formimin e një qendre për de-radikalizimin që shpreson të rrisë ndërgjegjësimin për të këqijat e grupeve ektremiste në Lindjen e Mesme. “Projekti ynë i parë titullohet Biseda me Luftëtarët e Huaj” thotë zoti Berisha.
Përmes këtij projekti “ne inkurajojmë luftëtarët e huaj të bisedojnë rreth përvojës së tyre në mënyrë që të kuptojnë arsyet e zhgënjimeve dhe kthimin e tyre në Kosovë dhe të shohim sa të gatshëm janë për t’u riintegruar në shoqëri dhe cilat janë nevojat e tyre”, thotë ai. Kur kthehen, luftëtarët e huaj thonë se e kanë të vështirë të riintegrohen pasi përballen me persekutime sipas një ligji të miratuar në vitin 2015 që penalizon luftimet në konfliktet e huaja me gati 15 vite burg nëse shpallen fajtorë. Berisha thotë se ai u dënua me 42 muaj burg. Por, si shumë ish-luftëtarë të huaj ai e ka apeluar vendimin. Berisha thotë se qeveria “duhet të inkurajojë riintegrimin e tyre në shoqëri” dhe jo të ndëshkojë ish-luftëtarët e huaj.
Por, zyrtarët qeveritarë thonë se qëndrimi i tyre i ashpër po funksionon. Dënimet e ashpra dërgojnë një mesazh të fuqishëm se luftimet për militantët në Siri nuk do të tolerohen, thonë ata. Në një vizitë në Zërin e Amerikës në mars, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se vendi i saj ka shtuar përpjekjet për të arrestuar qytetarët që luftojnë për Shtetin Islamik.
Kosova është “vendi i vetëm në rajon dhe më gjerë,” që ka një operacion të mirë-organizuar të policisë që ka kryer disa arrestime të luftëtarëve të huaj në Kosovë që dikur i janë bashkuar Shtetit Islamik, shtoi ajo. “Kosova nuk do të mbahet peng nga një grup i vogël i ekstremistëve të dhunshëm fetarë, interpretimi i të cilëve për Islamin është kryesisht në kundërshtim me traditën tonë laike”, tha zëvendësministri i jashtëm Petrit Selimi, në një letër për gazetën New York Times në muajin maj.
Në një goditje të vazhdueshme, qeveria ka ndaluar më shumë se 100 persona, përfshi disa imamë, të cilët po përpiqeshin të rekrutonin kosovarë të rinj të luftonin me grupet ekstremiste në Siri. “Qeveria ka punuar shumë për të mbyllur xhamitë e paligjshme dhe vendet e tjera të takimit për imamët radikalë” tha analisti Bedenbaugh.
VOA/d.i.