Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Kabul ku objektiv ishin pjesëtarët e komunitetit minoritar shiit. Lajmi i publikuar nga agjencitë ndërkombëtare është mbështetur në informacionin e publikuar nga Amaq, agjencia e lajmeve e grupit ekstremist.
“Dy luftëtarë të Shtetit Islamik e kanë shpërthyer eksplozivin e vendosur në bel, gjatë demonstratës së shiitëve në qytetin e Kabulit në Afganistan”, është thënë në lajmin e shkurtër të publikuar nga Amaq.
Të dhënat për numrin e viktimave në këtë sulm po ndryshojnë çdo çast. Lajmi i fundit është se mbi 60 persona janë vrarë, ndërsa 142 të tjerë janë lënduar.
Minoriteti Hazara, kryesisht shiit në Afganistan e përbënë 9 % të popullatës, citohet Koha. (b.an)