Ish-përfaqësuesi shqiptar në komunitetin e Energjetikës në Vjenë, në grupin negociator me TAP nga viti 2002 deri 2011, jep intervistë për herë të parë, për të treguar si u arrit marrëveshja TAP-Shqipëri.
Bujar Leka: Unë jam shkëputur nga puna në vitin 2013, por u spostova qysh ne vitin 2011 nga komisioni i negocimit i palës tonë me TAP dhe në atë kohë u futën të tjerë njerëz ne negociata. Pra kam qenë pjesë e komisionit të negocimit deri më 2011-ën.
Rudina Xhunga: Kjo është e çuditshme pasi të njëjtën gjë thotë edhe zoti Baholli, drejtues i EGL-së për Shqipërinë, i cili ka qenë gjatë procesit të implementimit të TAP-it dhe spostohet në momentin e negociatave. Kush i bëri negociatat?
Bujar Leka: Duhet të keni parasysh që natyrisht politika e bënte këtë punë.
Rudina Xhunga: Po negocimi nuk bëhet nga politika, thjesht firmoset.
Bujar Leka: Jo, jo. Negocimi është tekniko-ekonomik, natyrshëm dhe social, pasi edhe pjesa sociale është pjesë e negocimit. Por trupa është e gjithfarëllojshme në kuptimin që kur diskutohet për hyrjen e TAP-it, nga do hyjë TAP-i dhe nga do dali TAP-i, vjen edhe drejtoria e kufirit të ministrisë së Brendshme, si dhe drejtoria e Doganave dhe Tatimeve kur negociohet për elementet që ato kanë.
Mesa di unë, di që ishte konceptuar prej investitorit, një transit fees dhe një sasi parash që mund të arrinte në nivelin e 20 apo 30 milionë euro në vit.
Rudina Xhunga: Investitori , pra TAP-i ose aksionerët e TAP-it, ndërsa po negociohej për të mbyllur marrëveshjen me Shqipërinë kishin parashikuar në dijeninë tuaj 20 /30 milionë euro në vit.
Bujar Leka: Në mos gaboj për shifra, pasi nuk është se u fol konkretisht, por bëhej fjalë për pjesën e fees- së që i takonte tranzicionit të tubave, përsa i përket transitit të tubacionit që do kalonin në Shqipëri pasi ishin 201 kilometra ku do kalonte TAP. Në 570 kilometra që përfshinte TAP-i gjithsej, 8 kilometra ishin në territorin italian, pjesa tjetër e ujërave territoriale italiane, një pjesë që është ujëra neutrale ndërkombëtare, pjesa e Shqipërisë dhe pjesa tjetër nga deti deri në kufirin në Korçë është 201 kilometër. Gati-gati pjesa më e madhe është në Shqipëri nga 570 kilometra qe ka gjithë projekti i TAP-it.
Rudina Xhunga: Ndërkohë që pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme kalon në Shqipëri dhe në dijeninë tuaj nuk ka shanse që kjo të ndodhë pa transit fees.
Bujar Leka: Më pas mund të jetë diskutuar në disa drejtime pasi unë nuk kam qenë pjesë e grupit negociator dhe nuk e di, por sipas asaj që unë mendoj se duhet të ndodhë, së pari pjesa e tranzitimit nganjëherë kthehet edhe në kontribut gazi. Shumë vende të tjera e kanë në këtë mënyrë.
Rudina Xhunga: Ne nuk përfitojmë as gaz pasi ne kërkuam zyrtarisht marrëveshjen e 2013-ës dhe 2017-ës dhe ministria e Energjetikës aktuale na i vuri në dispozicion dhe aty nuk figuron asgjëkund që ne të marrim gaz falas dhe as transit fees, vetëm ndikim në komunitet, ndikim lokal.
Bujar Leka: Ndoshta ndikimi lokal, por edhe kjo duhet parë tërësia e objekteve ose veprave që janë ndërtuar, si rrugë dytësore, ose ura nuk e di në çfarë ka kontribuar TAP AG-ja, kompania gjatë procesit të ndërtimit por nuk mund të them dot gjë për këtë.
Rudina Xhunga: Dua të sjell në vëmendje një intervistë e dhënë nga zëvendës ministri i kohës zoti Majlind Lazimi më 28 shkurt të 2012-ës, ku ai flet për 100 milionë euro në vit, të ardhura fiskale në vit. Pra në atë kohë para se të nënshkruhej marrëveshja e cila u nënshkrua në 2013-ën, kryenegociatori flet për 100 milionë euro për buxhetin e shtetit. Ai ka thënë me një parashikim optimist ne presim që përmes taksave të hyjnë në buxhetin e shteti 100 milionë euro në vit. Zoti Naskë Afezolli duke parë tregun e momentit thotë që , minimumi që do merrnim nga transit fees, është afro 100 milionë euro në vit. Dhe më del që ata përmendin shifra të ngjashme, vetëm se paratë nuk janë në buxhetin e shtetit.
Bujar Leka: Unë kam qenë deri në periudhën kur grupit të negocimit iu dorëzua drafti, madje kam edhe kopje të saj por është konfidenciale dhe nuk mund ta nxjerr. Marrëveshja ndërqeveritare që është, është marrëveshja e parë sepse siguron integritetin e projektit. Marrëveshja e parë që quhet IGA ose Intern Government Agreement, dhe pastaj është permit agreement ose leja dhe host agreement, që do të thotë marrëveshja e pritjes nga secili vend dhe flasim për fundin e vitit 2010 fillimi i 2011-ës, pastaj unë u spostova.
Rudina Xhunga: Çfarë do të thotë u spostova, sepse dua të kuptoj pse spostohen specialistët kur fillon të flitet për para?
Bujar Leka: Mesa duket kështu e gjykon politika.
Rudina Xhunga: kush ishte ministër në atë kohë?
Bujar Leka: Nuk e mbaj mend kush ka qenë ministër por ka qenë në mandatin e dytë e qeverisë Berisha dhe ministrinë e Energjetikës e mbulonte LSI-ja që nga Dritan Prifti, një periudhë ka qenë edhe vetë Meta, ishte i fundit Haxhinasto.
Rudina Xhunga: Në periudhën që bëhet marrëveshja ju nuk keni qenë pra.
Bujar Leka: Ishte ndoshta periudha, unë kisha goxha përvojë në këtë punë jo vetëm nga pozicioni që kisha por edhe si përvojë të krijuar nga tavolinat, diskutimet, debatet, qëndrimet dhe të tjera si këto brenda kuadrit të komunitetit të energjisë.
Rudina Xhunga: Çfarë ju thanë, largohuni, dilni në pension?
Bujar Leka: Jo në grupin e negocimit kështu ecën gjithmonë, ndryshon grupi i negocimit dhe mbaron filmi.
Rudina Xhunga: Kush ishte në grupin e negocimit?
Bujar Leka: Nuk e mbaj mend kush ishte pasi ishin fytyra të reja, ishin njerëz të rinj ndoshta dhe Lazimi mund ta dijë pasi ka qenë pjesë e grupit. Unë nuk e di!/dritare.net












