Në vend aktualisht nuk ka asnjë rast të regjistruar me fruth. Epidemiologu Artan Simaku nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se bazuar në të dhënat epidemiologjike në vend, nuk ka shpërthim aktiv të fruthit në asnjë institucion parashkollor, qoftë privat apo atë publik.
“Bazuar nga të dhëna e survejancës epidemiologjike në vend nuk kemi raste pozitive me fruth momentalisht, dhe nuk ka as shpërthim në institucionet parashkollore qoftë publike apo private në vend. Nuk ka vend për panik, për prindërit dhe shoqërinë. Rastet sporadike që mund të evidentohen, menaxhohen me izolim të shpejtë sipas protokolleve të përcaktuara”, thotë ajo.
Megjithatë, fruthi është një sëmundje infektive ngjitëse me rrezikshmëri të lartë tek fëmijët, ndaj specialistët e shëndetit bëjnë apel prindërve për aplikimin e vaksinës tek të vegjlit në të dy dozat, sipas kalendarit të vaksinimit.
“Pasojat e fruthit janë shumë serioze, mund të çoj dhe deri në vdekje. Për shkak të një studimi të bërë vite më parë, mendohej se kjo vaksinë mund të shkaktonte autizëm, por, në fakt shumë studime e kanë hedhur poshtë dhe kanë treguar që vaksina nuk shkakton autizëm. Doza e parë aplikohet 12-15 muaj, doza e dytë 5-vjeç. Vaksinimi mbron deri në 99% të fëmijëve të vaksinuar me dy doza. Meqenëse ka raste në gjithë europën me fruth, ka raste sporadike herë pas here në Shqipëri, fëmija juaj duhet të mbrohet, dhe duhet të vaksinohet ndaj fruthit, rubeolës dhe parotitit në kohë,”- shprehet ajo.
Gjatë 2026 sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vend u konfirmuan të paktën 8 raste me fruth, të cilët u izoluan në kohë dhe morën trajtimin e nevojshëm shëndetësor. Dy vite më parë, Shqipëria është certifikuar nga OBSH, si një vend që e ka eliminuar fruthin.











