Mungesa e shëndetit oral mund të jetë shkaktarja e 13 sëmundjeve, duke filluar nga ato të gojës, deri te infeksionet në tru, diabeti e kanceri”. Të dhënat raportohen nga Instituti i Shëndetit Publik, në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit të Gojës, ndërsa theksohet se shkak është moslarja e dhëmbëve dhe mospërdorimi i fillit dentar. Po ashtu, teksa i referohet Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ISHP-ja thotë se rreth 90% e popullsisë së botës do të vuajnë të paktën një herë nga një sëmundje e gojës gjatë jetës së tyre, duke filluar nga kariesi dhe sëmundjet periodontale, që çojnë në pri-shjen e dhëmbëve dhe kancer të gojës. Për këtë arsye, sipas specialistëve të këtij institucioni, “nëse nuk doni që 13 situatat e mëposhtme shëndetësore t’ju ndodhin, veproni sa më shpejt, duke ruajtur higjienën orale dhe vizitat e rregullta te mjeku stomatolog”.
Sëmundja e mishrave të dhëmbëve
Shumica e njerëzve nuk kanë njohuri për këtë sëmundje. Mishrat e dhëmbëve nuk duhet të gjakosen kur i lani ose përdorni fillin dentar. Nëse dhëmbët tuaj gjakosen, ka shumë mundësi që ju vuani nga sëmundja e mishrave të dhëmbëve ose jeni drejt kësaj rruge. Gingiviti apo forma e lehtë e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve shkakton skuqjen dhe ënjtjen e mishrave të dhëmbëve, gjë që çon shpesh në gjakosjen e tyre për shkak të baktereve që formohen në mes të mishrave të dhëmbëve. Nëse masa bakterore përhapet, përgjigjja imunitare e organizmit rritet dhe mund të çojë në shkatërrimin e indeve dhe kockave në gojë, duke krijuar kështu xhepa midis dhëmbëve të cilat mund të infektohen (ka edhe shkaktarë të tjerë të cilët nuk kanë lidhje me higjienën orale që mund të japin këtë efekt). Në këtë stad të rënduar, sëmundja e mishrave të dhëmbëve quhet periodontit dhe ajo mund të bëhet kronike. Informohuni sa më shumë për periodontitin në mënyrë që të bëheni më vigjilentë në lidhje me higjienën tuaj orale.
Rënia e dhëmbëve
Nëse nuk jeni shqetësuar asnjëherë për rrezikun e rënies së dhëmbëve, duhet të filloni menjëherë përkujdesjen për ta. Të rriturit e moshës 20-64 vjeç kanë mesatarisht shtatë dhëmbë të humbur, ndërsa 10% e amerikanëve ndërmjet moshave 50 dhe 64 vjeç nuk kanë asnjë dhëmb të mbetur në gojë. Si krimbja e dhëmbëve, ashtu edhe sëmundjet e mishrave të tyre mund të çojnë në humbjen e dhëmbëve.
Era e keqe e gojës
Era e keqe e gojës, që klinikisht quhet halitozis, mund të prekë rreth 65% të popullatës. Era e keqe e gojës mund të ketë shkaktarë të ndryshëm, por si shkaktar kryesor do të përmendim higjienën e dobët orale. Copëzat e ushqimit, të cilat mbeten gjatë dhe pas konsumit të ushqimit, nisin të mbajnë erë, dhe sa më pak t’i kushtoni vëmendje larjes së gojës me furçë dhe përdorimit të fillit dentar, aq më tepër baktere me erë të keqe do të shumohen në gojë. Veshja e gjuhës me baktere gjithashtu është një faktor i rëndësishëm që ndikon në aromën e keqe të gojës. Disa kërkime shkencore sugjerojnë kombinimin e pastrimit të gjuhës me larjen e rregullt të dhëmbëve me furçë dhe pastë dhëmbësh, si dhe përdorimin e fillit dentar, i cili mund të ndihmojë në eliminimin e këtij problemi.
Demenca (Prapambetja mendore)
Një studim i madh i bërë në komunitetin e pensionistëve te Laguna Hills USA, sugjeron se mund të ketë një lidhje ndërmjet shëndetit të dobët oral dhe demencës. Gjithashtu, njerëzit që kujdesen për higjienën e gojës, kanë kujdes edhe për shëndetin në përgjithësi. Studiuesit ndoqën në studim 5468 njerëz për një periudhë 18-vjeçare. Ata zbuluan se mes atyre që kishin akoma dhëmbë dhe atyre që raportonin se nuk i lanin dhëmbët përditë, kishte një rrezik nga 22% deri 65% për të shfaqur sëmundjen e demencës, krahasuar me ata që i lanin dhëmbët tri herë në ditë rregullisht. Për ta përforcuar këtë gjetje, një studim tjetër zbuloi se truri i pacientëve me alzhaimer ka më tepër baktere që lidhen me sëmundjen e mishrave, sesa në pacientët e shëndetshëm apo pa alzhaimer.
Sëmundja e mushkërive – Pneumonia
Kur bakteret nisin të shfaqen në gojën tuaj, ato kalojnë shumë shpejt në mushkëri. Është parë që ka një lidhje ndërmjet hi-gjienës së dobët të gojës dhe sëmundjes së mushkërive të marrë në spital. Përmirësimi i higjienës së gojës zvogëlon incidencën e kësaj lloj sëmundjeje me 40%.
Problemet me ereksionin te meshkujt
Një lidhje midis sëmun-djes së dhëmbëve dhe ereksionit mund të duket e çuditshme. Disa studime paraprake kanë sugjeruar se situatat mund të kenë lidhje. Të dyja problematikat shëndetësore kanë lidhje me mungesa të vitaminës D, duhanpirjen, si dhe situata inflamatore të përgjithshme, por arsyeja e vërtetë e lidhjes midis tyre është akoma e panjohur. Një studim te minjtë ka gjetur se periodontiti dobëson funksionin e penisit. Ndërkohë është e paqartë nëse i njëjti efekt i drejtpërdrejtë do të gjendet edhe në studimin e kryer te njerëzit. Në një grup pacientësh rreth moshës 30 deri 40 vjeç, 53% e tyre me probleme të ereksionit kishin paradontozë të stadit të rëndë, ndërsa vetëm 23% e tyre që nuk vuanin nga paradontoza, kishin probleme me ereksionin.
Infeksioni në tru
Shpesh infeksioni në tru shkaktohet nga bakteret. Infeksioni është grumbullimi i qelbit me rrjedhje dhe ënjtje rreth tij. Në tru, kjo situatë është fatale nëse lihet e patrajtuar. Në një pacient me dhëmbë të dëmtuar ku sëmundja paradontale është në stad të avancuar, ajo mund të përbëjë një rrezik për për-hapjen e sëmundjeve që rrezikojnë jetën në pjesë të tjera të trupit. Në këtë përfundim arritën një grup shkencëtarësh, të cilët gjetën se higjiena e dobët e gojës së pacientëve shihet si shkaktare e mundshme e infeksionit në tru. Infeksionet në tru janë të rralla dhe nuk ka pasur studime sistematike të cilat i lidhin ato me higjienën e dobët të gojës. Autori i studimit vërejti se në të paktën 12 raste të raportuara ku pacienti vuante nga infeksioni në tru, shkaktari më i mundshëm ishte higjiena e dobët e gojës.
Diabeti
Dentistët e kanë ditur prej kohësh se diabeti është faktor rreziku për parodontit. Studimet e reja tregojnë se kjo lidhje mund të jetë e ndërsjellë. Situatat e moskujdesjes së plotë për dhëmbët gjithashtu mund të bëhen faktor rreziku për rezistencën ndaj insulinës dhe diabetit. Disa studime kanë identifikuar madje që në pacientët të cilët vuajnë nga të dyja problemet shëndetësore, vënia nën kontroll e paradontitit mund të përmirësojë simptomat e diabetit.
Sëmundja e veshkave
Individët me sëmundje periodontale kanë 4,5 herë më tepër shanse për të pasur sëmundje kronike të veshkave, gjë që tregon se higjiena e dobët e gojës është një nga shkaktarët e sëmundjes kronike të veshkave. Të rriturit, të cilët i kanë humbur të gjithë dhëmbët e tyre, janë gjithashtu 11 herë më të predispozuar për të pasur sëmundje kronike të veshkave. Sëmundjet e dhëmbëve nuk përbëjnë faktorin kryesor të rrezikut, por te njerëzit mbi 69 vjeç shanset janë 27 herë më shumë për të pasur sëmundje kronike të veshkave sesa te të rinjtë.
Sëmundjet e zemrës
Studime të ndryshme kanë sugjeruar se mund të ketë një lidhje midis së-mundjes së mishrave të dhëmbëve dhe sëmundjeve të zemrës, ku të dyja këto sëmundje shoqërohen me inflamacion. Një studim ka arritur në përfundimin se një kujdes i shtuar në higjienën e gojës do të rekomandohej në raste të tilla, duke rritur mundësitë që çojnë në minimizimin për të pasur sëmundje koronare të zemrës. Një studim tjetër ka arritur në përfundim se, sëmundjet periodontale të cilat shkaktohen nga bakteret mund të paraqesin një nga shkaktarët e mundshëm të sëmundjeve të zemrës.
Komplikacionet e shtatzënisë
Gingiviti prek 60 deri 75% të grave shtatzënë. Kur gratë shtatzënë kanë probleme serioze me dhëmbët, fëmijët e tyre të porsalindur kanë më shumë shanse për të pasur dhëmbë të sëmurë. Kur nënat shtatzënë nuk i kushtojnë vëmendje shëndetit oral, ka të ngjarë të lindin bebe nën peshë apo të lindin para kohe. Megjithatë. nuk kemi ende shumë evidenca që tregojnë se ky është faktor rreziku i pavarur. Studiuesit mendojnë se bakteret që hyjnë në rrjedhën e gjakut, pushtojnë placentën, duke shkaktuar kështu një përgjigje inflamatore.
Ulçera
Te njerëzit të cilët vuajnë nga periodontiti, shtresat bakterore të cilat formohen në xhepat midis mishit të dhëmbëve mund të bëhen rezervuar i helikobakter pilori, bakter i cili në shumicën e rasteve nuk ka shenja, por është shkaktar i ulçerës së stomakut kur shpë-rthen. Helikobakter pilori mund të transmetohet nga goja, dhe studime të mëdha epidemiologjike kanë gjetur një lidhje pozitive ndërmjet periodontitit dhe testeve pozitive për bakterin, i cili është gjithashtu një faktor rreziku për kancerin e stomakut.
Kanceri
Të dhëna të fundit na tregojnë se sëmundja periodontale në stad të rëndë, e cila përparon për një kohë të gjatë, si dhe rënia e dhëmbëve, mund të shoqërohet me një rrezik të shtuar të sëmundjeve malinje (mbështetur në sugjerimet e studimeve të mëparshme, si dhe lidhjet midis shëndetit të dobët të gojës dhe kancerit). Sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe problemet dentare shoqërohen gjithashtu me HPV (Human Papiloma Virus), i cili shkakton rreth 80% të kancerit të gojës. Duhanpirja është një faktor madhor rreziku, si për sëmundjen e mishrave, ashtu edhe për kancerin. Një studim i vitit të shkuar, në të cilin morën pjesë 3439 pjesëmarrës, identifikoi shëndetin e dobët të gojës si një faktor rreziku të pavarur, shkaktar për HPV edhe në rastet kur duhanpirja ishte marrë në konsideratë./GSH