I pyetur nga gazeta “TemA”, nëse vendimi për të garuar të vetëm në zgjedhje ka qenë i diktuar nga mazhoranca, Topi e përjashton këtë version duke theksuar se FRD është e pozicionuar në qendrën e djathtë dhe qëndron besnikërisht në atë pjesë.
Sa i përket zgjedhjes së Ilir Metës në krye të shtetit, në cilësinë e ish-Presidentit ai thotë se është dakord me zgjedhjen e tij duke u treguar i gatshëm për të bashkëpunuar.
Ndërkohë, lidhur me protestën e opozitës dhe thirrjet për mosbindje civile, kryetari i FRD-së thotë se nuk do që të mendojë ngjarjet e vitit famëkeq 1997 dhe të bëjë një paralele me to.
Ndër të tjera, ish-presidenti, ndalet edhe tek një pjesë e analistëve mediatikë, ku tregohet kritik për artikulimet që kanë bërë.
Topi adreson ndaj tyre një këshillë për tu futur në garë dhe për të mos jetuar me jashtëqitjet e shefave në pushtet.
Z.Topi, sot FRD feston pesë vjetorin e themelimit të saj. A ka diçka për të cilën ndjehet krenare kjo force politike gjatë rrugëtimit të saj?
Fryma Re Demokratike feston sot 5 vjetorin e krijimit të saj si një forcë demokratike e qendrës së djathtë dhe padyshim duhet vlerësuar për kontributin e saj në emancipimin e mendimit politik në Shqipëri.
FRD është pjesëmarrëse në dy palë zgjedhje dhe do të garojë në korsinë e saj për zgjedhjet politike të qershorit. Fizionomia politike e forcës sonë tenton t’i largohet modelit arkaik të partive të vjetra duke futur frymë demokracie perëndimore, ndonëse kuptohet ende pak nga mjedisi politik e shoqëror.
Gjëja më e pavërtetë që është tipar i partive tradicionale, ka qenë arsyetimi se FRD është parti e kryetarit apo thënë ndryshe e Topit. Në fakt e kundërta e kësaj është e vërtetë.
Njerëzit në familjen tonë politike kanë ardhur me vullnet personal dhe dëshirë kur pushteti i kohës persekutonte çdo individ e familje që bëheshin pjesë e saj.
Së fundmi juve keni bërë publik emrat e personave që do të garojnë në zgjedhjet e 18 qershorit ku në listë ra në sy mungesa e emrit tuaj. Çfarë ju shtyu për të mos kandiduar?
Për të dhënë një mesazh të qartë publik se FRD është partia e secilit anëtar.
Listat e kandidatëve kanë qenë atribut kryesor i kryesive të degëve në qarqe dhe ç’është më e rëndësishmja pjesëmarrja ime ka qenë dhe mbetet mision dhe aspak interes personal.
Vendosa që të le rrugë të hapur për konkurrim shumë demokratik duke qëndruar në krye të fushatës në të gjithë territorin kombëtar.
Ky besoj se është një mesazh i qartë për shoqërinë shqiptare të zënë në lakun e mashtrimit të partive që alternojnë pushtetet duke varfëruar në mënyrë dramatike demokracinë.
Kjo vlen gjithashtu edhe për ata gazetarë apo analistë që janë zhytur në pellgun e moçalit të qelbur të politikës së dy partive të vjetra prej të cilave korrektohet mendimi i tyre.
Unë kam bindje të plotë se asgjë formale nuk cenon apo dëmton rolin dhe funksionin e FRD-së në këto zgjedhje.
Sa mendoni se do të ndikojë mos kandidimi juaj në zgjedhje?
Unë kam bindjen që do të ketë një situatë shumë pozitive për dy arsye:
Së pari, unë do të jem aktiv në krye të fushatës për FRD-në që lufton jo vetëm në kryeqytet, por gjatë të gjithë territorit ku zyrtarisht sigla përfaqësohet nga kryetari i forcës politike.
Se dyti, edhe më skeptikët dhe paragjykuesit që tentojnë ta lidhin fatin e partisë me interesat e kryetarit, rrëzohen pa mundësi alibie.
Për këtë dhe nevojën e përfshirjes së FRD-së në Kuvendin e Shqipërisë, fluksi drejt nesh sigurisht që do të rritet ndjeshëm.
Unë po ndalem në një pikë tjetër që në gjykimin tim është mjaft e rëndësishme. Pse zgjodhët të garoni të vetëm në zgjedhjet e 18 qershorit ndryshe nga zgjedhjet e fundit lokale?
Sikurse kemi demonstruar ne asnjëherë nuk kemi qenë në koalicion politik, por kemi bashkëpunuar për pushtet administrativ që për fat të keq i konsiderojnë politike.
FRD është mjaft e pozicionuar në qendrën e djathtë dhe qëndron besnikërisht në këtë pjesë të spektrit politik shqiptar.
Gjithashtu duhet të them se veçoria e këtyre zgjedhjeve të heq luksin për të bërë një pyetje për koalicionet pasi askush nuk konkurron në koalicion.
Analistë të ndryshëm në media gjykojnë se mos futja juaj në koalicion me partinë socialiste është një kërkesë e mazhorancës për të zëvendësuar opozitën në zgjedhje. Keni ndonjë koment për këtë?
Kjo është absolutisht e pavërtetë dhe djallëzore. Ajo që sot tek ne përben një bindje absolute, është fakti se kemi një politikë mjeranë, provinciale dhe në të njëjtën kohë analistë jo profesionistë e të kompromentuar.
I paçim mirë dhe t’i gëzojmë pasi po shihen në ekranë më shumë se politikanët. Ata dinë gjithçka dhe në çdo fushë, madje parashikojnë edhe pozicionin e yjeve dhe ndikimin në fatet e shefave të pushtetshëm.
Gjithashtu duhet përmendur personat në fjalë janë njohës të mirëtë aftësinë dhe dëshirës për t’u poshtëruar me qëllim përfitimi. Paguhen mirë, mashtrojnë pa turp duke i ngjarë çdo ditë dhe më shumë njëri-tjetrit.
Këshilla ime është qëtë bëhen burra të fortë, të futen në garë, dhe të mos jetojnë me jashtëqitjet e shefave të tyre gjithmonë në pushtet.
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka artikuluar gjatë një fjalimi të mbajtur në “Çadrën e Protestës” se firmat e partisë suaj që u depozituan në KQZ janë nënshkrime të stafit të OSSHE-së. Mund të na thoni si qëndron e vërteta?
Këtë që thoni juve, pata rastin ta shikoj në një kronikë televizive. Duke i njohur vetes një traditë familjare dhe qytetare, gjuha e komunikimit tim historikisht ka qenë e matur dhe e argumentuar. Asnjëherë nuk i kam dhënë vetes të drejtën qëtë fyej të tjerët, madje edhe kur ma kanë bërë borxh.
Nga ky pozicion, do të jap disa konsiderata për njeriun drejt të cilit jam rezervuar që të bëj kritika pasi e kam parë si një njeri në hall.
Bazuar në marrëdhëniet korrekte, kam gjykuar politikisht misionin që mund ta krahasoj në mënyrë alegorike me raketat balistike të kreut të Koresë së Veriut që shpërthejnë në ajër.
Z.Topi, shoh në artikulimin tuaj se ka një pakënaqësi ndaj Z. Basha. Pse gjithë ky perceptim ndaj tij në një kohë kur e djathta duhet të ishte më e bashkuar se asnjëherë tjetër?
Ajo që pata shpresuar realisht nuk ka ndodhur dhe nuk ka shans të ndodhë.
Z. Basha në vend që të lirohej nga mëkatet e babait shpirtëror për të sjellë një frymë bashkpunimi dhe për të ngritur nga toka të djathtën e rrënuar, po thellon dëshperimin që kanë njerëzit në këtë situatë.
Basha duhet të kthjellohet së pari për të kuptuar në interes te tij, se godina politike e dhuruar ka shumë aksionerë politikë që e kanë ndërtuar nga themelet dhe kanë bërë beteja reale për demokraci. Këto fakte duhen respektuar.
Së paku nuk duhet të behet interpretim oriental i një politike ku mohohet gjithçka dhe nuk pranohet asnjë gabim për situatën e krijuar.
Më rezulton që kam bërë betejë të fortë me shefin e tij, që bashkë me Ramën hodhën në vitin 2008 bazat e shkatërrimit të sistemit. Prano gabimet dhe vazhdo. Kjo është dialektika e zhvillimit, ndryshe vërtetohet ajo që kam thënë se do të jetë shembulli i liderit që do largohet pa asnjë trofe.
Si e gjykoni zgjedhjen e Ilir Metës si president i Shqipërisë?
Gjëja më e rëndësishme për Shqipërinë sot është fakti se nuk ra në krizë për zgjedhjen e Presidentit në një moment kur situata politike është problematike dhe për më tepër që në kontekstin rajonal ka jo pak trazira.
Pavarësisht nga këndvështrime të ndryshme rreth emrit, personalisht shoh tek z.Meta një politikan me përvojë që ka përmiresuar ndjeshëm cilësitë e durimit për tëdialoguar. Besoj se kjo është më e rëndësishmja për atë institucion.
A do t’i bashkoheshit thirrjes së tij si ish-president për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit politik?
E kam uruar presidentin e ri, dhe kam gjetur gadishmërinë për të bashkëpunuar mbi çështje të interesit kombëtar. Në çdo kohë që kreu i shtetit do ta shohë të arsyeshme, kontributi im do të jetë detyrim dhe kënaqësi.
Z.Topi, në cilësinë e ish-kreut të shtetit, pas dështimit të ndërkombëtarëve për të negociatar me palët, si e shihni stabilizimin e situatës?
Mendimet e mija i kam shprehur publikisht shumë kohë para se të shfaqeshin simptomat e qarta të krizës.
Sigurisht që është e gabuar pasi nuk morën në konsideratë që reforma në drejtësi duhej të bëhej paralelisht me reformën zgjedhore duke harruar se drejtësia shoqërore dhe institucionale fillon ditën e zgjedhjeve.
Nuk dëgjuan, nuk vepruan në kohë dhe prandaj pa përjashtim janë të gjithë në kaos.
Kjo fillon me mungesën e komunikimit dhe të paragjykimit se gjerat këtu nuk ka kush t’i zgjidhë më.
Më vjen keq pasi po thellojmë hendekun e mënyrës së sjelljes me ndërkombëtarët të cilët shohin në Shqipëri atë që se kanë parë në 27 vjet.
Më 7 maj në Kavajë mazhoranca ka ditë zgjedhjesh, ndërsa nga ana tjetër opozita ditë proteste. A ka rrezik që me thirrjet për mosbindje civile Shqipëria të përjetojë një skenar të ngjashëm me atë të vitit 1997?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të jesh palë në këtë ballafaqim. Nuk mund të luaj Kasandrën. Di që në vitin 1997 u shkaktuan drama pa fund dhe çdo referencë me atë vit sjell shumë dëshpërim. Kemi mbetur i vetmi vend që bëjmëbilancin me ngjarjet tragjike të së kaluarës. Ende nuk kemi politikanë që të shohin larg drejt prosperitetit përtej karriges. Për të ardhur keq por më duket e vërtetë.
Intervistoi Andrea Danglli
ma.me