Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu është nderuar sot më 10 dhjetor 2025 me medaljen Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës.
Moisiu, në fjalën e tij pasi mori medaljen, u shpreh se gjithë jetën e tij ia ka kushtuar kombit.
Ai tha se falënderon familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët, që kanë shërbyer si shtysë motivimi në punën e tij.
“Ju falënderoj shumë për këtë medalje. Në moshën time, 96 vjeç, ky vlerësim merr tjetër kuptim për mua, si dëshmi e përpjekjeve për vendin dhe qytetarët. Falënderoj familjen, bashkëpunëtorët, miqtë, që më kanë dhënë forcë e motivim të vazhdueshëm.
E konsideroj këtë medalje, si mesazh se vlera, puna dhe integriteti mbeten gjithmonë të çmuara. Në familjen time, dashuria për atdheun ka qenë motiv i trashëguar. Ju siguroj se do vazhdoj më tej, pavarësisht nga mosha. Gjithmonë do jem në shërbim të kombit tonë”, tha Moisiu.
Në ceremoninë solemne të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, u nderuan një sërë personalitetesh të shquara në fusha të ndryshme.











