Sekretari për Çeshtjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka shpjeguar përse mazhoranca do të presë PD-në zyrtare deri në 5 maj, për reformën zgjedhore.
Z.Gjiknuri, a do mund të kemi një reformë zgjedhore ?
Gjiknuri: Tashmë që flasim kemi hyrë në fazën e organizimit të zgjedhjeve, çka do të thotë se çdo ndryshim teknik që mund të afektojë këto zgjedhje është i pamundur. Për të ja bërë të qartë dhe publikut, të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it do të jenë të vlefshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe jo për zgjedhjet vendore, pasi tashmë jemi në fazën e implementimit dhe organizimit të këtyre zgjedhjeve.
Z.Gjiknuri, ju jeni të vendosur ta miratoni reformën pa Partinë Demokratike? Nga viti 2001 nuk ka patur një reform jo konsensuale..!!
Gjiknuri: Për shkak se Partia Demokratike ka djegur mandatet dhe është tërhequr nga Parlameni aty tashmë ka një grupim tjetër deputetësh që kanë ardhur nga Partia Demokratike dhe partia tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim. Nisur nga një situatë jo tipike, pasi PD pretendon se nuk i njeh këta deputetë si përfaqësues të tyre, kemi një realitet parlamentar dhe një realitet tjetër politik. Në këto kushte, ne nesër do të bëjmë një amendim në vendimin e komisionit për reformën zgjedhore. Do të shtyhet afati deri në Maj në mënyrë që të adresojmë vetëm rekomandimet teknike për çështjet e organizimit të zgjedhjeve. Ne do ti krijojmë një mundësi Partisë Demokratike, përmes një vëzhguesi special të atashuar pranë komisionit, i cili ka të drejta të plota njësoj si bashkëkryetari. Do të thotë që Partia Demokratike nuk i humb të drejtat e saj qoftë për të propozuar ndryshime apo miratuar ndryshimet që do bëhen aty. Kjo do të thotë se pavarësisht se janë jashtë Kuvendit, kanë një dritare të hapur me të drejta të plota për të komunikuar me mazhorancën në mënyrë që të kalojmë një kod konsensual.
Do të kenë dhe të drejtën e vetos?
Gjiknuri: Me çdo të drejtë që ka opozita në komisionin e posaçëm për reformën. Siç është e shkruar aty, kanë të drejtën e propozimit, të drejtën e kundërshtimit. Për çëshje për të cilat nuk ka dakordësi, ka qenë parimi i shkruar që në vitin 2011 kur unë kam drejtuar komisionin e reformës zgjedhore të asaj kohe kur PS ishte në opozitë. Për ato çështje ku nuk ka dakordësi kërkohet mendimi i specializuar i ODIHR-it. Pra, kjo është formula dhe ne kësaj do ti qëndrojmë. Më pak fjalë, në çdo kohë që Partia Demokratike vendos të ulet në tavolinë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, edhe sikur të kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe në çfarëdo lloj situate do të kërkohen ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe kjo parti e ka këtë hapësirë. Ne i bëjmë thirrje ta shfrytëzojnë këtë mundësi, që të bashkëpunojmë së bashku për ta çuar përpara këtë proces i cili nuk lidhet me qeverisjen, por janë rregullat e lojës për zgjedhje të gjithëpranuara.
Pyetje: Ndërkohë, ju i keni shtrirë dorën opozitës së re në Kuvend pasi ajo ka dhe votat. Në rast se deputetët e rinj të PD dhe LSI kanë propozimet e tyre për këtë reformë duke përfshirë dhe një ndryshim sistemi me lista të hapura, a do të jeni të gatshëm ti merrni në konsideratë?
Gjiknuri: Realiteti parlamentar patjetër që do të ketë vendet e tij në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ata zotërojnë mandate dhe përfaqësojnë qoftë vetveten apo nesër një grupim të caktuar politik, këtë unë nuk mund ta parashikoj. Unë e kuptoj që një pjesë e tyre do të kërkojnë edhe çështje të sistemit. Çështjet e sistemit do të duan një diskutim më të gjërë, janë çështje që duhen trajtuar direkt pas zgjedhjeve vendore dhe mandati i këtij komisioni të reformës zgjedhore është fokusimi vetëm tek rekomandimet e ODIHR-it, kryesisht për depolitizimin e administratës, rregullimin e barazisë së palëve dhe shumë element të tjerë teknike që kanë të bëjnë me procese teknike të zgjedhjeve. Çështjet sistemike apo vota e emigrantëve përshembull për të cilën ne kemi vullnetin dhe që PD është shprehur parimisht dakord, janë çështje që do të diskutohen pas zgjedhjeve vendore, në fazë të dytë të reformimit. Çështjet e financimit të partive politike, çështjet e financimeve të fushatave zgjedhore, element që kanë të bëjnë prapë me ndryshime të karakterit thelbësor do ti lemë më pas. Nëse do të ketë dëshirë PD, edhe tani mund ti adresojmë përmes përfaqësuesit që ata mund të caktojnë në komision. Ne tani do të adresojmë elementët teknik të cilët në fund të fundit edhe Partia Demokratike i ka nxjerrë si shqetësime ashtu sikurse i ka patur edhe ODIHR-i në zgjedhjet e kaluara.
Pyetje: Pra, ju po thoni se në këto zgjedhje lokale do të hyjmë me këto rregulla loje apo mund të ketë modifikime të vogla të rregullave?
Gjiknuri: Në këto zgjedhje lokale do të hyjmë me këto rregulla loje. Nëse Partia Demokratike propozon diçka që mund të ketë efekt edhe të menjëhershëm në këto zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe ti diskutojmë. Nëse është e mundur dhe nëse nuk impakton procesin e administrimit, ne jemi të gatshëm ti pranojmë. Mesazhi i është se pavarësisht se janë jashtë parlamentit, kanë të njëjtat të drejta dhe nëse kanë diçka për këto zgjedhje ne i mirëpresim që ti miratojmë menjëherë dhe të krijojmë besim tek procesi zgjedhor, pergatiti Tema.