E bekuar me 218 ditë diell në vit dhe me burime të bollshme uji që rrjedhin nga malet, Shqipëria është një tokë pjellore për kanabisin. Enver Hoxha, diktatori komunist që mbylli kufijtë e Shqipërisë përgjatë sundimit të tij stalinist dhe paranojak pas Luftës së Dytë Botërore, ndaloi kultivimin e kanabisit në vitin 1946. Kjo drogë qe tregtuar lirshëm për dëfrim dhe përdorim si ilaç gjumi për fëmijë
Nën regjimin e Hoxhës, shteti mori kontrollin, duke e rritur atë si një bimë industriale për eksport, në terrenin e asaj që është sot Universiteti Bujqësor në Kamëz, një bashki në qarkun Tiranë.
“Qe kanabis i cilësisë shumë të mirë,” tha për BIRN Ahmet Osja, ministri i fundit i bujqësisë për partinë në pushtet para se komunizmi të rrëzohej në vitet 1991-92. “Zviceranët e kërkonin sepse qe cilësi e mirë dhe për shkak se qe i lehtë. Përdoret në farmaceutikë, bimë mjekësore dhe për litar.”
Fundi i komunizmit solli një dekadë destabiliteti të dhunshëm me rebelim civil në Shqipëri dhe luftë në vendet fqinje të ish-Jugosllacisë. Armët u bënë të zakonshme, politika u bë tepër e polarizuar dhe grupet kriminale lulëzuan. Një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009, Shqipëria është ende duke u përballur me trashëgiminë e viteve 90 dhe me fuqinë e rrjeteve kriminale të organizuara dhe të ngulura thellë, të cilat janë përhapur në të gjithë Europën Perëndimore.
Arsovska tha se përpjekjet jetëshkurtra të qeverive të njëpasnjëshme të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit për të ndaluar tregtinë e drogës u bënë “më shumë për famë dhe reklamë”, shpesh të motivuara nga politika e “shkopit dhe karrotës” të ndjekur nga BE ndaj vendeve të Ballkanit që ëndërrojnë të anëtarësohen një ditë në këtë bllok.
“Në përgjithësi, ka mungesë të organizimit institucional solid dhe afatgjatë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri,” tha ajo. “Krimi i organizuar jeton në simbiozë me institucionet e shtetit.”
“Adaptimi fleksibël i mbështetur në analizimin e rrugëve për të anashkaluar politikat e qeverisë kundër drogës ndihmon për të shpjeguar arsyen se pse industria e jashtëligjshme vijon të ekzistojë në Kolumbi apo në Shqipëri, pavarësisht faktit që qeveritë kanë shkatërruar disa organizata kyçe, përfshirë grupimet Medelin dhe Kali [kartelet e drogës në Kolumbi] apo grupin e Lazaratit.”
Libri i Fakteve të Botës të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, (CIA) përshkruan “prodhim të kufizuar opiumi dhe prodhim në zgjerim të kanabisit në Shqipëri” dhe thotë se organizatat shqiptare të narko-trafikut janë “aktive dhe në zgjerim në Europë”.